Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohen se tentuan të përfitonin një shumë parash nëpërmjet mashtrimit nga një biznesmen, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve.
Në kërkim është shpallur një 40-vjeçar, i dyshuar si organizator i kësaj veprimtarie.
Policia njoftoi se ditën e sotme (e premte) u bë arrestimi për veprën penale “Mashtrimi”, i shtetasve A. R., 34 vjeç, banues në Librazhd, G. Ç., 41 vjeç, banues në Skrapar, dhe Q. V., 22 vjeç, banues në Kukës.
Ata kanë tentuar të mashtrojnë një biznesmen, për të përfituar shumën 35 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim F. Gj., 40 vjeç, i dyshuar si “truri” i organizimit të kësaj skeme mashtrimi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 5 aparate celulare, që u përkasin autorëve të dyshuar.

