Pandemia ka ndryshuar shumë gjëra në botë, duke përfshirë edhe ato që mund t’ju nevojiten nga drejtuesi juaj në mënyrë që të keni sukses.
Rritja e ankthit dhe e stresit, si në shtëpi, ashtu edhe në punë, që nga fillimi i pandemisë Covid-19, kanë bërë që punonjësit të kenë nevojë më tepër se kurrë për më shumë mirëkuptim dhe fleksibilitet nga drejtuesit e tyre, sipas Caitlin Duffy, drejtoreshë e kërkimeve në kompaninë e konsulencës Gartner.
Pandemia “ka bërë që jetët e tyre personale dhe profesionale të bashkohen me njëra-tjetrën”, thotë Duffy për CNBC.
Gartner ka kryer shumë studime në lidhje me gjërat që punonjësit presin nga menaxherët e tyre tani që kanë kaluar dy vite nga fillimi i pandemisë. Pas rishikimit të artikujve akademikë, anketimit të mijëra punonjësve dhe kryerjes së disa intervistave, Gartner zbuloi se gjithçka mund të përmblidhet me një koncept, të quajtur “lidershipi njerëzor”.
Kjo është një frazë e cila përshkruan liderët që drejtojnë duke shfaqur empati. Ata gjithashtu përshtaten në mënyrë që të përmbushin nevojat unike të punonjësve dhe i mundësojnë atyre të shprehen për problemet që i shqetësojnë, për të krijuar një ambient pune më të lumtur dhe më produktiv, thotë Duffy.
Fatkeqësisht, ky lloj lideri nuk është drejtuesi tipik i çdo kompanie. Vetëm pothuajse 1 në 4 punonjës, saktësisht 29% e tyre, deklaron se liderët që kanë, janë efektivë në lidershipin njerëzor, sipas një sondazhi të Gartner në vitin 2022.
Ky është një problem madhor, thotë Duffy. Aspekti emocional i shkaktuar nga pandemia ka sjellë një “ndryshim të përhershëm në fuqinë punëtore”, e cila tashmë kërkon ndjeshmërinë dhe fleksibilitetin e lidershipit njerëzor.
“Punonjësit tani presin që liderët në punë duhet të adresojnë të gjitha nevojat e tyre personale, të cilat janë bërë më komplekse dhe më sensitive gjatë viteve të fundit,” shton ajo.
Dhe, nuk janë thjesht punonjësit që përfitojnë nga kjo. Ambientet e punës ku drejtuesit shfaqin lidership njerëzor përgjithësisht kanë punonjës që janë shumë më të angazhuar me punën e tyre, duke sjellë një performancë të përgjithshme më të mirë, sipas studimit të Gartner.
Kjo kompani identifikoi përmirësime në mirëqenien e përgjithshme të punonjësve, duke rritur mundësitë që ata të qëndrojnë në kompaninë ku janë, në vend që të kërkojnë për punë të re.
“Kjo nuk prek vetëm punonjësit, por ka një ndikim në të gjitha aspektet e biznesit,” thotë Duffy.
Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar për një lider që ju mbështet më shumë, ose nëse jeni vetë një drejtues që po kërkoni për mënyra për t’i shërbyer më mirë nevojave të punonjësve tuaj, këtu janë tre cilësitë kryesore të lidershipit njerëzor, sipas Duffy.
Autenticiteti
Një lider që i mundëson punonjësve të shprehin problemet e tyre, ju inkurajon që të jeni më të vërtetë aty ku punoni. Për shembull, një menaxher autentik mund t’i ftojë punonjësit që të ndajnë me ekipin idetë e reja që mund të kenë, ose të shprehin ndjenjat e tyre gjatë ngjarjeve të tensionuara sociale dhe politike që ndodhin në botë.
Drejtuesi mund të bëjë punonjësit që të mos ndihen keq për të ndarë mendimet dhe ndjenjat e tyre, duke u hapur vetë fillimisht me ta. “Punonjësit duan të jenë në gjendje të sjellin të gjithë qenien e tyre në punë dhe liderët duhet t’i ftojnë ata për të bërë pikërisht këtë gjë,” thotë Duffy. “Si fillim, janë liderët ata që duhet ta bëjnë këtë gjë të parët.”
Empatia
Ky lloj menaxheri shfaq përkujdesje, respekt dhe shqetësohet realisht për mirëqenien e punonjësve.
Të qenit një drejtues empatik do të thotë të kuptosh vështirësistë e punonjësve, si ato që lidhen me vendin e punës, ashtu edhe ato që vijnë nga jashtë tij, duke përfshirë burnout-in, problemet e shëndetit mendor apo një emergjencë familjare. Gjithashtu, një lider i tillë krijon kushte të sigurta në punë, ku punonjësit mund të flasin për problemet dhe përvojat e tyre personale.
Përshtatshmëria
Cilësia e fundit është përshtatshmëria, e cila nënkupton të qenit një lider që ofron fleksibilitet për punonjësit e tu, thotë Duffy. Kjo përfshin të kuptuarit se cilat janë nevojat unike të secilit prej punonjësve dhe mbështetjen e tyre në një mënyrë që i përshtatet më shumë secilit prej punonjësve.
Për shembull, një shef që përshtatet me punonjësit e tij mund t’i ofrojë njërit prej punonjësve më shumë fleksibilitet kur bëhet fjalë për të punuar nga shtëpia, sepse ata duhet të kujdesen për një familjar që është i sëmurë. Ose, një drejtues i tillë mund të lejojë një punonjës tjetër që të bëjë më shumë pushime gjatë ditëve të punës, nëse ata janë të lodhur psikologjikisht.
“Punonjësit kërkojnë një përvojë të personalizuar dhe liderët duhet të përshtaten me këtë gjë,” thotë Duffy. “Këto cilësi mund të kenë qenë të rëndësishme për lidershipin në të kaluarën, por, në kohët e sotme, ato janë të panegociueshme.” / CNBC

