Nostalgji
Herë-herë kam nostalgji
për pikturën e bërë prej nesh.
I ulërij dhimbjes natën
herë-herë.
Se ndonjëherë më mungon.
Herë-herë ndihem sikur
i përkas një ëndrre të padukshme,
që si një shpirt ngrihet e kërkon qiell.
Herë jam unë, herë ajo.
*****
E mbusha zemrën me trishtim
si një valixhe udhëtimi
që mbyllet me zor
dhe lotët i vura piketa
në rrugen që të çon në aeroport.
Pas lashë diellin dhe hënën,
pas mbetën mijëra zogj
palosur në zarfin e qiellit,
Adresa : trishtim i pashoq.
Tani shtegëtoj udhës drejt teje
shpërbërë veç ajër e frymë
Atje larg shoh shpresën si lule
që më laget e më mbin në sy.
*****
* * * * * * * * *
Më thuaj, ç’dreqin mund të jetë?
S’e kisha menduar kurrë se do të takoheshim bashkë një ditë.
Ti murg i vetmuar në pritje të të korrave, ku zogjtë e shumtë shenjtërojnë me dashuri!
Në tokat e akullta të shpirtit tënd,
unë jam nisur.
Po vij!
Një vullkan do vij të mbjell.
Mos m’u zhduk nëpër muzg.
Është Tetor,
tempull parajse
për të shuar zjarrin në shi…
* * * * *
Ti s’je më.
Mëngjeset janë më të akullta se nata.
Dhimbja ka mësuar të notojë brenda lotit.
Vargjet shkruhen në petalet e vyshkura të ikjes.
Zogjtë e harruan këngën.
Alfabetit i mbaruan gërmat.

