Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ishte në fshatin Vajzë të Vlorës i ftuar në festivalin historik, kulturor dhe artistik “Vajzë Festë 2024”.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti i Republikës u prit nga banorët e zonës dhe personalitetet pjesëmarrës në aktivitetin që zhvillohet prej dy vitesh, por që ka marrë përmasa kombëtare.
Presidenti Begaj nderoi atdhetarin Ali Asllani, birin e Vajzës, një personalitet i njohur shqiptar në politikë dhe letërsi, duke vendosur lule në bustin e tij të ngritur nga vetë banorët e fshatit.
Presidenti i Republikës vendosi buqeta lulesh edhe në lapidarin kushtuar dëshmorëve të Luftës së Vlorës dhe të Luftës së Dytë Botërore si edhe në bustin e Heroit të Populliit Perlat Rexhepi.
Kreu i Shtetit zhvilloi vizita në Vatrën e Re të Kulturës, në një sipërmarrje agroturizmi, si dhe në Parkun Arkeologjik të Amantias.
Ndërkohë, gjatë fjalës përshëndetëse në “Vajzë Fest” Presidenti i Republikës foli për rëndësinë e nismave të tilla që nxisin zhvillimin e mëtejshëm të fshatrave shqiptare, ruatjen e traditave dhe afrimin e vizitorëve të huaj për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë historike dhe kulturore.




