{"id":98913,"date":"2026-10-01T11:38:23","date_gmt":"2026-10-01T11:38:23","guid":{"rendered":"https:\/\/neutrale.al\/?p=98913"},"modified":"2026-10-01T11:38:23","modified_gmt":"2026-10-01T11:38:23","slug":"veliaj-nga-burgu-del-kunder-rames-pezulloni-ndarjen-e-bashkive","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/2026\/10\/01\/veliaj-nga-burgu-del-kunder-rames-pezulloni-ndarjen-e-bashkive\/","title":{"rendered":"Veliaj nga burgu, del kund\u00ebr Ram\u00ebs: Pezulloni ndarjen e bashkive"},"content":{"rendered":"<p>Kryetari i arrestuar i Bashkis\u00eb s\u00eb Tiran\u00eb, Erion Veliaj, nga qelia e burgut, ka dal\u00eb kund\u00ebr nism\u00ebs p\u00ebr riorganizimin administrativo-territorial dhe ka k\u00ebrkuar pezullimin e procesit p\u00ebr ndarjen e re t\u00eb bashkive.<\/p>\n<p>N\u00eb nj\u00eb let\u00ebr drejtuar Kuvendit, Veliaj ka dal\u00eb kund\u00ebr Ram\u00ebs duke argumentuar se ndryshimi i hart\u00ebs territoriale nuk mund t\u00eb b\u00ebhet pa u konsultuar m\u00eb par\u00eb me qytetar\u00ebt dhe pa u qart\u00ebsuar pasojat mbi pushtetin vendor, financat dhe p\u00ebrfaq\u00ebsimin.<\/p>\n<p>Sipas tij, konsultimi me popullsin\u00eb duhet t\u00eb jet\u00eb real dhe t\u00eb zhvillohet p\u00ebrpara miratimit t\u00eb hart\u00ebs s\u00eb re, nd\u00ebrsa ka k\u00ebrkuar q\u00eb procesi t\u00eb pezullohet deri n\u00eb p\u00ebrmbushjen e k\u00ebtyre kushteve.<\/p>\n<p>\u201cVler\u00ebsoj se projektligji, n\u00eb form\u00ebn dhe n\u00eb faz\u00ebn procedurale n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn m\u00eb \u00ebsht\u00eb p\u00ebrcjell\u00eb, nuk ofron ende t\u00eb gjitha garancit\u00eb dhe elementet normative t\u00eb nevojshme p\u00ebr miratimin e nj\u00eb reforme me k\u00ebt\u00eb r\u00ebnd\u00ebsi kushtetuese. N\u00eb ve\u00e7anti, hartimi dhe depozitimi i zgjidhjes territoriale p\u00ebrpara marrjes s\u00eb mendimit t\u00eb popullsis\u00eb krijon rrezikun q\u00eb konsultimi t\u00eb zhvillohet si formalitet pasues dhe jo si proces q\u00eb ndikon realisht n\u00eb p\u00ebrmbajtjen e reform\u00ebs. Ky q\u00ebndrim nuk p\u00ebrb\u00ebn kund\u00ebrshtim ndaj nevoj\u00ebs p\u00ebr t\u00eb rishikuar organizimin territorial, por k\u00ebrkes\u00eb q\u00eb reforma t\u00eb jet\u00eb e plot\u00eb, koherente, realisht e konsultuar dhe kushtetutshm\u00ebrisht e q\u00ebndrueshme\u201d,- shkruan Veliaj nd\u00ebr t\u00eb tjera n\u00eb letr\u00ebn drejtuar Kuvendit.<\/p>\n<p>Letra e plot\u00eb e Veliajt:<\/p>\n<p>Ka momente n\u00eb ushtrimin e nj\u00eb mandati publik kur detyrimi ndaj institucionit, ndaj ligjit dhe ndaj qytetar\u00ebve q\u00eb t\u00eb kan\u00eb besuar vot\u00ebn e tyre p\u00ebrputhen natyrsh\u00ebm. Por ka edhe momente, kur respektimi i k\u00ebtij detyrimi k\u00ebrkon q\u00eb t\u00eb thuash qart\u00eb at\u00eb q\u00eb mendon, edhe kur mendimi yt nuk \u00ebsht\u00eb domosdoshm\u00ebrisht m\u00eb i lehti p\u00ebr t\u2019u d\u00ebgjuar nga njer\u00ebzit me t\u00eb cil\u00ebt ke ndar\u00eb dhe vazhdon t\u00eb ndash t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebn p\u00ebrgjegj\u00ebsi politike.<\/p>\n<p>K\u00ebt\u00eb shkres\u00eb e konsideroj nj\u00eb moment t\u00eb till\u00eb.<\/p>\n<p>I p\u00ebrgjigjem k\u00ebrkes\u00ebs q\u00eb m\u00eb \u00ebsht\u00eb p\u00ebrcjell\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet administrat\u00ebs s\u00eb Kuvendit, n\u00eb kuad\u00ebr t\u00eb procedur\u00ebs s\u00eb iniciuar nga grupi i deputet\u00ebve propozues, si p\u00ebrfaq\u00ebsues i nj\u00eb komuniteti q\u00eb m\u00eb ka dh\u00ebn\u00eb drejtp\u00ebrdrejt mandatin p\u00ebr ta p\u00ebrfaq\u00ebsuar dhe p\u00ebr t\u2019i sh\u00ebrbyer deri n\u00eb p\u00ebrfundimin e tij.<\/p>\n<p>Jam pjes\u00eb e nj\u00eb shumice politike q\u00eb ka marr\u00eb p\u00ebrsip\u00ebr modernizimin e shtetit shqiptar, reformimin e institucioneve dhe afrimin e vendit me standardet europiane. Pik\u00ebrisht p\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye besoj se kemi nj\u00eb p\u00ebrgjegj\u00ebsi m\u00eb t\u00eb madhe: reformat tona nuk duhet t\u2019i masim vet\u00ebm me aft\u00ebsin\u00eb p\u00ebr t\u2019i miratuar, por me aft\u00ebsin\u00eb p\u00ebr t\u2019i b\u00ebr\u00eb t\u00eb q\u00ebndrueshme, institucionalisht funksionale dhe legjitime.<\/p>\n<p>Nuk kam nj\u00eb kund\u00ebrshtim parimor ndaj rishikimit t\u00eb hart\u00ebs administrativo-territoriale. Ndryshimet demografike, ekonomike dhe sociale mund ta b\u00ebjn\u00eb nj\u00eb rishikim t\u00eb till\u00eb t\u00eb nevojsh\u00ebm. Por reforma administrativo-territoriale nuk \u00ebsht\u00eb vizatimi i nj\u00eb harte t\u00eb re. Ajo prek autonomin\u00eb vendore, p\u00ebrfaq\u00ebsimin demokratik, ushtrimin e mandatit t\u00eb organeve t\u00eb zgjedhura, kompetencat dhe funksionet bashkiake, financat vendore, aksesin e qytetar\u00ebve n\u00eb sh\u00ebrbime dhe marr\u00ebdh\u00ebnien kushtetuese nd\u00ebrmjet qytetarit dhe pushtetit q\u00eb ai zgjedh m\u00eb pran\u00eb vetes.