{"id":60717,"date":"2023-10-01T09:41:38","date_gmt":"2023-10-01T09:41:38","guid":{"rendered":"https:\/\/neutrale.al\/?p=60717"},"modified":"2023-10-01T09:41:38","modified_gmt":"2023-10-01T09:41:38","slug":"koncesionet-po-rezultojne-pa-lavdi-por-fundi-nuk-po-u-duket","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/2023\/10\/01\/koncesionet-po-rezultojne-pa-lavdi-por-fundi-nuk-po-u-duket\/","title":{"rendered":"Koncesionet po rezultojn\u00eb \u201cpa lavdi\u201d, por fundi nuk po u duket"},"content":{"rendered":"<p>Partneritetet Publike-Private (PPP), n\u00eb form\u00ebn e koncesioneve, ishin nj\u00eb nga modelet e biznesit q\u00eb t\u00ebrhoq\u00ebn shum\u00eb sip\u00ebrmarrje, p\u00ebr shkak t\u00eb biznesit t\u00eb sigurt dhe norm\u00ebs s\u00eb lart\u00eb t\u00eb fitimit.<\/p>\n<p>Sa m\u00eb shum\u00eb kalon koha, aq m\u00eb shum\u00eb po v\u00ebrtetohet se n\u00eb pjes\u00ebn m\u00eb t\u00eb madhe, ato jan\u00eb skema abuzuese, nd\u00ebrsa buxheti i shtetit thjesht ka humbur parat\u00eb q\u00eb mbledh nga taksapaguesit.<\/p>\n<p>Ndon\u00ebse \u201cdoli boja\u201d, dhe SPAK (Struktura e Posa\u00e7me Antikorrupsion) ka hapur hetimet p\u00ebr shum\u00eb prej tyre, qeveria ka vendosur pa shum\u00eb argumente t\u00eb shtyj\u00eb afatin e disa prej tyre.<\/p>\n<p>Dy koncesione, p\u00ebr t\u00eb cilat taksapaguesit deri tani kan\u00eb paguar 115 milion\u00eb euro gjat\u00eb dekad\u00ebs s\u00eb fundit u shtyn\u00eb me t\u00eb pakt\u00ebn edhe nj\u00eb vit.<\/p>\n<p>N\u00eb janar 2023, K\u00ebshilli i Ministrave zgjati edhe me dy vjet koncesionin e pullave fiskale.\u00a0\u201cSICPA Security Solutions Albania\u201d,\u00a0q\u00eb po zbaton k\u00ebt\u00eb kontrat\u00eb, raportoi t\u00eb ardhura prej 1 miliard lek\u00ebsh n\u00eb 2022, me nj\u00eb rritje t\u00eb leht\u00eb prej 2%.<\/p>\n<p>N\u00eb total, p\u00ebr 10 vjet q\u00eb ky koncesion ka funksionuar (2012-2022), kompania ka pasur rreth 82 milion\u00eb euro t\u00eb ardhura.<\/p>\n<p>Grupet e interesit, t\u00eb cilat prej nj\u00eb kohe t\u00eb gjat\u00eb kan\u00eb ngritur shqet\u00ebsimin p\u00ebr kosto t\u00eb r\u00ebnduara nga tarifa 10 her\u00eb m\u00eb e lart\u00eb e pullave fiskale q\u00eb ata paguajn\u00eb krahasuar me vendet e BE-s\u00eb, ishin kund\u00ebr shtyrjes.<\/p>\n<p>Moszbatimi i pjes\u00ebs s\u00eb kontrat\u00ebs p\u00ebr pullat e barnave u p\u00ebrdor si argument p\u00ebr shtyrjen. Kostot nga pagesat e tarifave t\u00eb pullave fiskale p\u00ebr nj\u00eb nga bizneset m\u00eb t\u00eb m\u00ebdha t\u00eb mallrave t\u00eb akciz\u00ebs arrijn\u00eb deri n\u00eb 2 milion\u00eb euro n\u00eb vit.<\/p>\n<p>N\u00eb gusht 2023, qeveria vendosi t\u00eb shtyj\u00eb edhe me nj\u00eb vit kontrat\u00ebn e markimit t\u00eb karburanteve.