{"id":87086,"date":"2025-02-18T10:52:41","date_gmt":"2025-02-18T10:52:41","guid":{"rendered":"https:\/\/neutrale.al\/?p=87086"},"modified":"2025-02-18T10:52:41","modified_gmt":"2025-02-18T10:52:41","slug":"lazer-stani-tre-vite-me-pare-me-18-shkurt-2022-u-nda-nga-jeta-poeti-dhe-miku-im-i-shtrenjte-bardhyl-londo","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/2025\/02\/18\/lazer-stani-tre-vite-me-pare-me-18-shkurt-2022-u-nda-nga-jeta-poeti-dhe-miku-im-i-shtrenjte-bardhyl-londo\/","title":{"rendered":"Lazer Stani\/ Tre vite m\u00eb par\u00eb, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti dhe miku im i shtrenjte Bardhyl Londo!"},"content":{"rendered":"<p>Rikthim n\u00eb tempullin e poezis\u00eb<\/p>\n<p>\u201cSh\u00ebn Shiu\u201d i Bardhyl Londos<\/p>\n<p>Laz\u00ebr Stani<\/p>\n<p>Rileximi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb akt i rreziksh\u00ebm: edhe kur n\u00eb leximin e par\u00eb, para dhjet\u00eb apo nj\u00ebzet vjet\u00ebsh libri t\u00eb ka befasuar, t\u00eb ka tronditur, t\u00eb ka magjepsur; edhe kur autorin e ke mik, ndan me t\u00eb her\u00eb pas here koh\u00eb t\u00eb \u00e7muar. \u00cbsht\u00eb si t\u00eb takosh nj\u00eb grua q\u00eb e ke dashur para dhjet\u00eb, nj\u00ebzet apo tridhjet\u00eb vjet\u00ebsh. Ti b\u00ebhesh gati t\u00eb shkosh n\u00eb takim dhe ndihesh i pushtuar nga ankthi, nuk je i sigurt\u00eb p\u00ebr asgj\u00eb, ke frik\u00eb se mos do t\u00eb humbas\u00ebsh at\u00eb imazh t\u00eb bukur dhe t\u00eb pap\u00ebrs\u00ebritsh\u00ebm q\u00eb ka mbetur i ngulitur thell\u00eb n\u00eb memorien t\u00ebnde.<br \/>\nP\u00ebr shkak t\u00eb rileximit i kam humbur disa prej librave dhe disa prej autor\u00ebve q\u00eb kan\u00eb qen\u00eb shum\u00eb t\u00eb dashur e t\u00eb \u00e7muar n\u00eb rinin\u00eb time. Kam provuar t\u2019i rilexoj pas nj\u00ebzet apo pas tridhjet\u00eb vjet\u00ebsh dhe ata libra t\u00eb dashur dikur, tashm\u00eb m\u00eb ngjanin krejt t\u00eb palexuesh\u00ebm. Librat jan\u00eb t\u00eb nj\u00ebjt\u00ebt, por kam ndryshuar un\u00eb. P\u00ebr mir\u00eb a p\u00ebr keq nuk mund ta p\u00ebrcaktoj. Sidoqoft\u00eb, pas rileximeve t\u00eb tilla, e ndjen se ke humbur di\u00e7ka t\u00eb \u00e7muar q\u00eb shndrinte p\u00ebrtej  \u201cport\u00ebs s\u00eb ngusht\u00eb t\u00eb \u00ebndrr\u00ebs\u201d si\u00e7 shprehet n\u00eb nj\u00eb nga poezit\u00eb e tij, poeti Jacob Glatstein.<br \/>\nMe k\u00ebt\u00eb ndjenj\u00eb frike dhe pasigurie e fillova rileximin e librit me poezi \u201cSh\u00ebn Shiu\u201d t\u00eb Bardhyl Londos, t\u00eb lexuar para n\u00ebnt\u00eb viteve, n\u00eb koh\u00ebn kur u botua. At\u00ebbot\u00eb, pas leximit, pata menduar, se poezit\u00eb e k\u00ebtij libri e rikonfirmonin Bardhyl London si nj\u00eb poet t\u00eb elit\u00ebs s\u00eb poezis\u00eb shqipe t\u00eb t\u00eb gjitha koh\u00ebrave.