Kështu shkruan në një status eksperti i njohur i sistemit të taksave dhe tatimeve Faslli Goga.
Kryefjala e paketës fiskale, shkruan ai, është gjoba dhe vetëm gjoba.
Ja postimi i plotë:
Asgjë e re nga paketa fiskale 2023!
Asnjë politikë favorizuese për biznesin e vogël!
Kryefjala e paketës fiskale 2023 është:
“Gjoba, gjoba dhe vetëm gjoba.”
Nëse qeveria e ka fokusuar vëmendjen vetëm te gjobat ndaj bizneseve për të luftuar informalitetin, atëherë ne kemi vetëm një aksion të qeverisë dhe jo reformë.
Kjo nismë, “penalizimi i bizneseve”, si të gjitha nismat e mëparshme të mara nga qeveria në lidhje me këtë çështje, është e destinuar të dështojë.
Aksione të tilla ndaj biznesit do të kenë efekte negative.
Buxheti nuk mbushet me penalitete!
Qeveria duhet të heqë dorë nga politika të tilla diskriminuese ndaj biznesit, ajo duhet të përkujdeset ndaj biznesit në tërësi, e ndaj biznesit të vogël në veçanti, i cili nga dita në ditë po ndien më shumë barrën e rëndë të taksimit.
Qeveria duhet t’u largohet politikave favorizuese ndaj të pasurve oligarkë, dhe duhet të heqë dorë nga taksimi i biznesit të vogël me normë taksimi 13 – 23%, duke përfshirë këtu dhe profesionet e lira, të parashikura në projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

