Belind Këlliçi, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e kryeqytetit ka pritur sot në një takim delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që janë me mision vëzhgimi për zgjedhjet vendore.
Lajmin e bën me dije vetë Këlliçi në rrjetet sociale si më poshtë:
Prita sot delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që janë me mision vëzhgimi për zgjedhjet vendore, dhe ndava me ta disa shqetësime lidhur me gjithë instrumentat që ka përdorur qeveria për ta bërë këtë garë të pabarabartë, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
Megjithatë, i sigurova përfaqësuesit se Opozita ka marrë të gjitha masat për të ruajtur votën dhe paprekshmërinë e saj.
Gjithashtu, i garantova se me kthimin e Opozitës në pushtetin vendor, në drejtimin e bashkive, do të rikthehet edhe demokracia vendore, decentralizimi dhe ushtrimi i pushtetit të qytetarëve.
Kjo do të jetë një arritje e madhe për vendin, kur dihet se në 4 vitet e fundit, autonomia vendore, nuk ka ekzistuar, gjithë pushteti është centralizuar në një dorë, dhe qytetarët kanë qënë të papërfaqësuar dhe zëri i tyre nuk është dëgjuar.





