Charles Baudelaire
Shqipëroi Balil Gjini
Kam njohur njëfarë Benedicta, që mbushte atmosferën e idealit tim; sytë e saj përhapnin dëshirën për madhështi, bukuri, lavdi dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte të besoje te pavdekësia.
Por kjo vajzë e mrekullueshme ishte shumë e bukur për të jetuar gjatë; kësisoj vdiq disa ditë pasi e njoha, sak një ditë kur pranvera shkundte temjanicën e saj gjer në varreza. Isha unë që e groposa, mbyllur mirë në një arkivol prej druri të parfumosur dhe që s’mund të prishej, bash si një sënduk indian.
Dhe ndërsa sytë më mbetën të fiksuar te vëndi ku ishte kallur thesari im, papritur pashë një qenie të vogël që ngjasonte shumë me të ndjerën dhe që, duke e shkelur dheun e freskët me një dhunë histerike dhe të pataksshme, po thoshte duke ia plasur të qeshurave: “Benedicta jam unë! Unë, një bushtër e vërtetë! Dhe për të të ndëshkur për marrëzinë dhe verbërinë, do të më duash kështu siç jam!”
Dhe unë, i xhindosur, iu përgjigja: “Jo! Jo! Jo!” dhe për ta theksuar më shumë refuzimin godita tokën me këmbë, aq shumë sa ajo mu zhyt gjer te gjuri te gropa e sapohapur, dhe, si një ujk i zënë në dhokan, mbeta i lidhur, ndoshta përgjithmonë, me varrin e idealit tim.
Përkthyer nga “Les paradis artificiel, le spleen de Paris”

