Hakerat iranianë të cilët sulmuan platformat qeveritare të institucioneve shqiptare dhe titullarëve të tyre, kanë bërë publike edhe e-mailet e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Në një nga e-mailet e mbërritura në adresë të Gledis Nanos ka qenë dhe një ankesë ndaj një oficeri në drejtim të eprorit të tij pasi kishte përdorur gjuhë fyese.
Më konkretisht shefi i sektorit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Haxhi Bala, i ankohet Nanos se gjatë një bisede me drejtorin e Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, në zyrën e këtij të fundit, ishin përdorur tone të larta dhe fyese nga ana e titullarit.
Sipas asaj që shkruhet në e-mail, Bala thekson se një ditë është thirrur në zyrë nga Panganika, për tu sqaruar në lidhje me disa praktika për nënshkrim.
Pas një bisede të gjatë dhe të tensionuar mes Balës dhe Panganikës, ky i fundit është nxehur dhe e ka fyer duke i thënë: “Plehrë, dil jashtë nga zyra, mos të ta shoh më surratin”.

