Rama: As mediet s’lënë gjë pa thënë, as drejtësia që nuk lë avlli apo papafingo në periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi dhe nuk i kërkoi metrat e ndërtuara pa leje me qëllim fitimi në mes të Tiranës, Sepse të tërë e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt dhe kush indirekt, në mjaltin e tullave të betonit. Ose i kanë sytë kaq të verbuar dhe veshët kaq tapë nga urrejtja që iu mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra dhe me akuza, saqë janë shumë të fortë me të dobëtit dhe shumë të dobët me të fortët.
Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.
E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.
Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto kohë kaq të vështira.
Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë!