<\/p>\n<p>Kushtetuta e ka vendosur qeverisjen vendore mbi dy themele: decentralizimin e pushtetit dhe autonomin\u00eb vendore. Kur b\u00ebhet fjal\u00eb p\u00ebr ndryshimin e territorit, neni 108 pika 2 nuk i jep ligjv\u00ebn\u00ebsit nj\u00eb diskrecion t\u00eb pakufizuar. Ndarja duhet t\u00eb mb\u00ebshtetet mbi nevojat dhe interesat e p\u00ebrbashk\u00ebta ekonomik\u00eb dhe tradit\u00ebn historike, nd\u00ebrsa kufijt\u00eb nuk mund t\u00eb ndryshohen pa u marr\u00eb m\u00eb par\u00eb mendimi i popullsis\u00eb q\u00eb banon n\u00eb to.<\/p>\n<p>Jan\u00eb k\u00ebto premisa q\u00eb paraprijn\u00eb mendimin tim.<\/p>\n<p>K\u00ebto garanci kushtetuese duhet t\u00eb lexohen edhe n\u00eb harmoni me Kart\u00ebn Europiane t\u00eb Autonomis\u00eb Vendore, e cila p\u00ebrb\u00ebn nj\u00eb standard themelor t\u00eb mbrojtjes s\u00eb vet\u00ebqeverisjes vendore. Karta k\u00ebrkon q\u00eb autoritetet vendore t\u00eb konsultohen, n\u00eb koh\u00ebn dhe m\u00ebnyr\u00ebn e p\u00ebrshtatshme, p\u00ebr \u00e7\u00ebshtjet q\u00eb i prekin drejtp\u00ebrdrejt dhe posa\u00e7\u00ebrisht, q\u00eb ndryshimet e kufijve territorial\u00eb t\u00eb mos b\u00ebhen pa konsultimin paraprak t\u00eb komuniteteve t\u00eb prekura. Kjo do t\u00eb thot\u00eb se konsultimi nuk mund t\u00eb sh\u00ebrbej\u00eb p\u00ebr t\u00eb legjitimuar ex post nj\u00eb zgjidhje territoriale t\u00eb paracaktuar; ai duhet t\u00eb zhvillohet n\u00eb nj\u00eb faz\u00eb kur mendimi i komunitetit dhe i institucioneve vendore mund t\u00eb ndikoj\u00eb realisht n\u00eb p\u00ebrmbajtjen e reform\u00ebs.<\/p>\n<p>NDRYSHIMI I KUFIJVE NUK \u00cbSHT\u00cb REFORM\u00cb E VET\u00cbQEVERISJES<br \/>\nProjektligji propozon kalimin nga 61 n\u00eb 46 bashki. Ai parashikon se bashkia, si nj\u00ebsi baz\u00eb e qeverisjes vendore, p\u00ebrb\u00ebhet nga \u201cqytetet\u201d, se qytetet kan\u00eb nj\u00eb status t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb ligjor dhe se organizimi e p\u00ebrfaq\u00ebsimi i bashkis\u00eb do t\u00eb mb\u00ebshteten n\u00eb p\u00ebrfaq\u00ebsimin proporcional t\u00eb qyteteve p\u00ebrb\u00ebr\u00ebse sipas popullsis\u00eb. Pra, nuk kemi vet\u00ebm nj\u00eb hart\u00eb t\u00eb re, por nj\u00eb arkitektur\u00eb t\u00eb re institucionale: bashki, qytet dhe nj\u00ebsi administrative ose fshatra.<\/p>\n<p>K\u00ebtu nuk kemi vet\u00ebm nj\u00eb model t\u00eb ri q\u00eb mbetet p\u00ebr t\u2019u plot\u00ebsuar n\u00eb t\u00eb ardhmen, por nj\u00eb mosp\u00ebrputhje t\u00eb drejtp\u00ebrdrejt\u00eb me ligjin n\u00eb fuqi p\u00ebr vet\u00ebqeverisjen vendore. Neni 6 i ligjit nr. 139\/2015 p\u00ebrcakton se bashkia p\u00ebrb\u00ebhet nga nj\u00ebsit\u00eb administrative dhe se k\u00ebto t\u00eb fundit p\u00ebrb\u00ebhen nga qytetet dhe\/ose fshatrat. Neni 1 pika 2 i projektligjit p\u00ebrmbys k\u00ebt\u00eb hierarki: bashkia p\u00ebrb\u00ebhet nga qytetet, nd\u00ebrsa qytetet p\u00ebrb\u00ebhen nga nj\u00ebsit\u00eb administrative dhe\/ose fshatrat. Pra, nd\u00ebrsa ligji n\u00eb fuqi nd\u00ebrton struktur\u00ebn Bashki\u2013Nj\u00ebsi Administrative\u2013Qytet\/Fshat, projektligji nd\u00ebrton struktur\u00ebn Bashki\u2013Qytet\u2013Nj\u00ebsi Administrative\/Fshat.<\/p>\n<p>Kjo mosp\u00ebrputhje nuk mund t\u00eb lihet p\u00ebr t\u2019u zgjidhur pas miratimit t\u00eb hart\u00ebs. Aq m\u00eb tep\u00ebr kur vet\u00eb projektligji deklaron se statusi i posa\u00e7\u00ebm juridik i qytetit do t\u00eb rregullohet nga ligji p\u00ebr organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb ligji q\u00eb sot rregullon pik\u00ebrisht k\u00ebt\u00eb fush\u00eb e vendos qytetin n\u00eb nj\u00eb pozicion juridik t\u00eb kund\u00ebrt. P\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye, ndryshimi i ligjit nr. 139\/2015 nuk paraqitet si nj\u00eb p\u00ebrshtatje eventuale pas reform\u00ebs, por si kusht i koherenc\u00ebs normative t\u00eb vet\u00eb modelit q\u00eb propozohet.<\/p>\n<p>Nuk mund t\u00eb vendosim sot kufijt\u00eb dhe nes\u00ebr t\u00eb vendosim se si do t\u00eb qeveriset territori q\u00eb krijuam sot. \u00cbsht\u00eb funksioni publik, demokracia vendore dhe interesi i komunitetit q\u00eb duhet t\u00eb p\u00ebrcaktojn\u00eb territorin optimal dhe jo territori i paracaktuar ai q\u00eb m\u00eb pas i imponon ligjv\u00ebn\u00ebsit funksionet, institucionet dhe p\u00ebrfaq\u00ebsimin.