Instituti Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Instituti Demokratik Amerikan publikuan dje sondazhin nëntë me titull “Besimi në qeverisje”, i cili u realizua në nëntor 2021 në të 61 bashkitë e vendit, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2,500 personash të zgjedhur në mënyrë rastësore. Dokumenti thekson se perceptimet dhe qëndrimet e publikut për çështjet në fjalë të trajtuara nga ky sondazh, u ndikuan edhe nga kombinimi i një sërë faktorësh si fushata intensive e zgjedhjeve parlamentare të muajit prill 2021, zhvillimet politike të periudhës së pas zgjedhjeve, programi në vazhdim i rindërtimit të zonave të dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019 dhe dështimi i BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Konkluzionet grupohen në nëntë kapituj kryesorë dhe bie në sy fakti se shqiptarët vijojnë të mbeten të zhgënjyer nga qeveria dhe politika.
Afro 83.7% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni lulëzon në vend.
Transparenca dhe llogaridhënia…
Më konkretisht sa i takon transparencës dhe llogaridhënies, sipas sondazhit më shumë se gjysma e të anketuarve, 57.4% nuk besonin (d.m.th., “nuk ishin dakord” dhe “nuk ishin aspak dakord”) se qeveria qendrore është transparente. 41.4% e njerëzve të anketuar mendonin se qeveria qendrore ishte transparente (33.6% ishin dakord me pohimin dhe 7.7% ishin plotësisht dakord). Po ashtu, thuhet se 58.2% e të anketuarve nuk u dakorduan (‘nuk jam dakord’ dhe ‘nuk jam aspak dakord) se bashkia ishte transparente. Vetëm 8% e të anketuarve shprehën dakordësinë e tyre të plotë me pohimin ‘bashkia është transparente’, ndërsa 32.2% ishin paksa dakord. Po ashtu, të dhënat tregojnë se vihen re dallime të rëndësishme nga pikëpamja statistikore mes të anketuarve sipas gjinisë, grupmoshës, nivelit arsimor, sektorit të punësimit, vendbanimit, aftësisë së kufizuar, përkatësisë etnike si dhe përkatësisë politike. Ndërkaq, në sondazhin e Institutit Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Institutit Demokratik Amerikan, thuhet se të anketuarat femra prireshin më shumë të mendonin se qeveria qendrore (44%) dhe pushteti vendor (44%) janë transparente në krahasim me të anketuarit meshkuj (39% dhe 37% respektivisht). Të anketuarit më të rinj në moshë, veçanërisht ata të grupmoshës 18 deri në 25 vjeç (35%), ishin më pak të prirur ta konsideronin qeverinë qendrore si transparente. Për sa i përket nivelit të të ardhurave, të anketuarit pa të ardhura të rregullta mujore nuk mendonin se qeveria qendrore dhe bashkitë janë transparente; në fakt, vetëm 32% e tyre ishin dakord me një nga dy pohimet.
Të anketuarit që janë anëtarë të partive politike prireshin më shumë t’i konsideronin qeverinë qendrore (63%) dhe atë vendore (61%) si transparente në krahasim me të anketuarit që nuk janë anëtarë të partive politike (38% dhe 37% përkatësisht).
