Heathrow ka rifituar vendin e parë si aeroporti me trafikun më të lartë në Europë, sipas të dhënave më të fundit për numrin e pasagjerëve.
Aeroporti që ndodhet në perëndim të Londrës deklaroi se ka pritur plot 5.8 milionë pasagjerë në periudhën midis korrikut dhe shtatorit, më shumë se rivalët e tij në qytete si Parisi, Frankfurti dhe Amsterdami.
Një vit më parë, ai u rendit si aeroporti i 10-të për sa i përket trafikut ajror në Europë, diçka që erdhi si pasojë e rregullave të udhëtimit nga pandemia Covid.
Pavarësisht renditjes në vendin e parë, numri i pasagjerëve ishte ende 15% më i ulët se nivelet para fillimit të pandemisë, shtoi aeroporti.
Shefi ekzekutiv, John Holland-Kaye, tha se numri i pasagjerëve ishte rritur më shumë në 12 muajt e fundit se në çdo aeroport tjetër të Europës.
Shefi ekzekutiv,
“Jam krenar për mënyrën se si ekipi ynë ka punuar me linjat ajrore dhe operatorët e tyre për të mundësuar me sukses udhëtimin e 18 milionë pasagjerëve gjatë verës,” shpjegoi ai.
“Megjithëse ne përballemi me shumë pengesa ekonomike, së bashku me trashëgiminë e Covid-it, qëllimi ynë është të rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur në kapacitetin e plotë dhe të ofrojmë shërbimin e klasit botëror që njerëzit presin nga aeroporti qendror i Mbretërisë së Bashkuar.”
Por, aeroporti pranon se perspektiva për kërkesën në të ardhmen “mbetet e pasigurt” për shkak të “faktorëve që ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike, valës së re të Covid dhe situatës në përshkallëzim në Ukrainë”.
Udhëtimet për Krishtlindje
Aeroporti shtoi: “Megjithatë, ne presim që ditët e pikut gjatë Krishtlindjeve të kenë një numër shumë të lartë pasagjerësh.”
Holland-Kaye tha se “shumica dërrmuese” e pasagjerëve që udhëtonin nëpër aeroport këtë verë “kishin pasur një përvojë shumë të mirë”.
Kjo është arritur pavarësisht mungesave në staf, të cilat detyruan aeroportin të kufizojë numrin e pasagjerëve që nisen nga ai në vetëm 100,000 në ditë, gjatë muajit korrik.
Masa erdhi si pasojë e radhëve të gjata dhe problemeve me trajtimin e bagazheve gjatë verës.
Ky kufizim pritet të përfundojë më 29 tetor.
Pas kësaj, Heathrow thotë se po punon me partnerët e linjave ajrore për të zhvilluar një mekanizëm më të targetuar, i cili “mbron shërbimin e pasagjerëve gjatë periudhave të pikut”.
Heathrow ka deklaruar se “fokusi” i tij përgjatë 12 muajve të ardhshëm është që të kthejë kapacitetin, nivelet e shërbimit dhe qëndrueshmërinë e tij në nivelet ku ndodheshin përpara pandemisë./ BBC

