U ulëm në një nga zyrat e Fiks Fare.
Ajo e bukur.
Para bukurisë, mu duke vetja majmun.
-Pse e fsheh bukurinë me shami?
– Besoj tek Allahu. Ndjek mësimet e Kuranit.
-Je e martuar?…
Kam 3 fëmijë…
-Sa pranvera je?
22vjeçe…
-Qënke martuar që në djep?…
13 vjeçe rashë në sevda. I vogëli nuk di të ruhet…
14 vjeç mbeta shtatzanë.
Bëmë dasëm.
Katër vjet të lumtur…
E kapa burrin mes shalëve të motrës…
E fala dhe e mallkova.
Iku…
Mori motrën.
La fëmijët…
Mbolli varfërinë…
-Pse ke ardhur tek Fiksi?
-Jetoj në Elbasan.
Jam pa shtëpi. Bëra lutje në bashki.
Mbusha letrat.
Këshilli bashkiak vendosi:
Të takon të marrësh 20 milionë lekë të vjetra…
Shkova në Bankën Kombëtare Tregtare.
Nuk më dhanë para…
-Po pse? Ti ke vendimin e Këshillit Bashkiak?
-Nuk piu ujë.
Më doli një kleçkë.
Tre vjet më parë mora kredi në bankën NOA.
Një milionë lekë të vjetra.
Në pagesën e kësteve, nuk isha korrekte.
Pse?
Të ushqeja fëmijët apo të paguaja bankën?…
Më kishin mbetur pa paguar 200 mijë lekë të vjetra.
Më dhanë prindërit lekë.
E mbylla kredinë.
Mora nga banka shkresë me firmë e vulë.
E çova tek BKT.
Pa vlerë.
Më thanë:
Je futur në listën e kreditorëve të këqij.
– Po halli?
Nuk kam lënë derë pa trokitur.
Kam bërë letra. Ramës. Metës. Ambasadës amerikane.
Askush nuk më ndihmon.
Më bën dot derman Fiksi?
Mbeta si peshku pa ujë…
I pasuri, bisezmeni merr miliona kredi në bankë.
Futet në listat e zeza.
Pa zarar se është i pasur.
Merr përsëri kredi nga bankat.
Merr aqë shumë, sa që bëhet i rrezikshëm për shtetin.
Por nuk i futet gjëmb në këmbë.
Është i pasur, de.
Paguan mbi e nën dorë…
Mu kujtua një fjalë e urtë:
Po të vjedhësh pak-shkon në burg.
Po vodhe shumë-bëhe deputet….
-Pse më rri si guak,- foli nusja me shami.- …
Kuptova. Të gjithë pushtetarët dhe gazetarët një surrat paskan.
Iku…
Mbeta…
Ku nuk trokita…Bëra një vërë në ujë…

