Adam Smith dhe Karl Marks, dy nga figurat më të rëndësishme historike në disiplinën e ekonomisë, pavarësisht dallimeve të tyre ideologjike, e trajtuan ekonominë si një subjekt të natyrshëm politik. Ata as nuk e quanin “ekonomiks”; ata e quanin ekonomi politike. Për Smithin, studimi i krijimit të pasurisë ishte i pandashëm nga pyetjet rreth shtetit, klasës shoqërore dhe filozofisë morale.
Për Marksin, ekonomia ishte një sistem marrëdhëniesh pushteti, jo thjesht një grup mekanizmash shkëmbimi në treg.
Ndryshimi, si teorik, ashtu edhe metodologjik, filloi në vitet mëvonshme, rreth vitit 1870, kur një grup ekonomistësh (William Stanley Jevons, Carl Menger dhe Léon Walras) nisën atë që u bë i njohur si revolucioni marxhinalist. Ata e zhvendosën fokusin e disiplinës ekonomike nga prodhimi, klasa dhe pushteti drejt preferencave subjektive individuale dhe optimizimit matematikor. Vlera nuk përcaktohej më nga puna ose marrëdhëniet shoqërore; ajo përcaktohej nga dobia shtesë ose nga sa kënaqësi i ofronte njësia e fundit e një të mire një konsumatori individual.
Ekonomistët filluan ta trajtonin ekonominë si shkencë natyrore. Huazuan mjetet matematikore, por injoruan në mënyrë fatale faktin se ishte e pamundur për një shkencë që ka në qendër njeriun dhe veprimet e tij të replikonte rigorozitetin empirik të një shkence natyrore.
Më tej, Alfred Marshall, në veprën e tij me ndikim të jashtëzakonshëm, “Parimet e Ekonomisë”, hoqi nga titulli, qëllimisht, fjalën “politike”. Mesazhi ishte i qartë: ekonomia nuk ishte më një degë e kërkimit politik. Ishte një disiplinë teknike me ligjet e veta, metodat e veta dhe pretendimin e saj jashtëzakonisht të dyshimtë për objektivitet dhe universalitet.
Sot, disiplina ekonomike nuk e përfshin më variablin e pushtetit në analizën ekonomike; ajo vlerëson më tepër efikasitetin sesa drejtësinë sociale dhe, mbi të gjitha, shkenca ekonomike duket më e interesuar për rezultatet e modeleve matematikore sesa për mirëqenien njerëzore.
Gjatë punës në qeveri, takova shumë ekonomistë të huaj me PhD, të punësuar në organizatat ndërkombëtare.
Ata përdornin gjerësisht modele, me anë të të cilave, duke u bazuar në një sërë supozimesh, përcaktohej lehtësisht, për shembull, një normë tatimore “optimale”, por nuk mund të diskutonin forcat politike që përcaktojnë nëse kjo normë tatimore mund të zbatohet duke sjellë efektin e dëshiruar ose, më e rëndësishmja, nëse duhet të zbatohet apo jo.
Teksa lexon raportin e FMN-së, e cila i propozonte BSH-së të mos ndërhynte në tregjet e kursit të këmbimit, megjithëse dëmet që një forcim i lekut pa rritje të produktivitetit i shkakton prodhimit vendas janë të dukshme, kupton se sa i dëmshëm është depolitizimi i ekonomisë.
Depolitizimi i ekonomisë dhe paraqitja e vendimeve ekonomike thjesht si teknike e kanë zhveshur ekonominë nga natyra e saj thellësisht politike. Ndaj, sot, ekonomistët kuptojnë më shumë analizën statistikore dhe matematikore, por më pak ekonominë reale.
Ekonomia është në thelb politike; ajo kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë një shkencë natyrore. Ajo formësohet nga ideologjitë, morali njerëzor, interesat konkurruese, normat shoqërore dhe prioritetet politike. Të pretendosh të kundërtën nuk e bën ekonominë më rigoroze. E bën atë më të rrezikshme.

