Deshët demokracinë?! Ju dhashë Diellën!
Akti i paprecedentë i paraqitjes së programit dhe ekipit qeverisës për vetëm 25 minuta dhe zëvendësimi i debatit parlamentar me lodrën e inteligjencës artificiale të Ramës, përveçse shkallmon parlamentarizmin dhe bazat e demokracisë, tregon për mentalitetin thellësisht autokratik dhe totalitar të Edi Ramës.
Në vend të llogaridhënies, procedurës demokratike, përballjes me të vërtetat e deputetëve të opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, ai zgjedh provokimin dhe shpërfilljen ndaj çdo norme themelore të Republikës.
Vizioni i tij i sëmurë i shtetit personal nuk toleron asnjë zë kundër dhe nuk i jep hapësirë as fizike kundërshtarëve politikë të afirmojnë qëndrimet apo identitetin e tyre politik.
Mirëpo demokracia nuk mund të zëvendësohet me Diellën, fjala e lirë nuk është aplikacion patronazhistësh, por vullnet i pashantazhueshëm.
Deputetët nuk janë profile rrjetesh sociale që mund të bllokohen sipas humorit të ditës.
Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e qartë mbi karakterin thellësisht diktatorial dhe praktikat e çmendura të Edi Ramës.
E ndryshmja është që nga sot, janë të qartë të gjithë shqiptarët.