<\/p>\n<p>Kjo nuk \u00ebsht\u00eb vet\u00ebm nj\u00eb zgjedhje e politik\u00ebs s\u00eb mir\u00eb administrative, por logjika mbi t\u00eb cil\u00ebn \u00ebsht\u00eb nd\u00ebrtuar vet\u00eb ligji nr. 139\/2015. Neni 86 i tij e lidh riorganizimin administrativo-territorial me interesat ekonomik\u00eb e social\u00eb, tradit\u00ebn, kultur\u00ebn, lidhjet tradicionale dhe vlerat e tjera vendore, por mbi t\u00eb gjitha me q\u00ebllimin e realizimit n\u00eb nj\u00eb nivel m\u00eb t\u00eb lart\u00eb t\u00eb funksioneve n\u00eb p\u00ebrfitim t\u00eb bashk\u00ebsis\u00eb vendore. Pra, edhe ligji n\u00eb fuqi e koncepton territorin si instrument p\u00ebr ushtrimin m\u00eb t\u00eb mir\u00eb t\u00eb funksioneve dhe jo funksionet si pasoj\u00eb q\u00eb duhet t\u2019i p\u00ebrshtaten m\u00eb von\u00eb nj\u00eb territori t\u00eb paracaktuar.<\/p>\n<p>Relacioni dhe raporti shpjegues p\u00ebrmendin z\u00ebvend\u00ebskryetar\u00eb p\u00ebr qytetet, sportele t\u00eb integruara, sh\u00ebrbime t\u00eb l\u00ebvizshme, transport publik, buxhetim me pjes\u00ebmarrje, raportim performance, si dhe masa p\u00ebr transferimin e pasurive, detyrimeve, buxheteve dhe punonj\u00ebsve. Megjithat\u00eb, k\u00ebto garanci nuk jan\u00eb p\u00ebrfshir\u00eb n\u00eb dispozitat e projektligjit. Relacioni shpjegues nuk mund t\u00eb z\u00ebvend\u00ebsoj\u00eb norm\u00ebn juridike. Elementet q\u00eb kusht\u00ebzojn\u00eb funksionimin e hart\u00ebs s\u00eb re duhet t\u00eb p\u00ebrkthehen n\u00eb dispozita t\u00eb qarta, t\u00eb detyrueshme dhe t\u00eb zbatueshme.<\/p>\n<p>LIGJI P\u00cbR VET\u00cbQEVERISJEN VENDORE DHE HARTA E RE DUHET T\u00cb TRAJTOHEN S\u00cb BASHKU<br \/>\nLigji nr. 139\/2015 nuk \u00ebsht\u00eb nj\u00eb ligj teknik p\u00ebr administrat\u00ebn bashkiake. Ai p\u00ebrcakton autonomin\u00eb, subsidiaritetin, organet, funksionet, kompetencat, financimin dhe marr\u00ebdh\u00ebnien qend\u00ebr\u2013vendor. Vet\u00eb ligji e p\u00ebrkufizon subsidiaritetin si ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave n\u00eb nivelin e qeverisjes sa m\u00eb pran\u00eb komunitetit, duke marr\u00eb parasysh natyr\u00ebn e detyr\u00ebs, eficienc\u00ebn dhe ekonomin\u00eb. Po ashtu p\u00ebrcakton se misioni i vet\u00ebqeverisjes p\u00ebrfshin qeverisjen sa m\u00eb pran\u00eb qytetar\u00ebve, njohjen e identiteteve t\u00eb ndryshme t\u00eb bashk\u00ebsive, realizimin e sh\u00ebrbimeve sipas nevojave t\u00eb tyre dhe pjes\u00ebmarrjen gjith\u00ebp\u00ebrfshir\u00ebse t\u00eb komunitetit.<\/p>\n<p>Prandaj pyetja q\u00eb k\u00ebrkon nj\u00eb p\u00ebrgjigje nga Ju \u00ebsht\u00eb: A mund t\u00eb p\u00ebrcaktojm\u00eb fillimisht territorin dhe vet\u00ebm m\u00eb pas t\u00eb vendosim modelin e vet\u00ebqeverisjes q\u00eb do t\u00eb funksionoj\u00eb mbi t\u00eb?<\/p>\n<p>Vler\u00ebsimi im \u00ebsht\u00eb se k\u00ebto dy procese duhet t\u00eb jen\u00eb s\u00eb paku t\u00eb nj\u00ebkohshme. P\u00ebrpara miratimit p\u00ebrfundimtar t\u00eb hart\u00ebs duhet t\u00eb jen\u00eb t\u00eb qarta pasojat e saj mbi kompetencat, funksionet, financimin, p\u00ebrfaq\u00ebsimin, organizimin administrativ dhe ofrimin e sh\u00ebrbimeve. P\u00ebrndryshe, harta nuk do t\u00eb jet\u00eb produkt i modelit t\u00eb vet\u00ebqeverisjes, por modeli i vet\u00ebqeverisjes do t\u00eb detyrohet t\u00eb b\u00ebhet produkt i hart\u00ebs.<\/p>\n<p>Kjo \u00e7\u00ebshtje b\u00ebhet edhe m\u00eb konkrete n\u00eb drit\u00ebn e nenit 92 t\u00eb ligjit nr. 139\/2015, i cili k\u00ebrkon q\u00eb nj\u00ebsit\u00eb e krijuara ose t\u00eb prekura nga riorganizimi t\u00eb funksionojn\u00eb normalisht \u201csipas k\u00ebtij ligji\u201d, duke garantuar vazhdim\u00ebsin\u00eb e funksioneve dhe sh\u00ebrbimeve baz\u00eb. N\u00ebse projektligji i ri ndryshon struktur\u00ebn territoriale, krijon nj\u00eb status t\u00eb ri juridik p\u00ebr \u201cqytetin\u201d dhe parashikon nj\u00eb logjik\u00eb t\u00eb re p\u00ebrfaq\u00ebsimi, at\u00ebher\u00eb duhet t\u00eb jet\u00eb e qart\u00eb, p\u00ebrpara hyrjes n\u00eb fuqi t\u00eb hart\u00ebs s\u00eb re, se si k\u00ebto ndryshime do t\u00eb funksionojn\u00eb brenda ose n\u00ebp\u00ebrmjet ndryshimit t\u00eb ligjit baz\u00eb t\u00eb vet\u00ebqeverisjes vendore. P\u00ebrndryshe krijohet nj\u00eb boshll\u00ebk nd\u00ebrmjet hart\u00ebs s\u00eb re dhe regjimit juridik q\u00eb duhet ta b\u00ebj\u00eb at\u00eb funksionale.