Historia ka treguar se mosnjohja nga ligjvënësit apo aktorët vendimmarrës të realitetit historik, gjeografik, kulturor dhe qytetar të një zone, shpesh herë ka krijuar keqkuptime të cilat kanë prodhuar vendime me pasoja shumë të rënda dhe të pakthyeshme për komunitetin.
Prandaj në çdo reformë thelbësore, zëri i komunitetit, ekspertëve lokalë dhe qytetarëve të angazhuar merr rëndësi.
Nisur sa më lart, do të trajtojmë tre keqkuptime/mosnjohje kryesore që i kemi konstatuar gjatë takimeve me deputetë, median apo opinionin vendimmarrës në Tiranë që kanë të bëjnë me:
IDENTITETIN E HASIT
POPULLSINË-DEMOGRAFINË AKTUALE
KAPACITETET NJËRËZORE
IDENTITETI I HASIT
Për një pjesë të opinionit, Hasi është pak i njohur, disa e perceptojnë si ai shpati i malit përballë Kukësit me disa fshatra, pa ndonjë identitet të qëndrueshëm, pa traditë vetëqeverisëse, pa qendrën e vet urbane, etj.
Keqkuptimi vjen nga mosnjohja, mungesa e kontaktit direkt prej 20 viteve të qendrës apo ministrave me zonën, mungesa e zërit hasjan në Parlament etj. Por vjen gjithashtu dhe nga heshtja e zgjatur e komunitetit, intelektualëve dhe institucioneve në Has, duke mos shpalosur në vijimësi vlerat dhe kontributet e shquara të trevës.
Por si qëndron e vërteta, a ka identitet kjo zonë dhe nëse po, kur është formësuar identiteti i trevës së Hasit?
Kur u bë rajon në vitin 1991, rreth më vete më 1992 pasi u shkëput nga rrethi i Kukësit, apo para 100 vitesh kur ishte qendër e Prefekturës së Kosovës?
Fati i Hasit ngjan si dy pika uji me fatin e Shqipërisë.
Në vitin 1878 kryesisht, por dhe më 1912, ne, shqiptarët perceptoheshim ndryshe në kancelaritë europiane, ku shpesh herë hidhnin dyshime nëse jemi komb i veçantë dhe për rrjedhojë nëse e meritojmë mëvetësinë apo jo. Atëherë rilindasit tanë vunë përballë opinionit ndërkombëtar dokumente dhe fakte nga figura e ndritur e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeut.
Në rastin tonë, përgjigjen se kur është krijuar identiteti hasjan, na e jep një tjetër yll i madh i kulturës shqiptare, imzot. Pjetër Bogdani.
Rreth 4 shekuj më parë në veprën e tij, Çeta e Profetëve, ai i vesh Sibilat, profeteshat, me kostumet kombëtare.
Akoma mbetet mister pse i shqiptarizoi Sibilat Bogdani duke i veshur me elemente kombëtare dhe cituar dhe trevat prej nga vinin, si Shkupjanja, Shkodranja, Zadrimorja, Prizrenjanja, etj.
Në këtë vepër madhore, në mes të pikturës, paraqitjes grafike, ai vuri profeteshën më të rëndësishme, Sibilën Delfika.
A e dini si e emërtoj këtë Sibilë Bogdani? Hasjanja.
HASJANJA
Pra rreth 4 shekuj më parë ne kemi fakt të shkruar se identiteti i trevës, emri Has dhe hasjanë ishte formësuar dhe kishte vendin e vet me dinjitet mes trevave kryesore shqiptare.
Kemi dhe shumë shembuj të tjerë, por nuk po zgjatemi më tej.
POPULLSIA-DEMOGRAFIA AKTUALE
Perceptimi tjetër është se treva e Hasit aktualisht është e braktisur, pa shumë banorë, dhe për rrjedhojë duhet riparë statusi aktual.
Por si qëndron e vërteta, si qëndron popullsia e Hasit në raport me bashkitë e tjera të ngjashme, sa është dendësia?
Për të analizuar këtë fenomen kemi marrë në analizë censusin/ regjistrimin e popullsisë të vitit 2023.
