Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një dalje për mediat sot, u shpreh se amnistia fiskale ka për qëllim të ligjërojë qindra miliona euro evazion që janë bërë nga kompani të ndryshme me bekimin e qeverisë. Gjatë fjalës së tij Meta tha gjithashtu se iniciativa e kryeministrit Edi Rama për amnistinë fiskale, favorizon botën e krimit për të pushtuar ekonominë vendase.
Ish presidenti theksoi se ky projektligj do të dëmtonte bashkëpunimin me vendet partnere.
“Jam këtu për të theksuar rëndësinë e tërheqjes menjëherë të përpjekjes për të miratuar amnistinë fiskale që u tha edhe nga ndërkombëtarët që mund të konsiderohet si kartë për daljen nga burgu për të gjithë shmangësit e taksave. Nuk kemi ende një administratë kompetente dhe duhet një kornizë efektive për luftën kundër pastrimit të parave. Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, është e qartë se kjo tentativë nuk synon të amnistojë kursime të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, por të ligjërojë qindra miliona euro evazion që janë bërë nga kompani të ndryshme me bekimin e qeverisë”, tha Meta.