<\/p>\n<p>K\u00ebrkon sqarim t\u00eb posa\u00e7\u00ebm edhe marr\u00ebdh\u00ebnia nd\u00ebrmjet nenit 3 t\u00eb projektligjit dhe nenit 92, pika 1, t\u00eb ligjit nr. 139\/2015. Projektligji parashikon vazhdimin e funksionimit t\u00eb organeve t\u00eb zgjedhura n\u00eb vitin 2023 deri n\u00eb konstituimin e organeve t\u00eb reja n\u00eb vitin 2027, nd\u00ebrsa ligji n\u00eb fuqi parashikon zgjedhje t\u00eb pjesshme kur riorganizimi me ndryshim kufijsh krijon nj\u00ebsi t\u00eb reja ose sjell papajtueshm\u00ebri me vazhdimin e mandatit t\u00eb shumic\u00ebs s\u00eb k\u00ebshilltar\u00ebve. Duhet t\u00eb p\u00ebrcaktohet shprehimisht regjimi q\u00eb do t\u00eb zbatohet dhe m\u00ebnyra se si, gjat\u00eb periudh\u00ebs kalimtare, do t\u00eb ushtrohen kompetencat, do t\u00eb administrohen t\u00eb ardhurat dhe do t\u00eb financohen sh\u00ebrbimet n\u00eb territoret e prekura.<\/p>\n<p>\u00c7DO NDRYSHIM TERRITORIAL DUHET T\u00cb KALOJ\u00cb TESTIN E NENIT 108 T\u00cb KUSHTETUT\u00cbS<br \/>\nNeni 108 pika 2 vendos si kritere materiale, nevojat, interesat e p\u00ebrbashk\u00ebta ekonomik\u00eb dhe tradit\u00ebn historike. P\u00ebr k\u00ebt\u00eb arsye, p\u00ebr secilin bashkim apo ndryshim kufiri duhet t\u00eb jet\u00eb e demonstrueshme: nevoja konkrete q\u00eb e justifikon; interesi ekonomik i p\u00ebrbashk\u00ebt; lidhja historike, gjeografike dhe sociale; ndikimi mbi aksesin n\u00eb sh\u00ebrbime; ndikimi financiar dhe administrativ; ndikimi mbi p\u00ebrfaq\u00ebsimin; ruajtja e identitetit t\u00eb komunitetit; si dhe proporcionaliteti nd\u00ebrmjet eficienc\u00ebs administrative dhe af\u00ebrsis\u00eb s\u00eb qeverisjes me qytetarin.<\/p>\n<p>Vet\u00eb propozuesit kan\u00eb identifikuar si objektiva t\u00eb reform\u00ebs ruajtjen e identitetit vendor dhe ekuilibrin nd\u00ebrmjet eficienc\u00ebs dhe af\u00ebrsis\u00eb me qytetarin. K\u00ebto nuk mund t\u00eb mbeten vet\u00ebm objektiva politike t\u00eb relacionit. Ato duhet t\u00eb b\u00ebhen kritere t\u00eb demonstrueshme p\u00ebr \u00e7do ndryshim konkret territorial dhe standard i nj\u00ebjt\u00eb vler\u00ebsimi p\u00ebr \u00e7do territor t\u00eb propozuar.<\/p>\n<p>P\u00ebr Bashkin\u00eb Tiran\u00eb, projektligji ka pasoja t\u00eb drejtp\u00ebrdrejta, sepse parashikon p\u00ebrfshirjen e nj\u00ebsis\u00eb administrative \u201cRinas\u201d n\u00eb territorin e saj. P\u00ebrpara se Bashkia Tiran\u00eb t\u00eb jap\u00eb nj\u00eb mendim t\u00eb plot\u00eb dhe t\u00eb argumentuar, duhet t\u2019i vihet n\u00eb dispozicion nj\u00eb vler\u00ebsim i posa\u00e7\u00ebm mbi popullsin\u00eb dhe territorin e prekur, kompetencat dhe sh\u00ebrbimet q\u00eb do t\u00eb transferohen, pasurit\u00eb dhe detyrimet, ndikimin mbi t\u00eb ardhurat dhe shpenzimet vendore, personelin, planifikimin e territorit dhe vazhdim\u00ebsin\u00eb e sh\u00ebrbimeve publike.<\/p>\n<p>Nga dokumentacioni i p\u00ebrcjell\u00eb rezulton se nisma legjislative i p\u00ebrket grupit t\u00eb deputet\u00ebve propozues dhe se administrata e Kuvendit ka kryer p\u00ebrcjelljen e saj p\u00ebr marrjen e mendimeve. Ky dallim institucional duhet t\u00eb ruhet, por \u00e7\u00ebshtja kryesore \u00ebsht\u00eb rendi n\u00eb t\u00eb cilin po zhvillohet procedura e posa\u00e7me e riorganizimit territorial.<\/p>\n<p>Neni 89 i ligjit nr. 139\/2015 parashikon se propozimi p\u00ebr riorganizimin, p\u00ebr \u00e7do rast t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb, i paraqitet Kuvendit s\u00eb bashku me arsyet ekonomike, sociale, kulturore, demografike dhe administrative, mendimin e popullsis\u00eb s\u00eb nj\u00ebsive q\u00eb riorganizohen, hartat p\u00ebrkat\u00ebse dhe m\u00ebnyr\u00ebn e rregullimit t\u00eb \u00e7\u00ebshtjeve financiare dhe t\u00eb detyrimeve. N\u00eb rastin konkret, projektligji \u00ebsht\u00eb hartuar dhe depozituar me ndarjen e re, tabelat, hartat dhe zgjidhjet p\u00ebrkat\u00ebse, nd\u00ebrsa mendimi i popullsis\u00eb k\u00ebrkohet pasi kjo zgjidhje \u00ebsht\u00eb formuluar.<\/p>\n<p>Edhe raporti q\u00eb shoq\u00ebron projektligjin e paraqet marrjen e mendimit t\u00eb popullsis\u00eb si nj\u00eb proces q\u00eb do t\u00eb plot\u00ebsohet p\u00ebrpara shqyrtimit p\u00ebrfundimtar n\u00eb seanc\u00eb plenare. Kjo tregon se mendimi i popullsis\u00eb nuk ka qen\u00eb pjes\u00eb e materialit mbi t\u00eb cilin \u00ebsht\u00eb nd\u00ebrtuar fillimisht zgjidhja territoriale, por synohet t\u2019i bashk\u00ebngjitet asaj n\u00eb nj\u00eb faz\u00eb t\u00eb m\u00ebvonshme.<\/p>\n<p>Nj\u00eb sekuenc\u00eb e till\u00eb krijon rrezikun q\u00eb konsultimi t\u00eb reduktohet n\u00eb nj\u00eb procedur\u00eb formale p\u00ebr t\u00eb plot\u00ebsuar dokumentacionin e nj\u00eb projekti tashm\u00eb t\u00eb p\u00ebrfunduar, n\u00eb vend q\u00eb t\u00eb sh\u00ebrbej\u00eb si proces real p\u00ebr formimin ose ndryshimin e zgjidhjes territoriale. P\u00ebr t\u00eb shmangur k\u00ebt\u00eb pasoj\u00eb, duhet t\u00eb provohet se konsultimi zhvillohet mbi alternativa ende t\u00eb hapura, se qytetar\u00ebve u jepet informacion i plot\u00eb p\u00ebr pasojat e ndryshimit dhe se rezultatet e konsultimit mund t\u00eb sjellin rishikimin e hart\u00ebs, t\u00eb tabelave dhe t\u00eb p\u00ebrmbajtjes s\u00eb projektligjit.