Më poshtë janë mesazhet e një prej banorëve që jeton në pallatin ku ndodhet dyqani “Jumbo” në hyrje të Shkodrës, pranë godinës së Prokurorisë së Rrethit.
Ditën e mërkurës, në kohë dreke, policia bashkiake ka vendosur masa administrative, gjobë për të gjitha makinat e parkuara në aksin e rrugës përballë Prokurorisë (aks ky me një sens drejtimi).
Para rreth një viti banorëve rezidentë I ishte kërkuar që të mos parkonin më automjetet në pjesën e përparme, pra nga rruga kryesore dhe të gjithë rezidentët që kanë hyrjet nga rruga kryesore kanë zhvendosur parkimin e automjeteve në pjesën e pasme të pallateve, nga godina e Prokurorisë. Por sërish tani, pas rreth një viti, u kërkohet që të mos parkojnë makinat as aty pasi do bëhet korsia e biçikletave si para ashtu edhe mbrapa pallateve.
Të irrituar nga vendosja e gjobave nga ana e policisë bashkiake pa asnjë paralajmërim ( 2 prej automjeteve janë marrë me karrotrec) banorët, kërkojnë shpjegim se ku do t’i parkojnë automjetet e tyre në ditët në vazhdim.
Janë mbi 6 pallate që preken direkt nga ky rregull I ri I Bashkisë Shkodër, e cila ndërton korsi biçikletash, por nuk jep zgjidhje për banorët të cilëve u preken direkt interesat, në këtë rast parkimi I automjeteve të tyre. Parkingu nëntokësor I “Jumbo-s” është zgjidhje për disa automjete, por duke pasur vëndet e limituara, nuk arrin të përmbushë nevojat e sistemimit të të gjitha automjeteve.
“Ne s’na ka mbetë gja tjetër veçse me ia parku makinat para Bashkisë, kryetarit të bashkisë”-thotë banori që më kontaktoi. E quan të padrejtë (dhe ky është opinioni I të gjithë banorëve që preken nga ky shqetësim) vendosjen e gjobave në një kohë që nuk u ofrohet një zgjidhje. E pyeta se çfarë vlere kishin këto gjoba të vendosura, m’u përgjigj se për automjetet që ishin marrë me karrotrec vlera e gjobës ishte 20 mijë lekë (të rinj) sepse në këtë vlerë hyn edhe pagesa e karrotrecit, ndërsa gjobat për automjetet e tjera varionin nga 1000-5000 lek (të rinj).
Banorët janë në fazën e mbledhjes së firmave për peticionin që do dorëzohet në Bashkinë Shkodër, ndërkohë kërkojnë zgjidhje të kësaj problematike e cila në fakt është një problematikë shumë e ndjeshme në të gjithë territorin e qytetit.
Bashkia Shkodër duhet t’u japë një zgjidhje banorëve dhe jo të mbushë ‘xhepat’ e buxhetit të Bashkisë me gjoba të padrejta dhe të lërë në “rrugë pa krye” problematikën e këtyre banorëve. Kjo është një situatë emergjente për t’u zgjidhur sepse nuk mund t’i ngarkohen fatura pa fund atyre banorëve të cilët duke qënë rezidentë, kanë të drejtën të kenë edhe parkingun për automjetet e tyre.
Korsitë e biçikletave shumë mirë që po bëhen, ama jo pa një studim të mirëfilltë dhe jo duke I rënë ndesh qytetarëve. Shkodra vërtetë është qytet-simbol I biçikletave por kjo nuk do të thotë se duhet të ekzagjerohet deri në atë pikë sa të preket jeta normale e qytetarëve/banorëve.
Gjobat janë zgjidhje kur bëhen shkelje por janë rëndesë e madhe kur vendosen padrejtësisht. Si përfundim, ku do I parkojnë automjetet këta banorë, a i jep kush një përgjigje dhe një zgjidhje banorëve?
(Peticionin e kam sfumuar sepse akoma nuk ka përfunduar mbledhja e firmave dhe nuk doja të publikoja emrat pa lejen e firmëtarëve të deritanishëm. Publikimin e peticionit e bëra vetëm për transparencë meqë e kam cituar në status).






