Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë për lidhjen e popullsisë me sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura. Sipas të dhënave të Eurostatit, vetëm 12.6% e popullsisë është e lidhur me sisteme ku ujërat e ndotura i nënshtrohen trajtimit biologjik përpara se të shkarkohen në mjedis. Të dhënat tregojnë gjithashtu një përkeqësim të fortë ndër vite. Nga 33.6%, që ishte kjo përqindje në vitin 2018, ajo ra në 30.9% në vitin 2020, duke zbritur në 12.6% në vitin 2024.
Sipas Eurostatit, edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet më poshtë se të tjerët, ndërsa diferenca thellohet me vendet e Bashkimit Europian. Mesatarja e BE-së për popullsinë e lidhur me sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura është 80.7%, ose rreth gjashtë herë më shumë se niveli i Shqipërisë.
Në Greqinë fqinje turistike, treguesi është mbi 95%, ndërsa në Gjermani, Holandë, Austri dhe Danimarkë pothuajse e gjithë popullsia është e lidhur me sisteme që kryejnë të paktën trajtim dytësor. (Grafiku Monitor)
Këto të dhëna janë alarmante, pasi tregojnë mungesën e rrjeteve të padukshme të kanalizimeve, pa të cilat zgjerimi urban është i paqëndrueshëm, ndërsa zgjerimi i sektorit turistik është shkatërrues për mjedisin. Mungesa e kësaj infrastrukture përkthehet në “një masakër mjedisore”, pasi lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare mbeten të vetmet vendmbledhje të ujërave të ndotura të patrajtuara.
Socialistët që lexojnë të dhënat që publikon Kryeministri Edi Rama, ku Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore sipas raportit ndërkombëtar “Environmental Performance Index 2026” (EPI), shifrat e Eurostatit ndoshta nuk u bëjnë sens, e kush merret me to është vetëm një i mllefosur e dashakeq.
Por djalli fshihet në detaje.
Mjafton të hapësh të dhënat e detajuara të vetë indeksit EPI për të kuptuar se kjo renditje, për të cilën u mburr Kryeministri, vjen vetëm si rezultat i një avantazhi natyror (energjisë së gjelbër të prodhuar nga hidrocentralet), që tejkalon dështimet në çdo sektor tjetër.
Aty ku duhej të vlerësohej puna e qeverisë, siç është trajtimi i ujërave të ndotura, edhe në indeksin EPI Shqipëria zhytet në fundin e renditjes botërore.
Në komponentët që përfshihen në indeksin EPI, Shqipëria ka këto vende në renditje:
* Bujqësia: Vendi i 158-të në botë.
* Ujërat e ndotura: Vendi i 138-të në botë.
* Cilësia e ajrit: Mbytje nga mikrogrimcat, vendi i 88-të.
* Biodiversiteti dhe habitatet: Vendi i 139-të në botë.
* Qëndrueshmëria ekologjike bioklimatike: Vendi i 118-të.
* Zonat e mbrojtura: Vendi i 90-të.
* Indeksi i Listës së Kuqe për Speciet në Rrezik (Red List Index): Vendi i 103-të.
“E megjithatë deri në 2033 do të jemi në pushtet”, është përgjigjja e “Zeqineve socialiste”, që nuk kanë asnjë mendim mbi shifrat (argument jo e jo), duke ngatërruar nga padija pushtetin me zotësinë për të bërë gjënë e duhur me të.
Por, siç thotë një shprehje e mençur: “Kalin e pushtetit mund ta kalërojë gjatë edhe miza, por prapëseprapë mizë mbetet!”