<\/p>\n<p>Neni 90, pika 3, i ligjit nr. 139\/2015 u njeh organeve vendore nj\u00eb afat prej 60 dit\u00ebsh nga marrja e k\u00ebrkes\u00ebs s\u00eb propozuesit p\u00ebr shprehjen e mendimit. Edhe dokumentacioni i p\u00ebrcjell\u00eb Bashkis\u00eb parashikon afatin 60-ditor. Respektimi i k\u00ebtij afati \u00ebsht\u00eb i domosdosh\u00ebm, por afati, i vet\u00ebm, nuk e zgjidh problemin e sekuenc\u00ebs: konsultimi duhet t\u00eb ket\u00eb mund\u00ebsi reale t\u00eb ndikoj\u00eb mbi nj\u00eb zgjidhje q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb trajtuar si e pakthyeshme.<\/p>\n<p>MENDIMI I POPULLSIS\u00cb \u00cbSHT\u00cb KUSHT KUSHTETUES PARAPRAK<br \/>\nKushtetuta nuk k\u00ebrkon vet\u00ebm informimin e qytetar\u00ebve. Neni 108, pika 2, k\u00ebrkon q\u00eb kufijt\u00eb t\u00eb mos ndryshohen pa u marr\u00eb m\u00eb par\u00eb mendimi i popullsis\u00eb. Fjala \u201cm\u00eb par\u00eb\u201d p\u00ebrcakton nj\u00eb kusht paraprak dhe jo nj\u00eb formalitet q\u00eb mund t\u00eb p\u00ebrmbushet pasi zgjidhja territoriale \u00ebsht\u00eb p\u00ebrfunduar. E nj\u00ebjta sekuenc\u00eb reflektohet n\u00eb nenin 89 t\u00eb ligjit nr. 139\/2015, i cili e p\u00ebrfshin mendimin e popullsis\u00eb nd\u00ebr elementet q\u00eb shoq\u00ebrojn\u00eb propozimin kur ai i paraqitet Kuvendit.<\/p>\n<p>P\u00ebr rrjedhoj\u00eb, konsultimi duhet t\u00eb jet\u00eb i informuar, gjith\u00ebp\u00ebrfshir\u00ebs, i dokumentuar dhe i zhvilluar n\u00eb nj\u00eb faz\u00eb kur alternativa territoriale \u00ebsht\u00eb ende realisht e hapur. Duhet t\u00eb b\u00ebhen t\u00eb njohura territori dhe popullsia e prekur, arsyet e ndryshimit, pasojat mbi p\u00ebrfaq\u00ebsimin, sh\u00ebrbimet, financat dhe pronat, m\u00ebnyra e konsultimit, pjes\u00ebmarrja, q\u00ebndrimet e shprehura dhe m\u00ebnyra se si ato jan\u00eb marr\u00eb n\u00eb konsiderat\u00eb. Pa k\u00ebto elemente, marrja e mendimit rrezikon t\u00eb mbetet vet\u00ebm nj\u00eb konfirmim formal i nj\u00eb vendimmarrjeje t\u00eb kryer m\u00eb par\u00eb.<\/p>\n<p>Dokumentacioni i p\u00ebrcjell\u00eb k\u00ebrkon mendimin e argumentuar t\u00eb Kryetarit t\u00eb Bashkis\u00eb, shqyrtimin dhe q\u00ebndrimin institucional t\u00eb K\u00ebshillit Bashkiak, p\u00ebrfshir\u00eb q\u00ebndrimet alternative, si dhe organizimin e konsultimit t\u00eb popullsis\u00eb nga Bashkia. Kryetari dhe K\u00ebshilli jan\u00eb organe t\u00eb ndryshme, me legjitimitet dhe kompetenca t\u00eb dallueshme. K\u00ebshilli duhet t\u00eb ket\u00eb mund\u00ebsin\u00eb t\u00eb njihet me mendimin institucional t\u00eb Kryetarit dhe ta marr\u00eb at\u00eb n\u00eb konsiderat\u00eb, pa qen\u00eb i detyruar prej tij, p\u00ebrpara se t\u00eb formoj\u00eb p\u00ebrfundimisht q\u00ebndrimin e vet.<\/p>\n<p>N\u00eb rastin e Bashkis\u00eb Tiran\u00eb ekziston nj\u00eb rrethan\u00eb institucionale q\u00eb Kuvendi nuk mund ta anashkaloj\u00eb. N\u00eb procedur\u00ebn e iniciuar nga propozuesit dhe t\u00eb p\u00ebrcjell\u00eb n\u00ebp\u00ebrmjet Kuvendit, Bashkis\u00eb Tiran\u00eb i \u00ebsht\u00eb k\u00ebrkuar, si pjes\u00eb e t\u00eb nj\u00ebjtit proces, t\u00eb paraqes\u00eb mendimin e argumentuar t\u00eb Kryetarit dhe q\u00ebndrimin e K\u00ebshillit Bashkiak, si dhe t\u00eb organizoj\u00eb konsultimin e popullsis\u00eb. K\u00ebto nuk jan\u00eb tri formalitete t\u00eb shk\u00ebputura, por elemente plot\u00ebsuese t\u00eb formimit t\u00eb q\u00ebndrimit institucional dhe t\u00eb marrjes s\u00eb mendimit t\u00eb komunitetit.<\/p>\n<p>Kryetari duhet t\u00eb kishte mund\u00ebsin\u00eb t\u00eb paraqiste mendimin e tij p\u00ebrpara K\u00ebshillit, nd\u00ebrsa K\u00ebshilli, pa qen\u00eb n\u00eb asnj\u00eb m\u00ebnyr\u00eb i detyruar prej tij, duhet t\u00eb kishte mund\u00ebsin\u00eb ta merrte at\u00eb n\u00eb konsiderat\u00eb gjat\u00eb formimit t\u00eb q\u00ebndrimit t\u00eb vet. Kjo \u00ebsht\u00eb b\u00ebr\u00eb objektivisht e pamundur. Kryetari ndodhet n\u00ebn nj\u00eb mas\u00eb q\u00eb pengon ushtrimin normal t\u00eb mandatit dhe k\u00ebrkesa p\u00ebr t\u2019i mund\u00ebsuar pjes\u00ebmarrjen n\u00eb k\u00ebt\u00eb proces \u00ebsht\u00eb refuzuar nga SPAK.<\/p>\n<p>K\u00ebshtu krijohet nj\u00eb kontradikt\u00eb institucionale. Kuvendi k\u00ebrkon ushtrimin e nj\u00eb funksioni nga organi i zgjedhur vendor, nd\u00ebrsa efekti i nj\u00eb mase t\u00eb marr\u00eb n\u00eb kuad\u00ebr t\u00eb kompetencave t\u00eb nj\u00eb organi tjet\u00ebr shtet\u00ebror e b\u00ebn t\u00eb pamundur ushtrimin efektiv t\u00eb k\u00ebtij funksioni. Pasoja nuk prek vet\u00ebm Kryetarin; ajo cenon plot\u00ebsin\u00eb e q\u00ebndrimit t\u00eb K\u00ebshillit dhe t\u00eb procesit p\u00ebrmes t\u00eb cilit Bashkia duhet t\u00eb organizoj\u00eb e t\u00eb p\u00ebrcjell\u00eb mendimin e qytetar\u00ebve, t\u00eb cilin neni 108, pika 2, i Kushtetut\u00ebs e k\u00ebrkon p\u00ebrpara ndryshimit t\u00eb kufijve.