Faktet dhe dëshmitë e publikuara sonte e nxjerrin qeverinë e Kryeministrit Edi Rama të përfshirë në trafik ndërkombëtar të armëve.
Në një intervistë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, dhënë për Çim Peka Live, në Syri Tv, publiku mësoi se si miku i Edi Ramës, izraeliti Ron Yeffet në një komunikim me partnerët e tij ukrainas për biznesin e armëve, tregon se ka në dorë qeverinë dhe çdo gjë në Shqipëri.
Nga biseda kuptohet se Ermal Nufi ishte në dispozicion për letrat, për marrëveshjet, kur ishte në detyrën e zv-Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Dhe pikërisht ky angazhim i Nufit në shërbim të këtij biznesi, e promovoi atë dhe e bëri Ministër të Mbrojtjes!
Audiopërgjimi flet për armë që do prodhohen në Afrikë, por do paketohen në Shqipëri, e më pas të shiten në Ukrainë. Dhe ky është trafik ndërkombëtar armësh. Një krim i rëndë, me dijeninë dhe pushtetin e Edi Ramës.
E gjitha përmes kompanisë shtetërore KAYO, të cilën në fakt e kontrollon Ron Yeffet, dhe shteti ka vetëm 20 përqind të aksioneve.
Është vetë miku i Ramës, Yeffet që pranon në këtë komunikim, se ai është pajtuar pra, është punësuar nga Edi Rama pikërisht për të bërë punët e pisëta. Pra për punë si kjo e trafikut të armëve.
Pas kësaj dëshmie, pas këtyre provave, pas këtij skandali të këtyre përmasave, 3 gjëra duhet të ndodhin menjëherë.
1. Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë duhet të shkruajë sonte dorëheqjen.
2. Kryeministri Edi Rama, duhet të shkruajë dorëheqjen fill pas ministrit të tij kamikaz.
3. SPAK duhet të nisë urgjentisht hetimet e thelluara!
Nëse këto nuk ndodhin, Shqipëria nuk është më një Republikë, nuk ka ligje e Kushtetutë, por është një sulltanat privat i Edi Ramës dhe miqve të tij me të cilët po ndan e plaçkit pasuritë e vendit.