<br \/>\n\u00cbsht\u00eb fakt i pamohuesh\u00ebm se pothuajse t\u00eb gjith\u00eb autor\u00ebt q\u00eb u ka takuar t\u00eb jetojn\u00eb dhe t\u00eb publikojn\u00eb krijimtarin\u00eb e tyre n\u00eb dy koh\u00eb, n\u00eb socializmin e censur\u00ebs dhe shtypjes si dhe n\u00eb tranzicionin demokratik t\u00eb pas n\u00ebnt\u00ebdhjet\u00ebs, jan\u00eb autor\u00eb dikotomik\u00eb e kan\u00eb krijimtarin\u00eb t\u00eb ndar\u00eb n\u00eb dy gjysma, ca si t\u00eb prer\u00eb me thik\u00eb, e ca me nj\u00eb prerje m\u00eb pak t\u00eb qart\u00eb. N\u00eb poezin\u00eb e Bardhyl Londos kjo dikotomi mezi dallohet, nuk vihet r\u00e8 as si prerje, as si thyerje, sepse poeti, si\u00e7 shprehet n\u00eb nj\u00eb nga poezit\u00eb e tij, e jeton t\u00eb sotmen me pasionin p\u00ebr t\u00eb nes\u00ebrmen, n\u00eb ferrin e dhun\u00ebs ku njeriu \u00e7njer\u00ebzohet, shpirti i poetit q\u00eb n\u00eb vitin e zymt\u00eb 1986 klithte: \u201cDo t\u00eb vdes nga pasioni p\u00ebr t\u00eb qen\u00eb njeri\u201d. \u00cbsht\u00eb ky pasion p\u00ebr t\u00eb nes\u00ebrmen dhe ky pasion p\u00ebr njeriun, q\u00eb, nga nj\u00ebra an\u00eb, e ka shp\u00ebtuar poezin\u00eb e Bardhyl Londos nga dikotomia dramatike dhe nga ana tjet\u00ebr e ka b\u00ebr\u00eb at\u00eb nj\u00eb poet rebel dhe qytetar nj\u00ebkoh\u00ebsisht, t\u00eb papajtuesh\u00ebm me t\u00eb keqen q\u00eb v\u00ebrshon si nj\u00eb miz\u00ebri korbash mbi qiellin e qyteteve tona, apo me t\u00eb zez\u00ebn tragjike t\u00eb Ballkanit, \u00e7ka ngjan me nj\u00eb kud\u00ebrshti me natyr\u00ebn e tij t\u00eb but\u00eb dhe t\u00eb qet\u00eb, t\u00eb matur dhe t\u00eb shtruar. E megjithat\u00eb, poeti, q\u00eb n\u00eb poezin\u00eb e par\u00eb t\u00eb \u201cSh\u00ebn Shiut\u201d, b\u00ebn nj\u00eb \u201cRikthim n\u00eb tempull\u201d, q\u00eb ti si lexues, pasi e ke lexuar disa her\u00eb bindesh, se nuk kemi t\u00eb b\u00ebjm\u00eb thjesht\u00eb me nj\u00eb rikthim n\u00eb tempullin e lutjeve, por me nj\u00eb rikthim n\u00eb tempullin e poezis\u00eb, sepse ata q\u00eb e d\u00ebbuan nuk mund t\u00eb ishin t\u00eb p\u00ebrjetsh\u00ebm.<br \/>\n\u201cU riktheva n\u00eb tempull. Ata q\u00eb m\u00eb d\u00ebbuan<br \/>\nnuk mund t\u00eb ishin t\u00eb p\u00ebrjetsh\u00ebm\u2026\u201d<br \/>\nPor ky rikthim n\u00eb tempull, edhe pse me damar\u00ebt e qaf\u00ebs t\u00eb kal\u00e7ifikuar, edhe pse m\u00eb i v\u00ebshtir\u00eb se rikthimi n\u00eb Itak\u00eb, prap\u00eb \u00ebsht\u00eb m\u00eb i bukur. Dhe pse \u00ebsht\u00eb i till\u00eb p\u00ebrgjigjen e jep vet\u00eb poeti t\u00eb shtruar n\u00eb form\u00eb pyetjeje: \u201cPo fundja \u00e7\u2019vlejn\u00eb t\u00eb gjitha k\u00ebto para rikthimit?\u201d Rikthimi n\u00eb tempullin e poezis\u00eb \u00ebsht\u00eb p\u00ebr poetin rikthim n\u00eb sh\u00ebjtnin\u00eb e tij, at\u00eb shejtni, q\u00eb diktatori me gjith\u00eb shpur\u00ebn e sh\u00ebrb\u00ebtor\u00ebve t\u00eb tij t\u00eb zellsh\u00ebm, t\u00eb ngujuar n\u00eb marr\u00ebzin\u00eb e vet, ishin munduar ta zhb\u00ebnin e ta shkat\u00ebrronin me t\u00eb gjitha m\u00ebnyrat. Dhe ky rikthim b\u00ebhet m\u00eb bind\u00ebs nga vargu n\u00eb varg, nga strofa n\u00eb