<\/p>\n<p>P\u00cbRFAQ\u00cbSIMI PROPORCIONAL I \u201cQYTETEVE\u201d K\u00cbRKON SQARIM KUSHTETUES P\u00cbRPARA MIRATIMIT<br \/>\nProjektligji parashikon gjithashtu q\u00eb organizimi dhe p\u00ebrfaq\u00ebsimi i bashkis\u00eb t\u00eb mb\u00ebshteten n\u00eb parimin e p\u00ebrfaq\u00ebsimit proporcional t\u00eb qyteteve p\u00ebrb\u00ebr\u00ebse sipas popullsis\u00eb. N\u00ebse \u201cqyteti\u201d b\u00ebhet nj\u00ebsi referimi p\u00ebr p\u00ebrb\u00ebrjen e organit p\u00ebrfaq\u00ebsues t\u00eb bashkis\u00eb, at\u00ebher\u00eb nd\u00ebrhyhet drejtp\u00ebrdrejt n\u00eb m\u00ebnyr\u00ebn se si p\u00ebrkthehet vota e qytetar\u00ebve n\u00eb p\u00ebrfaq\u00ebsim politik.<\/p>\n<p>Kushtetuta p\u00ebrcakton se k\u00ebshillat e nj\u00ebsive baz\u00eb zgjidhen me zgjedhje t\u00eb p\u00ebrgjithshme, t\u00eb drejtp\u00ebrdrejta dhe votim t\u00eb fsheht\u00eb dhe se e drejta p\u00ebr t\u00eb zgjedhur organet vendore lidhet me banimin e p\u00ebrhersh\u00ebm n\u00eb territorin e nj\u00ebsis\u00eb p\u00ebrkat\u00ebse. Prandaj p\u00ebrpara se t\u00eb miratohet parimi i ri duhet t\u00eb sqarohet:<\/p>\n<p>\u00c7far\u00eb \u00ebsht\u00eb \u201cqyteti\u201d p\u00ebr q\u00ebllime zgjedhore? A krijohen zona territoriale p\u00ebrfaq\u00ebsimi brenda bashkis\u00eb? Si ruhet barazia e vot\u00ebs nd\u00ebrmjet qytetar\u00ebve q\u00eb banojn\u00eb n\u00eb qytete t\u00eb ndryshme? Si p\u00ebrfaq\u00ebsohen banor\u00ebt e fshatrave dhe nj\u00ebsive administrative? Dhe mbi t\u00eb gjitha, a mund t\u00eb p\u00ebrcaktohet sot parimi i p\u00ebrfaq\u00ebsimit, nd\u00ebrkoh\u00eb q\u00eb mekanizmi juridik dhe zgjedhor p\u00ebr realizimin e tij lihet p\u00ebr nj\u00eb nd\u00ebrhyrje t\u00eb ardhshme legjislative?<\/p>\n<p>K\u00ebto \u00e7\u00ebshtje nuk mund t\u2019i lihen vet\u00ebm legjislacionit t\u00eb ardhsh\u00ebm zgjedhor, sepse vet\u00eb projektligji territorial po p\u00ebrcakton q\u00eb sot parimin mbi t\u00eb cilin do t\u00eb nd\u00ebrtohet p\u00ebrfaq\u00ebsimi. Kur ligji q\u00eb p\u00ebrcakton territorin p\u00ebrcakton nj\u00ebkoh\u00ebsisht edhe nj\u00ebsin\u00eb territoriale t\u00eb referimit p\u00ebr p\u00ebrfaq\u00ebsimin politik, ai duhet t\u00eb jet\u00eb i parashikuesh\u00ebm n\u00eb pasojat e tij mbi barazin\u00eb e vot\u00ebs dhe p\u00ebrfaq\u00ebsimin e komuniteteve p\u00ebrb\u00ebr\u00ebse.<\/p>\n<p>KOMPETENCA P\u00cbR RIORGANIZIMIN E BRENDSH\u00cbM DUHET T\u00cb KUFIZOHET QART\u00cb<br \/>\nProjektligji parashikon q\u00eb K\u00ebshilli Bashkiak mund t\u00eb ndryshoj\u00eb em\u00ebrtimin, shtrirjen territoriale dhe kufijt\u00eb e nj\u00ebsive administrative p\u00ebrb\u00ebr\u00ebse dhe t\u00eb n\u00ebnndarjeve t\u00eb tyre, me miratim p\u00ebrfundimtar nga K\u00ebshilli i Ministrave. Formulimi duhet t\u00eb p\u00ebrcaktoj\u00eb shprehimisht se kjo kompetenc\u00eb ushtrohet vet\u00ebm p\u00ebr riorganizime t\u00eb brendshme q\u00eb nuk ndryshojn\u00eb kufirin e jasht\u00ebm t\u00eb bashkis\u00eb dhe nuk transferojn\u00eb territor nga nj\u00eb bashki te nj\u00eb tjet\u00ebr.<\/p>\n<p>Ligji nr. 139\/2015 njeh kompetenca p\u00ebr p\u00ebrdit\u00ebsimin e hartave administrativo-territoriale mbi baz\u00ebn e ligjit n\u00eb fuqi p\u00ebr ndarjen territoriale. P\u00ebrdit\u00ebsimi teknik ose hartografik i nj\u00eb kufiri t\u00eb p\u00ebrcaktuar me ligj nuk \u00ebsht\u00eb i nj\u00ebjt\u00eb me ndryshimin juridik t\u00eb shtrirjes territoriale. Projektligji duhet t\u2019i ndaj\u00eb qart\u00eb k\u00ebto dy raste dhe t\u00eb mos lejoj\u00eb q\u00eb nj\u00eb kompetenc\u00eb p\u00ebr organizimin e brendsh\u00ebm t\u00eb interpretohet si kompetenc\u00eb p\u00ebr ndryshimin e kufijve nd\u00ebrmjet bashkive.<\/p>\n<p>N\u00ebse synohet kalimi i territorit nga nj\u00eb bashki n\u00eb nj\u00eb tjet\u00ebr, nj\u00eb ndryshim i till\u00eb duhet t\u00eb realizohet me ligj t\u00eb ve\u00e7ant\u00eb dhe n\u00eb respektim t\u00eb plot\u00eb t\u00eb nenit 108 t\u00eb Kushtetut\u00ebs dhe t\u00eb procedur\u00ebs s\u00eb parashikuar n\u00eb ligjin nr. 139\/2015. Vendimi i K\u00ebshillit Bashkiak dhe miratimi i K\u00ebshillit t\u00eb Ministrave nuk mund ta z\u00ebvend\u00ebsojn\u00eb k\u00ebt\u00eb procedur\u00eb.