\u00a0\u201cGFI Albania\u201d,\u00a0q\u00eb po zbaton k\u00ebt\u00eb kontrat\u00eb, raportoi 430 milion\u00eb lek\u00eb t\u00eb ardhura, pothuajse n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjtin nivel t\u00eb nj\u00eb viti m\u00eb par\u00eb.<\/p>\n<p>Kontrata 10-vje\u00e7are p\u00ebrfundonte n\u00eb 1 gusht 2023. Sipas vendimit t\u00eb ri, kontrata e koncesionit \u00ebsht\u00eb 11 vjet, duke filluar nga data efektive. M\u00eb par\u00eb, kontrata kishte afat 10-vje\u00e7ar.<\/p>\n<p>Vendimi nuk i jep arsyet e shtyrjes, por thot\u00eb vet\u00ebm q\u00eb kjo erdhi si rezultat i k\u00ebrkes\u00ebs s\u00eb Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnj\u00eb paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit t\u00eb rrjedhura nga zbatimi i Kontrat\u00ebs s\u00eb Koncesionit.<\/p>\n<p>Argumenti q\u00eb ka dh\u00ebn\u00eb koncesionari p\u00ebr shtyrje lidhet me mosmarkimin e naft\u00ebs bruto, e cila praktikisht \u00ebsht\u00eb e pamundur q\u00eb t\u00eb kryhet sipas operator\u00ebve t\u00eb tregut.<\/p>\n<p>Deri tani ka munguar nj\u00eb analiz\u00eb kosto-p\u00ebrfitime se \u00e7far\u00eb i solli tregut t\u00eb hidrokarbureve ky koncesion n\u00eb 10 vite dhe sa e luftoi ai kontraband\u00ebn.<\/p>\n<p>Shoqata e Shoq\u00ebrive t\u00eb Hidrokarbureve, e cila ishte kund\u00ebr shtyrjes, tha se ky koncesion nuk ka b\u00ebr\u00eb asgj\u00eb p\u00ebr t\u00eb luftuar kontraband\u00ebn, pasi sh\u00ebnjohet nafta q\u00eb del n\u00eb treg dhe ajo q\u00eb nuk paguan akciz\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb 10 vjet, kompania ka ark\u00ebtuar rreth 32.5 milion\u00eb euro nga ky koncesion. Gjithsesi, nuk ka pasur hyrje t\u00eb reja vitet e fundit dhe as rritje t\u00eb larta nga koncesionet ekzistuese, ndon\u00ebse aktiviteti i tyre vijon i q\u00ebndruesh\u00ebm.<\/p>\n<p>\u201cALEAT\u201d,\u00a0q\u00eb kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve t\u00eb qytetar\u00ebve shqiptar\u00eb, ka deklaruar r\u00ebnie t\u00eb t\u00eb ardhurave me 15% n\u00eb vitin 2022, duke arritur n\u00eb 5.5 miliard\u00eb lek\u00eb, n\u00eb vitin e fundit t\u00eb plot\u00eb t\u00eb aktivitetit.<\/p>\n<p>Sipas raportit t\u00eb aktivitetit, \u201ckoncesioni u dha fillimisht p\u00ebr nj\u00eb periudh\u00eb 5-vje\u00e7are, duke filluar n\u00eb 18 gusht 2008.<\/p>\n<p>Me terma dhe kushte t\u00eb ngjashme, Marr\u00ebveshja e Koncesionit \u00ebsht\u00eb zgjatur deri m\u00eb 31 korrik 2023 n\u00ebp\u00ebrmjet nj\u00eb amendamenti t\u00eb n\u00ebnshkruar nga Qeveria e Shqip\u00ebris\u00eb m\u00eb 19 mars 2013, e cila u b\u00eb efektive n\u00eb 31 maj 2013, duke shtuar nj\u00eb Platform\u00eb t\u00eb re p\u00ebr sh\u00ebrbimin dixhital t\u00eb identitetit, me nj\u00eb rifreskim t\u00eb plot\u00eb t\u00eb teknologjis\u00eb dhe rishikim t\u00eb \u00e7mimeve t\u00eb dokumenteve t\u00eb identifikimit.