Kjo foto, shkrimi poshtë këtij paragrafi dhe parja ime me të është e para një viti…
S’e kam parë më dhe do më vijë keq nëse dikush më thotë se e ka lënë këtë botë… në vetmi, në mjerim- shtator 2022
Shënimi vijues është i vitit 2021:
Ky burri me flokë dhe me mjekër të bardhë është një “homeless” shumë simpatik.
Ata që e kalojnë urën e Lanës që të çon drejt Elbasanit e njohin prej vitesh.
Ai jeton vetëm pak metra mbi semaforin që të drejton drejt “Brryllit”, gjumin e natës e ban mbi një vazo betoni që është para Credins Bank (bankës së vetme me kapital 100% shqiptar që i është vrarë pronari në mes të bllokut dhe deri sot s’është arrestuar asnjë i dyshuar për këtë vrasje, të paktën për sa di unë) ndërsa ditën e kalon i ulur dy tre metra mbi semafor përballë disa kafeve që gjenden aty.
Që nga mëngjesi dhe deri natën vonë në darkë burrin në foton me mua e gjen të ulur në trotuar, gjithmonë me një gotë të bardhë plastike përpara, po ashtu përherë gota e tij është gjysëm të mbushur me raki.
Kurrë nuk ndodhë që ai të gjuajë me fjalë, apo të adresojë ndonjë fjalë ndaj kalimtarëve të pafundëm që e popullojnë atë rrugë.
As nuk lypë, as nuk i jep kush ndonjë lek, të gjithë i porosisin ndonjë teke raki në dy lokalet përballë.
Unë e takoj shpesh sepse në atë kryqëzim jam i shtërnguar të kaloj të paktë dy apo më shumë herë në ditë për të mbërritur në shtëpinë time që gjendet nja tre katërqind hapa më tutje dhe… asnjëherë si kam porositur raki.
Sot kur po kaloja aty pari ja dhashë dy qind lekë të reja dhe atij nuk ju durua dhe më pyeti;
Po pse more zotni ti më jep çdo herë vetëm lekë dhe nuk më paguan kurrë ndonjë gotë raki, siç bajnë gjithë ata që më njohin?
Po ty të duhet edhe me hangër ndonjë kafshatë bukë more burrë i dheut, se për raki e kam pa që si le gja mangut.
Qeshi me të madhe, ndoshta ishte hera e parë që e pash të qeshte atë njeri, tash dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite që e shoh të ulur në të njëjtin vend…