strof\u00eb nga poezia n\u00eb poezi. Ngaz\u00ebllimi i rikthimit \u00ebsht\u00eb triumfues. Edhe pse poeti asnj\u00ebher\u00eb nuk e kishte braktisur tempullin e poezis\u00eb, prap\u00eb ky rikthim n\u00eb tempull \u00ebsht\u00eb m\u00eb i bukuri nga t\u00eb gjitha rikthimet, sepse \u00ebsht\u00eb rikthim n\u00eb liri dhe t\u00eb gjitha sakrificat ia kan\u00eb vlejtur p\u00ebr mb\u00ebrritjen e k\u00ebsaj dite. \u00cbsht\u00eb nj\u00ebkoh\u00ebsisht rikthim te temat e m\u00ebdha, te tragjedit\u00eb e m\u00ebdha, te fati dramatik i njeriut nj\u00eb bot\u00eb ku mungon liria, ose ku liria shfaqet si karikatur\u00eb e vet\u00eb liris\u00eb. N\u00eb nj\u00eb nga poezit\u00eb m\u00eb dramatike dhe m\u00eb t\u00eb fuqishme t\u00eb librit, autori i risjell n\u00eb v\u00ebmendjen e lexuesit t\u00eb zez\u00ebn tragjike t\u00eb Ballkanit, tragjedin\u00eb e madhe q\u00eb n\u00eb k\u00ebt\u00eb gadishull duket se nuk do t\u00eb ket\u00eb kurr\u00eb t\u00eb sosur.<br \/>\nKan\u00eb nd\u00ebrruar shkrepat e Ballkanit. Autostradat,<br \/>\nsi rripa st\u00ebrm\u00ebdhenj shtr\u00ebngojn\u00eb belin e gadishullit tragjik.<br \/>\nPo prap\u00eb fastfudeve, kafeneve dhe restorant\u00ebve<br \/>\n                                        t\u00eb zhurmshme buz autostradave,<br \/>\nkudo kam par\u00eb<br \/>\nplakat me t\u00eb zeza.<br \/>\nGrat\u00eb n\u00eb poezin\u00eb e Londos shfaqen m\u00eb t\u00eb ngrysura se e zeza q\u00eb kan\u00eb veshur, t\u00eb inatosura me gjithk\u00ebnd, pa e ditur p\u00ebrsen\u00eb, t\u00eb gatshme ta nisin luft\u00ebn, pa e ditur se k\u00eb kan\u00eb armik, me kujtes\u00ebn t\u00eb r\u00ebnduar nga kujtimi i t\u00eb vrar\u00ebve, n\u00eb konflikte t\u00eb p\u00ebrgjakshme q\u00eb ato nuk e din\u00eb p\u00ebrse jan\u00eb b\u00ebr\u00eb. K\u00ebto gra, shprehet poeti, i kan\u00eb harruar t\u00eb gjitha rrug\u00ebt nga skleroza e pam\u00ebshirshme. Vet\u00ebm rrug\u00ebn p\u00ebr n\u00eb varreza nuk e ngat\u00ebrrojn\u00eb kurr\u00eb. Ky \u00ebsht\u00eb fati i tyre i parashkruar, sepse \u201cE zeza Tragjike\u201d \u00ebsht\u00eb e Ballkanit.<br \/>\nE verdha \u00ebsht\u00eb e Van Gogut,<br \/>\nbluja e Ticianit,<br \/>\ne zeza tragjike e Ballkanit.<br \/>\nVargje t\u00eb till\u00eb poetik\u00eb, pasi i ke lexuar mbeten n\u00eb mendje gjat\u00eb, nuk mund t\u2019i harrosh kurr\u00eb p\u00ebr v\u00ebrtet\u00ebsin\u00eb, tragjizmin, thjesht\u00ebsin\u00eb dhe kumtin q\u00eb mbartin.<br \/>\nImpozante si perandor\u00eb spekt\u00ebr-r\u00ebnd\u00eb, n\u00eb poezin\u00eb e Londos grat\u00eb e Ballkanit, pa e marr\u00eb vesh kurr\u00eb se \u00e7far\u00eb perandorie zot\u00ebrojn\u00eb, me mallkimet n\u00eb maj\u00eb t\u00eb gjuh\u00ebs, p\u00ebr veten dhe fqinj\u00ebt, kan\u00eb nj\u00eb kalendar t\u00eb \u00e7uditsh\u00ebm t\u00eb ekzistenc\u00ebs s\u00eb tyre.<br \/>\n\u201cvitet i masin me nj\u00eb kalendar q\u00eb as ato vet\u00eb nuk e kuptojn\u00eb<br \/>\nkur u vra filani,<br \/>\nkur q\u00eblluan filanin,<br \/>\nkur iku djali i madh\u2026.