Nga Ilda Zhulali
Kam kërkuar sot mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak Tiranë, për të diskutuar mbi kaosin institucional në krye të Bashkisë Tiranë, dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban.
Bashkia e Tiranës nuk ka më një drejtues në detyrë. Ka një hije pushteti që flet nga hekurat, dhe një godinë që hesht.
E kemi parë tashmë këtë skenar disa muaj më parë kur nga e njëjta qeli u shkarkua Ristani dhe u emërua Goxhaj. Nuk pati kurrë një sqarim zyrtar se çfarë ndodhi me ato dy shkresa të firmosura e të protokolluara. Tani po përsëritet i njëjti skenar, sikur të ishte normale që kryeqyteti i vendit të mbetet peng i dikujt që kërkon me çdo kusht të blejë daljen nga qelia.
Prandaj pyes se kush ka sot përgjegjësinë ligjore të firmosë në emër të Bashkisë, dhe të menaxhojë një superbuxhet që mblidhet nga taksat tona. Sepse nëse këtë nuk e di as Këshilli Bashkiak, atëherë nuk e di askush.
Aq më keq, tashmë që operatorët e transportit publik kanë paralajmëruar se do të ulin numrin e autobusëve në qarkullim duke nisur nga nesër! Kërkova të di kush po flet sot me ta në emër të bashkisë, dhe çfarë po bëhet për të shmangur këtë krizë përpara se ta ndiejnë mijëra njerëz në lëkurën e tyre nesër në mëngjes në stacion.
Kam kërkuar një seancë urgjente të Këshillit Bashkiak, dhe përgjigje e dokumentacion zyrtar. Sepse Tirana s’mund të drejtohet me shkresa të trafikuara nga burgu, ndërkohë që qyteti lëngon. Qytetarët duhet ta dinë kush i drejton, dhe duhet ta mësojnë tani!