<\/p>\n<p>T\u00eb gjitha k\u00ebto \u00e7\u00ebshtje lidhen, n\u00eb fund, me nj\u00eb k\u00ebrkes\u00eb themelore t\u00eb shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs: parashikueshm\u00ebrin\u00eb dhe sigurin\u00eb juridike. Nj\u00eb reform\u00eb q\u00eb ndryshon nj\u00ebkoh\u00ebsisht territorin, struktur\u00ebn e brendshme t\u00eb bashkive dhe parimin e p\u00ebrfaq\u00ebsimit t\u00eb komuniteteve t\u00eb tyre duhet t\u00eb jet\u00eb e plot\u00eb dhe e zbatueshme q\u00eb n\u00eb momentin e miratimit. Nuk duhet t\u2019i lihet legjislacionit t\u00eb ardhsh\u00ebm p\u00ebrcaktimi i elementeve pa t\u00eb cilat sot nuk mund t\u00eb vler\u00ebsohen plot\u00ebsisht pasojat juridike, institucionale, financiare dhe demokratike t\u00eb hart\u00ebs q\u00eb propozohet. Sa m\u00eb themelore t\u00eb jet\u00eb reforma, aq m\u00eb i lart\u00eb duhet t\u00eb jet\u00eb standardi i qart\u00ebsis\u00eb dhe koherenc\u00ebs s\u00eb saj normative.<\/p>\n<p>P\u00cbRFUNDIME DHE K\u00cbRKESA<br \/>\nP\u00ebr t\u00eb gjitha k\u00ebto arsye, vler\u00ebsoj se projektligji, n\u00eb form\u00ebn dhe n\u00eb faz\u00ebn procedurale n\u00eb t\u00eb cil\u00ebn m\u00eb \u00ebsht\u00eb p\u00ebrcjell\u00eb, nuk ofron ende t\u00eb gjitha garancit\u00eb dhe elementet normative t\u00eb nevojshme p\u00ebr miratimin e nj\u00eb reforme me k\u00ebt\u00eb r\u00ebnd\u00ebsi kushtetuese. N\u00eb ve\u00e7anti, hartimi dhe depozitimi i zgjidhjes territoriale p\u00ebrpara marrjes s\u00eb mendimit t\u00eb popullsis\u00eb krijon rrezikun q\u00eb konsultimi t\u00eb zhvillohet si formalitet pasues dhe jo si proces q\u00eb ndikon realisht n\u00eb p\u00ebrmbajtjen e reform\u00ebs. Ky q\u00ebndrim nuk p\u00ebrb\u00ebn kund\u00ebrshtim ndaj nevoj\u00ebs p\u00ebr t\u00eb rishikuar organizimin territorial, por k\u00ebrkes\u00eb q\u00eb reforma t\u00eb jet\u00eb e plot\u00eb, koherente, realisht e konsultuar dhe kushtetutshm\u00ebrisht e q\u00ebndrueshme.<\/p>\n<p>P\u00ebrpara vijimit t\u00eb procesit dhe miratimit p\u00ebrfundimtar t\u00eb hart\u00ebs s\u00eb re, konsideroj t\u00eb nevojshme q\u00eb:<\/p>\n<p>T\u00eb pezullohet vijimi i shqyrtimit p\u00ebrfundimtar t\u00eb projektligjit deri n\u00eb zhvillimin dhe dokumentimin e konsultimit real, paraprak dhe efektiv t\u00eb popullsive t\u00eb prekura, n\u00eb nj\u00eb faz\u00eb kur rezultatet e tij mund t\u00eb sjellin rishikimin e zgjidhjes territoriale;<br \/>\nT\u00eb b\u00ebhen publike metodologjia e konsultimit, informacioni i v\u00ebn\u00eb n\u00eb dispozicion t\u00eb qytetar\u00ebve, pjes\u00ebmarrja, q\u00ebndrimet e shprehura dhe m\u00ebnyra se si ato jan\u00eb reflektuar ose arsyet e mosreflektimit t\u00eb tyre;<br \/>\nN\u00eb rastin e Bashkis\u00eb Tiran\u00eb, t\u00eb krijohen kushtet q\u00eb procesi institucional t\u00eb zhvillohet plot\u00ebsisht, duke p\u00ebrfshir\u00eb mendimin e Kryetarit, shqyrtimin e informuar nga K\u00ebshilli Bashkiak dhe konsultimin real t\u00eb qytetar\u00ebve;<br \/>\nP\u00ebr p\u00ebrfshirjen e nj\u00ebsis\u00eb administrative \u201cRinas\u201d n\u00eb Bashkin\u00eb Tiran\u00eb, t\u00eb paraqitet vler\u00ebsimi i plot\u00eb territorial, demografik, administrativ dhe financiar, p\u00ebrfshir\u00eb pasurit\u00eb, detyrimet, personelin, t\u00eb ardhurat, shpenzimet dhe vazhdim\u00ebsin\u00eb e sh\u00ebrbimeve publike;<br \/>\nT\u00eb harmonizohet projektligji territorial me ndryshimet e nevojshme n\u00eb ligjin nr. 139\/2015 dhe t\u00eb p\u00ebrfshihen n\u00eb dispozita detyruese statusi juridik i \u201cqytetit\u201d, funksionet, organizimi, financimi dhe garancit\u00eb e sh\u00ebrbimeve;<br \/>\nT\u00eb p\u00ebrcaktohet mekanizmi juridik dhe zgjedhor i p\u00ebrfaq\u00ebsimit proporcional t\u00eb qyteteve, duke garantuar barazin\u00eb e vot\u00ebs dhe p\u00ebrfaq\u00ebsimin e banor\u00ebve t\u00eb fshatrave dhe nj\u00ebsive administrative;<br \/>\nT\u00eb harmonizohet neni 3 i projektligjit me nenin 92 t\u00eb ligjit nr. 139\/2015 dhe t\u00eb rregullohet qart\u00eb administrimi i periudh\u00ebs kalimtare, p\u00ebrfshir\u00eb organet kompetente, pasurit\u00eb, detyrimet, buxhetet, personelin dhe ofrimin e sh\u00ebrbimeve;<br \/>\nT\u00eb dokumentohet, p\u00ebr \u00e7do ndryshim konkret territorial, p\u00ebrmbushja e kritereve materiale t\u00eb nenit 108, pika 2, t\u00eb Kushtetut\u00ebs dhe nenit 86 t\u00eb ligjit nr. 139\/2015;<br \/>\nT\u00eb p\u00ebrcaktohet shprehimisht se kompetenca e k\u00ebshillave bashkiak\u00eb p\u00ebr riorganizimin e nj\u00ebsive administrative kufizohet brenda territorit t\u00eb bashkis\u00eb dhe nuk p\u00ebrfshin ndryshimin e kufijve t\u00eb jasht\u00ebm ose transferimin e territorit nd\u00ebrmjet bashkive.