\u201d<br \/>\nDhe ky fatalitet tragjik nuk u ndahet as bijave e mbesave t\u00eb tyre, edhe pse tani ato vishen ndryshe, moda nga Parisi dhe Nju-Jorku m\u00eb shpejt vjen tek ato se kudo tjet\u00ebr. Por prap\u00eb brenda tyre, d\u00ebshmon poeti, dikur rri fshehur dhe \u00ebsht\u00eb gati t\u00eb shp\u00ebrthej\u00eb e zeza e pik\u00eblluar e Ballkanit.<br \/>\nI nj\u00ebjti tragjiz\u00ebm \u00ebsht\u00eb i pranish\u00ebm n\u00eb shum\u00eb prej poezive t\u00eb Londos, edhe kur n\u00eb poezin\u00eb e tij vjen Vasilika n\u00eb Litharic\u00eb, pik\u00ebllimi i Parg\u00ebs, apo n\u00eb poezin\u00eb \u201cPensionist\u00ebt\u201d, q\u00eb n\u00eb shtat\u00eb dit\u00ebt e jav\u00ebs luajn\u00eb shah me vdekjen.<br \/>\n\u201cMe p\u00ebrtes\u00eb t\u00eb diel\u00ebn llogarisin minutat e pakta<br \/>\nminutat e mbetur n\u00eb celularin e tyre<br \/>\ndhe i telefonojn\u00eb vdekjes.\u201d<br \/>\nMe k\u00ebto vargje dramatik\u00eb mbyllet poezia, si vet\u00eb jeta jon\u00eb, q\u00eb pret fundin e mistersh\u00ebm, e t\u00eb pashpjeguesh\u00ebm.<br \/>\nGjeografia e poezis\u00eb s\u00eb Bardhyl Londos \u00ebsht\u00eb e gj\u00ebr\u00eb, ajo shtegton nga Maki i de Rad\u00ebs n\u00eb Ulqin, nga Parga n\u00eb Lodev\u00eb, nga vendlindja n\u00eb qytetin e madh, n\u00eb t\u00eb cilin nuk mund t\u00eb vras\u00ebsh as veten, e p\u00ebr t\u00eb cilin nuk \u00ebsht\u00eb e denj\u00eb as vdekja. E till\u00eb \u00ebsht\u00eb edhe dhembja, tragjizmi q\u00eb e shoq\u00ebron k\u00ebt\u00eb poezi, zhg\u00ebnjimi q\u00eb t\u00eb shkakton ekzistenca n\u00eb nj\u00eb bot\u00eb me Dhjat\u00eb t\u00eb p\u00ebrmbysur. Dhe q\u00eb t\u00eb kesh dhimbje t\u00eb m\u00ebdha n\u00eb shpirt, duhet t\u00eb kesh dashuri t\u00eb m\u00ebdha, q\u00eb t\u00eb kesh zhg\u00ebnjim tragjik, duhet t\u00eb kesh patur shpresa t\u00eb m\u00ebdha gjithashtu, si\u00e7 shprehet Ernesto Sabato.<br \/>\nKjo dashuri e madhe p\u00ebr njeriun dhe p\u00ebr jet\u00ebn ndihet n\u00eb t\u00eb gjitha poezit\u00eb e librit, si nj\u00eb n\u00ebnshtres\u00eb e thell\u00eb, mbi t\u00eb cil\u00ebn projektohet dhe mbahet poezia e Londos, e sigurt\u00eb dhe mbi themele t\u00eb forta. Sepse vet\u00ebm ajo poezi dhe ai art n\u00eb p\u00ebrgjith\u00ebsi, q\u00eb ngrihet mbi themele t\u00eb thell\u00eb dashurie \u00ebsht\u00eb poezi dhe art i q\u00ebndruesh\u00ebm, i pavdeksh\u00ebm. Ngrehinat e urrejtjes mbyten n\u00ebn pesh\u00ebn e gur\u00ebve t\u00eb vet t\u00eb zinj.<br \/>\nAta q\u00eb e njohin poezin\u00eb e Londos, qofshin k\u00ebta poet\u00eb, studiues, kritik\u00eb apo lexues, e din\u00eb me koh\u00eb se poezia e tij shquhet p\u00ebr bukurin\u00eb e fjal\u00ebs poetike, p\u00ebr sintaks\u00ebn e zgjedhur, p\u00ebr pasurin\u00eb e shprehjeve, metaforave, simboleve, krahasimeve, p\u00ebr ritmin e br\u00ebndsh\u00ebm, p\u00ebr muzikalitetin, struktur\u00ebn e ve\u00e7ant\u00eb, k\u00ebrkimin e vazhduesh\u00ebm, q\u00eb shpesh ngjan me nj\u00eb loj\u00eb