Kryetari i Bashkia Kavajë, Fisnik Qosja, ka reaguar sot lidhur me lajmet e shpërndara në rrjetet sociale për takimin me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Ai sqaroi se ka marrë pjesë vetëm në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Kavajë dhe si President i Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë, duke mohuar çdo përfshirje apo përfaqësim të Shoqatës Kombëtare të Bashkive nga maxhoranca.
Qosja theksoi se çdo interpretim i pasaktë i rolit të tij është i pavend dhe kërkoi që emri dhe pozicioni i tij të përdoren saktë në çdo forum publik.
Deklarata:
Lidhur me lajmin e publikuar në media sociale për takimin e zhvilluar me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke marrë si referencë njoftimin e bërë publik, unë, Fisnik Qosja, deklaroj se:
1. Në këtë takim kam qenë, së pari, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Kavajë.
2. Nuk kam qenë dhe nuk jam bashkëkryetar i Shoqatës Kombëtare të Bashkive nga maxhoranca.
3. Unë jam President i Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë, që përfaqëson të zgjedhurit vendorë të krahut opozitar, dhe këtë grupim kam përfaqësuar dhe do ta përfaqësoj në çdo takim, konferencë apo forum kombëtarë,ndërkombëtar, përfshirë edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, në Strasburg, në Bruksel apo në organizata dhe struktura të tjera ombrelle.
4. Ftoj çdo organizatë apo projekt që të mos përdorë apo interpretojë në mënyrë të pasaktë emrin dhe pozicionin tim përfaqësues.
5. Mbështes plotësisht qëndrimet e Asamblesë së Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë mbi identitetin, qëllimet, veprimtarinë dhe bashkëpunimin institucional për forcimin e decentralizimit dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë dhe anëtarët e saj mbrojnë me vendosmëri identitetin, qëndrimet dhe kauzat që përfaqësojnë. Ne jemi një organizim i pavarur institucional dhe do të vazhdojmë të përfaqësojmë zërin tonë në çdo forum kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për këtë arsye, sqaroj qartë se nuk jam pjesë dhe nuk përfaqësoj Shoqatën Kombëtare të Bashkive, ndërsa në çdo aktivitet publik përfaqësoj vetëm detyrën time si Kryetar i Bashkisë Kavajë dhe si President i Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë.



