“Krim ndaj një populli nuk është vetëm të vrasësh njerëz të pafajshëm, por edhe t’ia shkatërrosh një populli: kulturën, artin, librat dhe çdo gjë që ka të bëjë me botën shpirtërore dhe materiale”
“Ato ishin kapërdirë nga flakët e Luftës si çdo gjë tjetër në fshatin tonë. Pakgjë kishte shpëtuar. Vetëm tri shtëpi kishin mbetur në këmbë. Aty gjatë Luftës ishin të stacionuara forcat serbe. Lufta s’kishte pyetur për njerëzit, lëre më për librat. Ajo i kishte përlarë para vetes të gjithë. S’kishte pasur mëshirë as për Libra të Shenjtë, as për shkrimtarët antikë apo humanistë të Mesjetës; as për iluministët e surrealistët; as për shkrimtarët klasikë apo realist kritikë; as për Teoritë e Letërsisë, Historitë e Estetikat; as për Rilindasit tanë; as për realistët, soc-realistët, modernistët, post-modernistët, oborrtarët, nobelistët, kandidat-nobelistët, hermetikët, bukolikët…ama bash për asnjë s’kishte pasë mëshirë. M’i kishte bërë shkrumb e hi edhe dhuratat e shkollës fillore, duke fillluar nga klasa e dytë: “Lulen dhe Shegën”, “Buzëqeshjet”…Ma kishte bërë shkrumb e hi edhe “Zërin e Rinisë” që e kisha mbledh me zell për dhjetë vjet, “fjalën”, “Rilindjen” e së shtunës, “botën e re”…
Por kishte edhe më keq. Dikush kishte humbur të dy prindërit, as sot e kësaj dite nuk dihej nga ishin tretur, ku ishin vrarë dhe varrosur trupat e tyre. Disa të tjerë kishin humbur bijtë e tyre, nuset e reja me fëmijë të vegjël kishin humbur burrat e tyre, dikush vëllaun, një tjetër nga kufoma e nënës së tij kishte gjetur vetëm një copë kafke me pak flokë, dhe ndonjë pjesë gjymtyre dhe i kishte varrosur ato.”
fragment proze-shkurt, 2013

