Nga Irena Beqiraj
“Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë . Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve
Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq” – shkruan Kryeministri mbi foton e një sportisti “të importuar” , emri I të cilit askujt nuk I thotë gjë megjithëse ka fituar një medalje nën flamurin shqiptar .
A të gëzohem si “shumica dërrmuese e shqiptarëve” e matur nga barometri Kryeministror apo ti njoh vetes meritën e hudhrës? Çfarë dileme ? Pa frikë do ta krahasoja me atë të Migjenit , “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?
Tre treguesit më të fortë të zhvillimit të sportit në çdo vend janë shkalla e investimeve në sport , shkalla e pjesëmarrjes së popullsisë në sport dhe niveli i njohurive që ekziston mbi shkencat sportive. Ekonomitë e zhvilluara bëjnë investime të rëndësishme në objekte sportive dhe tek programet mbështetëse të shkencës sportive, të cilat janë thelbësore për qëndrueshmërinë e sportit. Investimi në sport është stimuli i parë efektiv për zhvillimin e sasisë dhe cilësisë së aktiviteteve sportive, veçanërisht në nivel ndërkombëtar. Studimet tregojnë se kombet më të pasura fitojnë më shumë medalje sepse atletët e tyre priren të jenë më të shëndetshëm, të kenë më shumë kohë të lirë dhe të kenë ambiente më të mira stërvitore.
Mesatarja europiane e shpenzimeve qeveritare në sport është rreth 0.8% e PBB-së, ndërkohë që në Shqipëri ajo është gati e pamatshme.
E pra për të prodhuar sport e sportistë olimpik sikurse për të prodhuar cdo gjë tjetër duhen investime kapitale . Në rastin e sportit duhen pista olimpike , pishina olimpike, edhe ambiente moderne stërvitore, të cilat nuk I kemi e pa të cilat nuk mund të flitet për sportistë olimpik. Duhet kapital njerëzor të cilët jo vetëm kanë talentin, dëshirën, por edhe mundësinë për tu marrë me sport, si dhe nevojiten njohuri të mira edhe të përditësuara në shkencat sportive .
Per mungesën thuajse totale të tre elementeve të mësipërm ne nuk kemi asnjë mundësi të prodhojmë sport të nivelit olimpik , ne edhe në sport si kudo tjetër kemi mbetur thjesht konsumatorë . Sikurse në përditshmërinë tonë konsumojmë qumesht, miell, mish , djathë , verë, rroba ,makina te importuara ku certifikata e origjinës së produktit nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë , edhe produkti sportiv të cilit Kryeministri na fton t’i gezohëmi nuk e ka asnjë përqind origjinën në Shqipëri, ose thënë ndryshe Shqipëria nuk ka investuar asgjë në atë fitore .
“Medaljet e parë , e dytë olimpike në historinë tonë të deritanishme “janë rezultat i globalizimit edhe aspak i kujdesit , interesit apo investimit tonë karshi sportit .
Edhe së fundmi kujt i shërbejnë medaljet e marra nëpër Olimpiada duke përdorur sportistë të importuar, kur sporti nuk shihet si mjet jetik në formësimin e individëve dhe shoqërisë? Vlera e brendshme e sportit kur zhvillohet brenda vendit qëndron tek promovimi i shëndetit fizik , mirëqenies mendore, nxitjes e zhvillimit të karaktereve individuale, kohezionit social dhe rritjes ekonomike.
“I fort’ e qerrata duel” do të thoshte Migjeni për ftesën që bën Kryeministri . Sokrati i vujtum ose ” me meritat e një hudhre ” kursesi nuk më pëlqen, – por më mirë hudhër sesa derr i kënaqun me gënjeshtra !


