Që të përdoret aftësia krijuese, apo një prirje përkatëse, do duhet të ekzistojë qëllimi, sa më i kristalizuar.
Përse dhe çfarë dëshironi të arrini? Do të pasurohesh? Të përmirësosh jetën, familjen? Në ç’mënyrë?
Pastaj, në njohje të aftësive, në proces jete, zgjedh midis tyre.
Qëllimi gjendet pasi meditoni për veten, atë që duket dhe atë që s’duket.
Ju vet, i vendosni qëllimet në rregull sipas rëndësisë që kanë për ju: i pari, i dyti, e me radhë. Ose vendosni më të largëtat, së pari, dhe për inerci jete vet-vendosen të afërtat, ose e kundërta. Jeni ju që vendosni çfarë doni të bëni me fuqinë tuaj Krijuese.
E bëni këtë duke kontrolluar veten në çdo çast: në momentin Tani. Jo në ditën Dje. Jo në atë Nesër.
Njohuria që keni për Dje është relative, ajo për nesër është e vagullt. Jetoni, punoni, krijoni në momentin që është, tani. Thellojeni pra dijen, duke studiuar të tashmen. Vetëm kjo sjell përparësi në kapacitet dhe cilësi.
“Tani” është sekreti i jetës ku jemi. Kjo është çfarë e bën një Mjeshtër të dallojë nga dikush që nuk i ka njohuritë për momentin e kohës “Tani”, për atë që është me të vërtetë, atë që rrjedh në moment të dhënë.
Mos shihni atje jashtë për të gjetur veten apo veten tjetër, duke përfshirë mënyrën e meditimit të përshtatshme individualisht. Meditoni në kohën “tani”, përqendrohuni në “tani”, vendosini qëllimet që keni t’ju shërbejnë juve në kohën aktuale, bëjeni planin e ditës t’iu përgjigjet këtyre nevojave që keni “tani”.
Të mësosh si të shprehesh është një prej përgjegjësive ndaj vetes.
Shqisat janë, i ka dhënë Zoti, ato mësohen përmes “nxënies”, siç mësohet një fëmijë, edukuar gjatë gjithë jetës. Një “vete” që s’ka ardhur në pikën e funksionit si një e plotë, është e vështirë të shkojë përmes pafundësisë së botës ku është. Duhet mësuar si të aplikohet çdo ditë të shkruash, flasësh, ndarë mendimet që ke me të tjerët pa lejuar frikën të pengojë, se të tjerët do mund të gjykojnë. Për më tepër kur flet për një botë të padukshme, fshehur nga shqisat, shumë do të paragjykonin se jeton në botë fantazie. Megjithatë, duhet guxuar.
Të reflektuarit është mënyrë e mrekullueshme si shpenzohet ndjesia në të shkruarin e ditës që jetohet. Ndodhin mrekulli brenda vetes, kur kjo bëhet mënyrë të jetuari. Në reflektim e arsyetim janë gjithë mundësitë të biesh në rrjetën e të vetë-gjykuarit, të kritikave, keqardhjeve, ndjesisë së fajit, etj.
Ndihmon të dalësh nga këto ndjesi negative- kur meditimi ndodh në “hapësirën” midis dy kohëve, pra fëmijës së dikurshme dhe moshës që je tani. Këto dy pika skajesh, kanë një lumë pikash – koordinata në kohë brenda të cilave gjendesh. Në këtë vijë-përqasje, s’mbetet asnjë milimetër vend për keqardhje, përkundrazi.
Në një mendje përgjithësisht të predispozuar të mos kënaqet ndonjëherë me veten, keqardhja shkakton edhe dëm. Disa objektiva personale mund të mos arrihen asnjëherë. S’jemi personalisht fajtorë, nëse e pranojmë këtë.
Zhvillimi ka një rrugë të caktuar që kërkon kohën e vet të ndodhë…
Kohë-jeta nuk është sistem i vet njeriut.
SHËNIME PËR VETEN/ Nga shkrimtarja ADRIANA MYRTAJ: “Tani” është sekreti i jetës ku jemi.
Leave a comment
Leave a comment

