Kënga “Akoma” e kënduar nga Rozana Radi dhe këngëtari grek Sany Dimitri u shpall fituese në natën finale të festivalit “Kënga Magjike 2024”, që u mbajt mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve.
Artistët konkurues, juria dhe publiku ishin në rezonancë të plotë, që kënga “Akoma” meritonte vendin e parë në këtë edicion të “Këngës Magjike”.
Dy këngëtarët, Rozana Radi dhe Sany Dimitri grumbulluan në total 1452 pikë.
Këtë kupë, Rozana u shpreh se ia dedikonte xhaxhait të saj të ndjerë, Françesk Radit.
Rozana Radi: Kjo është kupa juaj, e publikut të mrekullueshëm shqiptar, e muzikës që bashkon popuj, që nuk njeh kufij, që nuk njeh asgjë. Unë Ardit po kaloj një periudhë jo të mirë në jetën time me thënë të drejtën, por jam mësuar të fluturoj lart dhe të mos shikoj gjëra që më pengojnë, gjëra që më shqetësojnë, gjëra që më bëjnë të qaj kështu që do t’u thoja të gjithë vajzave dhe djemve të rinj, fluturoni sa më lart. Këtë kupë dua t’ia dedikoj një njeriu që dha shpirtin për muzikën, i cili sot duhet të ishte këtu me mua, ai nuk është më këtu. Françesk Radi, kjo është për ty, faleminderit për muzikën!
Këngëtari grek, Sany Dimitri: Faleminderit shumë! Së pari, falenderoj të gjithë artistët që morën pjesë në këtë festival. Është një nder të jem këtu dhe një kënaqësi e nder i madh. Nuk di ç’të them tjetër.
Në vendin e dytë doli Eneda Tarifa me këngën “Më fort”, ndërsa çmimi i tretë shkoi për Ronela Hajatin me këngën “Labirinth”.
Votat e publikut rezultuan vendimtare për vendin e tretë, pasi vetëm me votat e jurisë dhe të artistëve në atë pozicion renditej Arilena Ara dhe Pirro Çako.
Ndërkohë çmimi “Best New Artist” u fitua nga Lore, si këngëtarja më e mirë e re. “Për ne yjet ndizen lart” ishte kënga me të cilën Lore performoi në Kënga Magjike 2024.
Theksojmë se në natën finalen nuk interpretuan Arilena Ara dhe Pirro Çako, ku konkurronin me duetin “Zero Gradë”.
Sikurse deklaroi Drejtuesi i Festivalit, Ardit Gjebrea, ata munguan për shkak se Pirro Çako nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