eksperimentale, por q\u00eb gjithnj\u00eb ia del t\u00eb na befasoj\u00eb me stilin e p\u00ebrvetsh\u00ebm dhe estetik\u00ebn qart\u00ebsisht t\u00eb dallueshme. Tek \u201cSh\u00ebn Shiu\u201d p\u00ebrve\u00e7 shushurim\u00ebs s\u00eb shiut q\u00eb ndihet sikur bie mbi nj\u00eb pyll shelgjishtesh dhe ti gjendesh i strehuar n\u00ebn trungun e nj\u00eb druri, kemi nj\u00eb shkrirje t\u00eb dy dialekteve t\u00eb shqipes, atij geg\u00eb me at\u00eb tosk\u00eb, duke krijuar nj\u00eb gjuh\u00eb t\u00eb re, me efekt emocionues poetik, befasues dhe t\u00eb patakuar askund m\u00eb par\u00eb.<br \/>\nShigjeta shiu shugatin, shkoklojn\u00eb shelgjishten,<br \/>\nShkurtat shpuplon shpat\u00ebzhveshur shtegziu.<br \/>\nSht\u00ebrzime sht\u00ebllunge shirash shugurojn\u00eb<br \/>\nSh\u00ebn shiun.<\/p>\n<p>K\u00ebshtu pra, rikthimi i Bardhyl Londos n\u00eb tempullin e tij poetik vjen me nj\u00eb gjuh\u00eb t\u00eb re, me k\u00ebrkime t\u00eb reja, me hap\u00ebsira t\u00eb reja, me shpalosje t\u00eb reja t\u00eb bot\u00ebs dhe vizionit t\u00eb tij poetik, ngjizur nga dashuria dhe dhembjet e m\u00ebdha, n\u00eb kufirin midis vuajtjes dhe gjallnimit, shpres\u00ebs dhe zhg\u00ebnjimit, iluzionit dhe profecis\u00eb apokaliptike, n\u00eb bot\u00ebn e Dhjat\u00ebs s\u00eb P\u00ebrmbysur, n\u00eb bot\u00ebn m\u00ebkatare ku njer\u00ebzit shkelin jo nj\u00eb, po t\u00eb Dhjet\u00eb Urdh\u00ebrimet. Rileximi i \u201cSh\u00ebn Shiut t\u00eb bind p\u00ebr k\u00ebt\u00eb.<br \/>\n( N\u00eb foto Bardhyl Londo)<\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Rikthim n\u00eb tempullin e poezis\u00eb \u201cSh\u00ebn Shiu\u201d i Bardhyl Londos Laz\u00ebr Stani Rileximi \u00ebsht\u00eb nj\u00eb akt i rreziksh\u00ebm: edhe kur n\u00eb leximin e par\u00eb, para dhjet\u00eb apo nj\u00ebzet vjet\u00ebsh libri t\u00eb ka befasuar, t\u00eb ka tronditur, t\u00eb ka magjepsur; edhe kur autorin e ke mik, ndan me t\u00eb her\u00eb pas here koh\u00eb t\u00eb \u00e7muar. \u00cbsht\u00eb [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":2,"featured_media":87087,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[1],"tags":[],"class_list":{"0":"post-87086","1":"post","2":"type-post","3":"status-publish","4":"format-standard","5":"has-post-thumbnail","7":"category-te-tjera"},"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87086","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/users\/2"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=87086"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87086\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":87088,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/87086\/revisions\/87088"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media\/87087"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=87086"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=87086"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=87086"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}