Kapiten Lejtnant Giuseppe Prelli (Matina Luftarake Mbretërore Italiane) është komandanti i parë i Forcës Detare Shqiptare që organizoi Marinën Ushtarake, si një strukturë e unifikuar, më 24 qershor 1926.
Giuseppe Prelli lindi më 11 mars 1899 në Verona. Ai hyri në Akademinë Detare të Livornos në vitin 1913 dhe e përfundoj në vitin 1917 duke u graduar nënlejtnant. Prelli morri pjesë në Luftën e Parë Botërore qysh kur ishte kadet në Akademi i imbarkuar në bordin e anijes shkollë ”Flavio Gioia”, në vijim si oficer në bordin e luftanijes “Andrea Doria” dhe më pas u transferua si komandant i një Katru Silurues (MAS) në Flotiljen e Venecias. Mbasi kishte marrë gradën Kapiten Lejtnant, midis viteve 1925-1926, Giusepe Prelli u emërua komandant gjuajtësi detar dhe më pas Komandant i Skuadriljes së Kartave Silurues (MAS) në Lero të Greqisë, nën kontrollin Italian.
Në vitin 1926 u dërgua me funksionin e Komandantit për organizimin e Marinës Ushtarake Shqiptare dhe në vitin 1930 u gradua Kapiten i Rangut të Tretë. Mbas kthimit në Itali, Kapiten i Rangut të Tretë Preli emërohet në kabinetin e Komandantit të Marinës Mbretërore Ialiane dhe më pas në kaminetin e Ministrit të Luftës. Në vitin 1934 Giuseppe Preli gradohet Kapiten i Rangut të Dytë duke marrë fillimisht detyrën e Zëvendëskomandantit të Kryqëzorit “Bolzano” dhe më pas Komandant Anijes Shkollë “Amerigo Vespucci”. Në vijim të karrierës merr komandën e fregatës “Castore”, më pas të Fregatës “Cigno”, dhe deri në vitin 1939 e mbyll si Komandant i Skuadriljes së 11-të Detare.
Nga shkurti i vitit 1940 me gradën Kapiten i Rangut të Parë merr detyrën e Atasheut Detar në Tokjo, por e përfundon para afatit për shkak të hyrjes së Italisë në luftë më 10 korrik 1940. Në qershor 1941 merr detyrën e Komandantit të Përgjithshëm Detar në Lindjen e Largët (anijeve italiane të stacionuara, anijes koloniale “Eritrea”, si dhe anijeve tregëtare në Kinë dhe Japoni) me vendkomandë në Shangai të Kinës.
Me kapitullimin e Italisë më 8 shtator 1943, ndërsa gjendej me mision në Tokjo, Kapiten i Rangut te Parë Giuseppe Prelli u kap dhe u internua në Kampin e Përqëndrimit të Shirinwasë. U lirua nga amerikanët në vitin 1945 dhe u kthye në Itali në 1 korrik 1946 me anijen “Eritea”. Mbas luftës Kapiten i Rangut te Parë Giuseppe Prelli ka qënë në dispozicion. U gradua Kundëradmiral në vitin 1948, doli në pension në vitin 1951 dhe u gradua Admiral në vitin 1954. Admirali Giuseppe Prelli është dekoruar me shumë urdhëra dhe medalje në Itali dhe jashtë, si: Komandant i Urdhërit të Kurorës së Italisë, Kavalier i Urdhërit të Shën Maurizios, Kavalier i Urdhërit të Shën Lazaros, etj.
Admiral Giuseppe Preli organizoi për herë të parë marinën Mbretërore Ushtarake Shqiiptare dhe është komandant i parë i saj. Gjatë periudhës që Marina Mbretërore komandohej nga Kapiten i Rangut të Tretë Giusepe Prelli, më 24 qershor 1926, në Durrës u krijua Komanda e Marinës Ushtarake Shqiptare, e cila në vitin 1928 do të quhej edhe mbretërore. Në atë periudhë Marina Ushtarake kishte në armatim dy ish-minaheqëse gjermane të klasit FM 1 prodhuar në vitin 1917 , të ardhura në Shqipëri më 25 dhjetor 1925 që morën numrat e bordit dhe emrat: M 16 “Shqipnia” dhe M23 “Skënderbeg” dhe katër ish-motovedeta silurhedhëse italiane të klasit ELCO, prodhuar në SHBA 1916-17 nga “Electric Boat Co.”, të cilat erdhën në Shqipëri në vitin 1926 me emrat “Tirana”, “Saranda”, “Durrësi” dhe “Vlora”.
Admiral Giuseppe Prelli vdiq më 24 tetor 1959 në Ankona. Në biografinë e Admiral Giuseppe Prelli, që gjenet në Zyrën e Historisë së Maines Luftarake Italiane, nuk evidentohet asnjë medalje apo dekoratë e dhënë nga Shteti Shqiptar. Admiral Giuseppe Prelli ka meritën e organizimit e Marinës Ushtarake Shqiptare dhe si komandant i parë i saj midis viteve 1926-1933. Me rastin e 95-vjetorit të Forcës Detare fotografia e Admiral Giuseppe Prellit u vendosnë hollin e Komandës së Forcës Detare, si i pari midis 17 ish-komandantëve të saj.
Shënim: Ky material u hatua me mbështetjen e Zyrës së Historisë së Maines Luftarake Italiane.



