Pyetje : Është vërtetë kaq i keq kolesteroli ?
Ideja se kolesteroli është i dëmshëm përbën një mit, që për fat të keq vazhdon të qëndrojë në këmbë. Shpesh harrohet fakti që kolesteroli është i domosdoshëm për një shëndet të mirë. Ai është përbërës i trurit dhe është i domosdoshëm për prodhimin nga organizmi i hormoneve seksuale si estrogeni, progesteroni, dhe testosteroni. Për më tepër, eleminimi i ushqimeve të pasura me kolesterol, si veza, etj, shumë pak ndikon në reduktimin e nivelit të kolesterolit në organizëm, mbasi, pjesa më e madhe e tij prodhohet në mëlçi. Në fakt problem nuk është kolesteroli si kolesterol, por kolesteroli i dëmtuar ose i oksiduar, mbasi ky mund të depozitohet në arterie.
Dy gjëra janë të rëndësishme. Së pari, duhet shmangur kolesteroli i oksiduar që zakonisht gjëndet në ushqimet e fërguara. Një vezë e zier është ushqim i shkëlqyer, ndërsa e fërguar jo. Së dyti, pëdorimi i antioksidantëve si vitamina A, C dhe E, është i rëndësishëm, mbasi mbron nga dëmtimi kolesterolin e organizmit.
Pyetje : Ndikon kolesteroli i ushqimeve në rritjen e nivelit të kolesterolit në gjak ?
Ndryshe nga sa shumë njerëz mendojnë, nuk është kolesteroli në përbërje të ushqimeve ai që rrit nivelin e kolesterolit në gjak. Rolin kryesor e luajnë të gjitha yndyrat që merren nëpërmjet dietës, por më shumë yndyrnat e ngopura(saturuara) dhe trigliceridet në ushqime.
Pra, faktorët dietetikë që ndikojnë më tepër në rritjen e kolesterolit janë : yndyrnat totale, yndyrnat e saturuara dhe kaloritë e tepërta. Ndërsa faktorët që e ulin atë janë : yndyrnat e monoinsaturuara, vaji i ullirit dhe yndyrnat e poliinsaturuara, vajrat e bimore dhe vaji i peshkut.
Por fare pa ndikim nuk është dhe kolesteroli në dietë, duke rritur lehtë LDL-kolesterolin, në varësi të sasisë që konsumohet dhe aftësisë kompensuese që ka organizmit, duke prodhuar vetë më pak.
Marrja e kolesterolit me ushqime është 500-800 mg në ditë, ndërsa organizmi sintetizon 2-3 herë më shumë.
Shkaqe të tjera që ndikojnë mbi nivelin e kolesterolit në gjak janë trashegimia, stresi emocional dhe aktiviteti fizik.
Pyetje : A duhet shmangur veza mbasi është e pasur me kolesterol ?
Është krejtësisht një mit mendimi i përhapur se veza rrit nivelin e kolesterolit në gjak. Është e vërtetë që veza përmban kolesterol, por është gjithashtu e vërtetë që ajo përbën një burim të shkëlqyer të proteinave, vitaminave, mineraleve, dhe çfarë është më interesantja, yndyrnave të pangopura, sidomos vezët e prodhuara nga pula që ushqehen në mënyrë natyrale. Nga 5 gram yndyrë në një vezë, gjysma është e monoinsaturuarar ( si vaji i ulirit) që siç dihet ndihmon në uljen e riskut për sëmundje të zemrës. E verdha e vezës është gjithashtu burimi më i pasur i koloniës që ndihmon organizmin për të përdorur më mirë të yndyrnat, përfshi dhe kolesterolin.
Problem është nëse veza fërgohet dhe shkatrrohen nutrientët e dobishëm, si dhe dëmtohen yndyrnat e mira që ajo përmban.
Gjithashtu, cilësia e vezës varet nga ushqimi i pulës. Është më e mirë nëse pula ushqehet naturalisht ose me drithra,se sa me koncentrate që s’merret vesh ç’janë. Madje, në ditët e sotme ka dhe vezë të pasura me yndyrna omega – 3, të cilat janë të dobishme për njerëzit me kolesterol të lartë.
Këshillohet që njerëzit me kolesterol të lartë të mos përdorni më shumë se shtatë vezë në javë, dhe të mos i fërgojnë ato.