<br \/>\nT\u00eb nderuar zonja dhe zot\u00ebrinj deputet,<\/p>\n<p>Nuk mund t\u00eb them sot, n\u00eb em\u00ebr t\u00eb qytetar\u00ebve t\u00eb Tiran\u00ebs, se ata jan\u00eb pro apo kund\u00ebr hart\u00ebs s\u00eb propozuar. Pik\u00ebrisht k\u00ebt\u00eb duhet t\u00eb p\u00ebrcaktoj\u00eb procedura kushtetuese, p\u00ebrmes nj\u00eb konsultimi q\u00eb nuk zhvillohet p\u00ebr t\u00eb konfirmuar formalisht nj\u00eb zgjidhje t\u00eb gatshme, por p\u00ebr t\u2019i dh\u00ebn\u00eb popullsis\u00eb s\u00eb prekur mund\u00ebsin\u00eb reale q\u00eb t\u00eb ndikoj\u00eb n\u00eb t\u00eb. Kryetari mund t\u00eb jap\u00eb mendimin e tij, K\u00ebshilli Bashkiak mund t\u00eb jap\u00eb t\u00eb vetin, propozuesit mund t\u00eb argumentojn\u00eb reform\u00ebn dhe Kuvendi ushtron kompetenc\u00ebn ligjv\u00ebn\u00ebse; por asnj\u00ebri prej k\u00ebtyre institucioneve nuk mund ta z\u00ebvend\u00ebsoj\u00eb mendimin q\u00eb Kushtetuta ia rezervon vet\u00eb popullsis\u00eb s\u00eb prekur.<\/p>\n<p>Jam zgjedhur p\u00ebr t\u2019u sh\u00ebrbyer qytetar\u00ebve t\u00eb Tiran\u00ebs deri n\u00eb p\u00ebrfundimin e mandatit tim. Kjo p\u00ebrgjegj\u00ebsi nuk b\u00ebhet m\u00eb e vog\u00ebl kur ushtrimi i saj b\u00ebhet m\u00eb i v\u00ebshtir\u00eb. P\u00ebrkundrazi, pik\u00ebrisht n\u00eb k\u00ebto momente provohet n\u00ebse mandati publik kuptohet si nj\u00eb pozicion q\u00eb i p\u00ebrket p\u00ebrkoh\u00ebsisht titullarit t\u00eb tij, apo si nj\u00eb p\u00ebrgjegj\u00ebsi q\u00eb buron nga qytetar\u00ebt dhe duhet ushtruar n\u00eb sh\u00ebrbim t\u00eb tyre.<\/p>\n<p>Ndaj, institucioni \u201cBashkia Tiran\u00eb\u201d duhet t\u00eb ushtroj\u00eb kompetenc\u00ebn q\u00eb i ka dh\u00ebn\u00eb Kushtetuta dhe asnj\u00eb kompetenc\u00eb tjet\u00ebr shtet\u00ebrore nuk duhet t\u00eb ushtrohet n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb till\u00eb q\u00eb ta b\u00ebj\u00eb k\u00ebt\u00eb kompetenc\u00eb praktikisht t\u00eb pavlefshme.<\/p>\n<p>Ndarja dhe pavar\u00ebsia e pushteteve nuk n\u00ebnkuptojn\u00eb izolimin e tyre nga rendi i p\u00ebrbashk\u00ebt kushtetues. \u00c7do organ \u00ebsht\u00eb i pavarur n\u00eb ushtrimin e kompetencave q\u00eb Kushtetuta dhe ligji i kan\u00eb dh\u00ebn\u00eb, por asnj\u00eb kompetenc\u00eb nuk duhet t\u00eb ushtrohet n\u00eb nj\u00eb m\u00ebnyr\u00eb q\u00eb e zhvesh nj\u00eb kompetenc\u00eb tjet\u00ebr kushtetuese nga p\u00ebrmbajtja e saj reale. Respektimi i sfer\u00ebs s\u00eb kompetencave, funksionit dhe legjitimitetit demokratik t\u00eb institucioneve t\u00eb tjera \u00ebsht\u00eb pjes\u00eb e vet\u00eb parimit t\u00eb shtetit t\u00eb s\u00eb drejt\u00ebs.<\/p>\n<p>Besoj se shumica politike s\u00eb cil\u00ebs i p\u00ebrkas nuk duhet t\u2019i druhet k\u00ebtij standardi. P\u00ebrkundrazi, nj\u00eb shumic\u00eb q\u00eb ka marr\u00eb p\u00ebrsip\u00ebr reforma t\u00eb thella institucionale duhet t\u00eb ket\u00eb ambicien q\u00eb reformat e saj t\u00eb jen\u00eb t\u00eb q\u00ebndrueshme jo vet\u00ebm p\u00ebr sa koh\u00eb ajo disponon votat p\u00ebr t\u2019i miratuar, por edhe kur ato t\u2019i n\u00ebnshtrohen prov\u00ebs s\u00eb koh\u00ebs, kontrollit kushtetues dhe zbatimit nga shumica t\u00eb tjera politike.<\/p>\n<p>Kur Kushtetuta k\u00ebrkon q\u00eb qytetar\u00ebt t\u00eb d\u00ebgjohen, detyra jon\u00eb \u00ebsht\u00eb t\u00eb krijojm\u00eb kushtet q\u00eb ata t\u00eb flasin vet\u00eb dhe pastaj t\u2019i d\u00ebgjojm\u00eb.<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Kryetari i arrestuar i Bashkis\u00eb s\u00eb Tiran\u00eb, Erion Veliaj, nga qelia e burgut, ka dal\u00eb kund\u00ebr nism\u00ebs p\u00ebr riorganizimin administrativo-territorial dhe ka k\u00ebrkuar pezullimin e procesit p\u00ebr ndarjen e re t\u00eb bashkive. N\u00eb nj\u00eb let\u00ebr drejtuar Kuvendit, Veliaj ka dal\u00eb kund\u00ebr Ram\u00ebs duke argumentuar se ndryshimi i hart\u00ebs territoriale nuk mund t\u00eb b\u00ebhet pa u [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":2,"featured_media":98914,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[118],"tags":[],"class_list":{"0":"post-98913","1":"post","2":"type-post","3":"status-publish","4":"format-standard","5":"has-post-thumbnail","7":"category-kryesore"},"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/98913","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/users\/2"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=98913"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/98913\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":98915,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/98913\/revisions\/98915"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media\/98914"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=98913"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=98913"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=98913"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}