Korrupsioni dhe institucionet publike
Më tej sipas sondazhit, të anketuarit u pyetën për të vlerësuar përhapjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe atij të nivelit të ulët në një shkallë me katër pikë nga 1 (aspak i përhapur) në 4 (shumë i përhapur). U bënë krahasime mes korrupsionit të nivelit të ulët dhe atij të lartë. Shumica dërrmuese e të anketuarve (83.1%) raportuan se korrupsioni i nivelit të ulët është i përhapur ose shumë i përhapur. Ndërkohë, sipas asaj që thuhet në sondazh, 15.3% raportuan se korrupsioni i nivelit të ulët nuk është i përhapur ose aspak i përhapur. Për sa i përket korrupsionit të nivelit të lartë në 2021, 83.7% e të anketuarve raportuan se ai është i përhapur ose shumë i përhapur me 14.4% të të anketuarve që raportojnë se korrupsioni i nivelit të lartë nuk është i përhapur ose aspak i përhapur. 86% e të anketuarve të papunë raportuan se korrupsioni i nivelit të ulët është i përhapur ose shumë i përhapur; ndërsa ata që punojnë në sektorin privat (85%) prireshin më shumë të deklaronin se korrupsioni i nivelit të ulët është i përhapur ose shumë i përhapur, në krahasim me punonjësit e sektorit publik (75%). Po ashtu, 87% e të anketuarve pa të ardhura të rregullta mujore mendonin se korrupsioni i nivelit të ulët është i përhapur ose shumë i përhapur. Për sa i përket përhapjes së korrupsionit të nivelit të lartë, nuk u vunë re dallime të rëndësishme nga pikëpamja statistikore tek të anketuarit sipas grupmoshave (84% për të dy llojet e korrupsionit). Dallimet ishin të pranishme sipas grupmoshës, nivelit arsimor, sektorit të punësimit dhe të ardhurave mujore. Të anketuarit e grupmoshës 56-65 vjeç (88%) prireshin më shumë të raportonin se korrupsioni i nivelit të lartë është i përhapur ose shumë i përhapur. Në lidhje me nivelin arsimor, të anketuarit me arsim të mesëm (89%) prireshin më shumë të mendonin se korrupsioni i nivelit të lartë është i përhapur ose shumë i përhapur në krahasim me të tjerët. Për më tepër, të punësuarit në sektorin publik (86%) prireshin më shumë ta konsideronin korrupsionin e nivelit të lartë si të përhapur ose shumë të përhapur krahasuar me të punësuarit në sektorin privat (72%). Përqindja më e madhe e të anketuarve pa të ardhura të rregullta mujore dhe ata me të ardhura mujore deri në 30,000 lekë/muaj (87% në të dy kategoritë) e konsideronin korrupsionin e nivelit të lartë si të përhapur ose shumë të përhapur, krahasuar me kategoritë e tjera të të ardhurave mujore. Po ashtu, të anketuarit nga zonat urbane (85%) prireshin më shumë të mendonin se korrupsioni i nivelit të lartë është i përhapur ose shumë i përhapur në krahasim me të anketuarit nga zonat rurale (81%).
Besimi në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit
Ndërkohë sipas sondazhit të Instituti Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Instituti Demokratik Amerikan të siguruar nga gazeta “SOT”, thuhet se në 2021, përqindja e shqiptarëve që nuk kishin besim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të ulët ka rënë në 59.3% (nga 64.5% in 2020). Ndërkohë, përqindja e të anketuarve që nuk kanë besim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit lartë është 68.4%, i njëjtë me vitin 2020. Gjithashtu në sondash thuhet se të anketuarve iu kërkua të vlerësonin nivelin e besimit në ndjekjen penale të çështjeve të korrupsionit duke përdorur një shkallë prej 4 pikësh – nga 1 (kam shumë besim) në 4 (nuk kam aspak besim). Pati dallime mes korrupsionit të nivelit të ulët dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Për korrupsionin e nivelit të ulët thuhet se, 59.3% e të anketuarve në këtë sondazh raportuan se ‘nuk kanë besim’ ose ‘nuk kanë aspak besim’, ndërsa 38.6% thanë se ‘kanë besim’ ose ‘kanë shumë besim’ në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit. Për korrupsionin e nivelit të lartë, rezultatet tregojnë se 68.4% e të anketuarve thanë se ‘nuk kanë besim’ ose ‘nuk kanë aspak besim’ në ndjekjen penale të këtyre rasteve, ndërkohë që 29.4% thanë se ‘kanë besim’ ose ‘kanë shumë besim’.

