Lideri demokrat dhe ish presidenti, Sali Berisha i ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të ish presidentit të Italisë, Giorgio Napolitano. Berisha shkruan se, Ndonëse vinte nga e majta Italiane, Giorgio Napolitano ishte një europeist i vendosur, ai ishte një mik i çmuar dhe i vërtetë i Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Mesazhi i Berishës:
Homazhe për ish presidentin e Italisë, Giorgio Napolitano!
Të dashur miq, ish presidenti i Italisë Giorgio Napolitano mbylli sytë përgjithmonë.
Ai për dekada ishte një ndër figurat më dominuese dhe më të respektuara dhe me kontribute të rëndësishme në jetën politike të kombit dhe vendit të tij. Nga rinia e tij e hershme si luftëtar dhe gjithë jetën ai luftoi për një Itali të lirë dhe demokratike.
Ndonëse vinte nga e majta Italiane, Giorgio Napolitano ishte një europeist i vendosur.
Ai ishte një mik i çmuar dhe i vërtetë i Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Kam patur rastin që ta takojë disa herë në funksione të larta që mbante. Në këto takime spikasnin gjithnjë ndjenjat miqësore dhe respekti që kishte për shqiptarët. Por do të ruaj gjithnjë të pashlyer në memorie takimin tim me presidentin Napolitano në 2012, në të cilin diskutimi u zhvillua kryesisht për projektin e TAP, mbasi në atë kohë në vendin e tij dhe jo vetëm aty, për shkak të ndikimit të gazit rus, kishte lëkundje të mëdha për këtë projekt.
Shtetar vizionar, Presidenti Napolitano do mbështeste fuqishëm këtë projekt dhe vlerësoi lart rolin e Shqipërisë.
Me këtë rast shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, autoriteteve dhe kombit italian për humbjen e këtij italiani të madh dhe i lutem Zotit që shpirti i tij të prehet në paqe. Amin! #sb

