Në muajin Gusht, u shfaqën përpara secilit prej nesh “Dy Shqipëritë tona”, dy realitete që nuk mbijetojnë dot qetësisht me njëra-tjetrën: motra e Eglit dhe zonja me tortë!
Tragjedia e Egli Proges në Pogradec, i cili humbi jetën nga dhuna barbare e disa gangsterëve me pushtet e me lidhje në Polici e Prokurori, do të kishte qenë edhe më e madhe pa kurajon e motrës së tij. Motra e viktimës, Jonida, ka ngritur zërin, ka protestuar dhe ka zbuluar para nesh realitetin e trishtë, ku njeriu edhe në vijen e fundit të jetës e ka shtetin kundër. Të fortet, agresorët vijojnë të favorizohen, dhe i dobti, viktima të harrohet e nëpërkembet.
Kudo ku fati e çon shqiptarin në skaj, në diten më të veshtirë, del se ai është vetem. Në shëndetësi ashtu, në bujqësi, në arsim, tek ndihma sociale. Por, Jonida ia doli të kthejë skemën përmbys, e nuk lejoi që Egli të humbte përveç jetës edhe dinjitetin, e të vertetën. Protesta e saj gjeti mbështetjen e shumicës dërrmuese, sepse shumica e qytetarëve jetojnë në Shqiperinë që Jonida na solli para syve. Madje, me kurajo na ftoi e na fton të mos e pranojmë atë, të reagojmë ndaj padrejtësisë, të reveltohemi ndaj të keqes.
Pikerisht në ato ditë të asaj zymtësie, një tjeter Shqiperi na u ofrua. Ajo e ngjyrave, ku çdo gjë është në rregull. Zevendeskryeministrja Belinda Balluku na tha se kaq mirë shkojnë gjërat sa në Fier prodhohet një tortë me emrin e saj. Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një arrogancë e delirim që vjen nga një qendrim i tejzgjatur në pushtet, që i ben shefat e mëdhenj të kërkojnë adhurim kudo, e të kenë shtrembërime të mëdha të realitetit.
Këto dy Shqipëri janë shumë larg njëra tjetrës, e s’mund të rrinë bashkë. Shqipëria e Jonidës është për fat të keq streha e pjesës më të madhe të njerezve. Ajo e tortës Belinda, e një grushti të vogel njerëzish që kanë krijuar realitetin e parajsës në tokë.
Është në dorë të çdo shqiptari të ndershëm që të zgjedh se kë do të mbajë: Shqipërinë e realitetit që na solli Jonida dhe që kërkon reagim e ndryshim, apo Shqipërinë e “tortës Belinda”, ku luksi dhe arroganca na shfaqen si normalitet!


