Incidenti sot në Rinas me Hasimen nuk është as rastësor, as i pafajshëm. Aktivisti i njohur është ndaluar në një moment të kalojë kufirin dhe është dashur që shefi i komisariatit t’i shpjegohet, për shkak të një regjistri kriminal të dhënash që është krijuar nga Edi Rama si armë kundër protestuesve.
Ermal Hasimja është vazhdimisht në shesh me studentët dhe të rinjtë. Dhe një mbrojtës publik i tyre. Teksa kalonte në Rinas ai denoncon se është veçuar nga të tjerët dhe i është krijuar pengesë. Ky procedim, nuk bazohet në asnjë nga pikat e parashikuara në ligj, kur një person ndalohet të kalojë kufirin. Kemi të bëjmë pra me një ndërhyrje të pabazuar në kod, apo normë. Por të bazuar në porositë e Edi Ramës për represion dhe hakmarrje ndaj atyre që janë ngritur kundër aferave korruptive dhe kriminale dhe që kërkojnë largimin e tij.
Burime të besueshme tregojnë se ky regjistër është krijuar me fotografimin e njerëzve në bulevard dhe kalimin automatikisht të personave në librin e të padëshiruarve të regjimit. Kjo besohet se ka ndodhur edhe me zotin Hasimja.
Kur shefi i komisariatit ka parë se kishin të bëjnë me një person publik, e ka kuptuar se do të gjendej para një skandali dhe është munduar të justifikohet.
Po me të rinjtë, studentët, qytetarët që nuk janë persona publikë, që nuk dalin në ekran, çfarë ndodh?! Ata as nuk lejohen, dhe me siguri as nuk u përgjigjet njeri. Ky është një krim, një shkelje e të drejtave themelore kushtetuese. Nëse do të kishim Prokurori, ky rast duhet hetuar e duhet zbardhur deri në fund për të zbuluar regjistrin e zi të Edi Ramës dhe përpiluesit e tij. Dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit.
Banditët në policinë e Edi Ramës ende nuk e kanë marrë leksionin e Hungarisë dhe Serbisë. Por ata në të njëjtën mënyrë do të japin llogari, siç po shkojnë njëri pas tjetrit në burg veglat e dhunës dhe represionit të autokratëve të Beogradit dhe Budapestit.

