Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, ka kritikuar ashpër koalicionin pro-serb Frontin Demokratik (FD). Në një prononcim për media, pas deklaratave të FD-së se nuk e njohin Kosovën si shtet sovran, ai ka deklaruar se me hyrjen në Qeveri, Fronti Demokratik de facto e ka njohur Kosovën, pasi vendimi i Malit të Zi për statusin e Kosovës është i pakthyeshëm.
Sipas tij, deklaratat e Frontit Demokratik nuk kanë kurrfarë domethënie, as de jure as de facto. Arsyetimet ndaj votuesve të tyre janë pjesë e folklorit të FD-së, ndërsa vendimi i shtetit të Malit të Zi për statusin e Kosovës është i pakthyeshëm.
Ai shtoi se, në qoftë se Fronti Demokratik nuk e njeh Kosovën, mund të largohen nga Qeveria, pasi Qeveria dhe shteti i Malit të Zi e njohin Kosovën si të pavarur.
“Nuk ka absolutisht kurrfarë rëndësie se çfarë mbështet apo jo FD-ja, pasi mbi këto çështje ata nuk kanë asnjë ndikim,” përfundoi zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj.

