Çfarë është kjo “sëmundje” kur shpërthimet emocionale dalin jashtë kontrollit?
Simptomat janë të njëjta: një “lajm” shfaqet në ekranin e vogël dhe, brenda pak orësh, të gjithë ndihen ekspertë, avokatë, viktima apo bamirës.
Kori i reagimeve sa vjen e shtohet. Si me një komandë të padukshme, tronditemi, reagojmë, vajtojmë, kujtojmë, komentojmë, bërtasim, kërkojmë llogari, japim zgjidhje, klikojmë pa ndalur.
Por, si ndodh që ky cunam emocional nuk mbetet te një grup i izoluar, por përhapet në rrjet më shpejt se një virus?
Fuqia e dalldisë digjitale arrin përmasa të pabesueshme. Tërmeti nuk është asgjë. Hashtaget lulëzojnë, meme-t harlisen, emocionet zëvendësojnë faktet dhe nostalgjia mbulon realitetin.
Diagnoza: Në pamundësi për t’u përballur dhe për t’i dhënë zgjidhje sfidave dhe problemeve reale, energjitë dhe emocionet tona kanalizohen në spektaklin e rradhës.
Por çfarë ndodh nëse, tentojmë një herë të vetme, të zgjedhim heshtjen? A mund të jetë heshtja ilaçi për histerinë kolektive?
Apo heshtja do të vijë kur të shterrin klikimet…?