Sipas censusit, bashkia e Hasit ka 11.684 banorë prezent.
Megjithëse në sy të lirë duket popullsi e vogël, bashkia ka 30 fshatra dhe 1 qytet, Krumën. Ndërsa Tropoja fqinje ka vërtet 2500 banorë më shumë, por ka 8 njësi administrative dhe rreth 74 fshatra, dhe përsëri ka 16 banorë më pak për km².
Kemi bërë krahasim dhe me bashki të tjera që kanë specifika të ngjashme, shohim që Hasi del me dendësi më të lartë edhe se Gramshi qe ka 5 mijë banorë më shumë, Skrapari, Mirdita apo Malësia e Madhe etj. Pra toka nuk është e shkretë por akoma ka një popullsi vitale prezente që duhet mbështetur.
Për ta thelluar më tej këtë argument kemi marrë për analizë të dhënat e censusit 2023 për grupmoshën 0-14 vjeç dhe e kemi krahasuar me bashkitë e tjera në veri dhe jug të Shqipërisë.
E morëm këtë grupmoshë pasi është e dhëna më reale pasi janë të regjistruar në kopshte, shkolla 9-vjeçare dhe vitin e parë gjimnaz. Gjithashtu kjo grupmoshë është edhe e ardhmja e projeksionit për vitet që do vijnë.
Hasi, grupmoshën 0-14 vjeç, e ka 2641 persona.
Siç do të shikojmë nga tabela, Hasi megjithëse ka 2500 banorë me pak se Tropoja, grupmoshën 0-14 e ka më të lartë.
Edhe pse Gramshi dhe Peqini kanë afro 5000 banorë më shumë se Hasi përsëri dhe ato kanë më pak fëmijë se bashkia Has.
Kjo e dhënë tregon se Hasi edhe pse në censusin 2023 ka popullsinë totale 11684 banorë, në territor popullsinë 0-14 e ka më të lartë se shumë bashki të tjera, pra ka akoma një popullsi prezente, të re shpresëdhënëse për të ardhmen, vitale dhe që duhet mbështetur.
Nga 61 Bashkitë për grupmoshën 0-14 vjeç, Hasi renditet i 33-ti.
Kapacitetet Njerëzore
Perceptimi tjetër është që komuniteti që banon aktualisht në Has nuk ka kapacitete njerëzore, ato që ishin, kanë ikur etj.
Kemi marrë të dhënat nga censusi 2023 ku kemi parë se sa është nr i personave që kanë mbaruar arsimin e lartë Master dhe Doktoraturë në Has dhe si është ky raport me bashkitë e tjera në qark duke e shprehur në %.
Shohim se edhe këtu Hasi prin në qark për nga numri i të arsimuarve për nr. banorësh. E shprehur në përqindje, numri i tyre në Has është 6% krahasuar me 5.9% në Kukës dhe 5% në Tropojë.
Kapacitetet njerëzore të Hasit, brenda por dhe jashtë vendit, përbëjnë një potencial të madh që duhet të aktivizohet më shumë në funksion të zhvillimit lokal.
Reforma administrative-territoriale përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në organizimin e shtetit shqiptar në nivel vendor. Qëllimi i saj është krijimi i njësive vendore më funksionale, më të qëndrueshme financiarisht dhe më të afta për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët. Megjithatë, çdo reformë e tillë duhet të vlerësohet me kujdes, duke marrë në konsideratë jo vetëm kriteret teknike dhe administrative (të cilat Hasi i përmbush), por dhe realitetin historik, gjeografik, social dhe kulturor të territorit ku ajo zbatohet.
Jam shumë i bindur se përmes dialogut institucional, analizës profesionale dhe bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, diasporës dhe shoqërisë civile, mund të ndërtohen politika më të drejta dhe më të qëndrueshme për zhvillimin e territorit. Forcimi i bashkisë Has duhet parë si pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e veriut të Shqipërisë, e cila kërkon më shumë investime publike, politika të posaçme për zonat malore dhe një mbështetje më të madhe për pushtetin vendor.
Reforma Territoriale/ Man Poga: Perceptime dhe keqkuptime për zonën e Hasit
Leave a comment
Leave a comment

