Pa hyrë në analiza të hollësishme mbi fjalimin e mbajtur nga Rama në KiE për të treguar se në thelb fjalimi nuk kishte mendim, nuk artikuloi ndonjë gjë substanciale që të mbahet si urtësi apo mençuri përveç denoncimit të mashtrimeve dhe shpifjeve të raportit të Dick Marty-it (gjë e drejtë, por fare e zakonshme për çdo shqiptar) mjafton të shohësh inkoherencat logjike për të kuptuar se Rama mbajti një fjalim për të rënë në sy, për tu dukur patriot, i talentuar dhe i ditur dhe në një farë mënyre për të bërë lojën e përhershme të fabrikimit të asaj që nuk është.
Rama mbajti psh një fjalim mbi terma dhe koordinata totalisht sekulare. Ai foli në terma të tillë për të drejtat e njeriut, për liritë, për marrëdhëniet ndërkombëtare, për kombin etj.
Kjo është normale sidomos për dikë si Rama që është laicist, ultraliberal apo social liberal. Mirëpo Rama gjatë fjalimit mori një shembull nga krishtërimi.
Ai tha se në KiE dhe në gjithë komunitetin ndërkombëtar ato që po thoshte Rama mund të tingëllonin ose kishin tingëlluar si fjalë bosh dhe kjo, sipas Ramës, ishte si predikimi i Shna Ndout (Shën Antonit) i cili, kur nuk kishte njerëz për ta dëgjuar u predikoi peshqve.
E para në mënyrë totalisht të palogjikshme përdor shembull nga feja si argument në ligjerim sekular dhe më e rënda e shtrembëron plotësisht shembullin.
Shën Antoni vërtet u predikoi peshqve (sipas teksteve kristiane) dhe ai e bëri sepse njerëzit (në Rimini) nuk e donin fenë dhe e refuzuan shenjtorin. Ai shkoi në breg dhe iu predikoi peshqve. Mrekullisht peshqit nxjerrin kokat mbi ujë dhe dëgjojnë predikimin sipas legjendës dhe sipas kishës.
Ndërsa Rama u tha deputetëve në KiE se ata ishin qëllimisht shurdhë dhe indiferentë dhe nuk dëgjonin.
Për Ramën ata ishin si peshqit duke i menduar si pa gojë dhe shurdhë, se e vërteta që po u thuhej ishte si tu thuhej peshqve në një kohë që peshqit në legjendë nxorën kokat mbi ujë dhe dëgjuan, ishte një mrekulli.
Si kjo lajthitje, si kjo inkoherencë, si ky shtrembërim, fjalimi i Ramës kishte shumë.
Edhe vetëm kaq mjafton për të thënë se ai ishte fjalim për konsum brenda Shqipërisë, një fjalim i dobët dhe qe tregon për një njeri jo të ditur.
*Autori është pedagog, politolog.
Fitim Zekthi*/ Fjalimi i Ramës në KiE, në thelb nuk kishte mendim…Një njeri jo i ditur
Leave a comment
Leave a comment