<\/p>\n<p>Marr\u00ebveshja e Koncesionit nd\u00ebrpritet m\u00eb 31 korrik 2023 dhe m\u00eb 18 janar 2023, Qeveria e Shqip\u00ebris\u00eb mori vendimin p\u00ebr t\u00eb mos e zgjatur m\u00eb tej periudh\u00ebn e koncesionit p\u00ebr ALEAT.<\/p>\n<p>Pas p\u00ebrfundimit t\u00eb periudh\u00ebs s\u00eb Koncesionit, Shoq\u00ebria do t\u2019ia kthej\u00eb Autoritetit zot\u00ebrimin e vendndodhjeve t\u00eb Koncesionit. Ai do t\u2019i transferoj\u00eb Autoritetit \u00e7do t\u00eb drejt\u00eb ose titull n\u00eb lidhje me mjediset e koncesionit dhe t\u00eb gjitha asetet e projektuara dhe t\u00eb p\u00ebrdorura gjat\u00eb periudh\u00ebs s\u00eb koncesionit\u201d.<\/p>\n<p>\u201cS2 Albania\u201d,\u00a0e cila zbaton marr\u00ebveshjen e koncesionit t\u00eb skanimit, ka raportuar t\u00eb ardhura prej 1.6 miliard\u00eb lek\u00ebsh, pothuajse n\u00eb t\u00eb nj\u00ebjtin nivel me vitin 2021, duke mos arritur kufirin p\u00ebr t\u2019u renditur brenda 200 t\u00eb m\u00ebdhave.<\/p>\n<p>Koncesioni \u00ebsht\u00eb miratuar n\u00eb vitin 2011.<\/p>\n<p>Koncesionet e form\u00ebs PPP u rrit\u00ebn 12.5% n\u00eb vitin 2022<\/p>\n<p>Shoq\u00ebri t\u00eb reja koncesionare kan\u00eb hyr\u00eb n\u00eb list\u00ebn e m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhave q\u00eb nga viti 2018, duke reflektuar val\u00ebn e re t\u00eb projekteve t\u00eb Partneritetit Publik-Privat, ku po angazhohet qeveria shqiptare, nd\u00ebrsa t\u00eb tjera vijojn\u00eb t\u00eb ngjiten te m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhat\u00eb.<\/p>\n<p>Sipas Ministris\u00eb s\u00eb Financave, n\u00eb vitin 2022 rezultojn\u00eb 11 kontrata koncesionare\/PPP me mb\u00ebshtetje buxhetore.<\/p>\n<p>Pagesat faktike p\u00ebr vitin 2022, n\u00eb total rezultuan n\u00eb rreth 12.64 miliard\u00eb lek\u00eb, ose 99.5% e planit vjetor 2022, t\u00eb ndryshuar. Kjo shum\u00eb \u00ebsht\u00eb 12.5% m\u00eb e lart\u00eb se nj\u00eb vit m\u00eb par\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cGJOKA 87\u201d, e krijuar n\u00eb prill 2018, n\u00eb pron\u00ebsi t\u00eb \u201cGjoka Konstruksion\u201d, po nd\u00ebrton me koncesion Rrug\u00ebn e Arbrit dhe raportoi t\u00eb ardhura prej 2.7 miliard\u00eb lek\u00ebsh, me tkurrje 43%.<\/p>\n<p>Kompania ka n\u00ebnkontraktuar shoq\u00ebrin\u00eb m\u00ebm\u00eb p\u00ebr nd\u00ebrtimin e Rrug\u00ebs s\u00eb Arbrit (GJOKA).<\/p>\n<p>Kjo kompani mbetet koncesionari m\u00eb i madh, me pagesa 2.9 miliard\u00eb lek\u00eb nga buxheti i shtetit, me tkurrje 13%. Sipas raportit t\u00eb aktivitetit \u201cn\u00eb vitin 2022, t\u00eb ardhurat e realizuara p\u00ebr punimet e kryera n\u00eb Rrug\u00ebn e Arbrit jan\u00eb 2.66 miliard\u00eb lek\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb total jan\u00eb realizuar 79% e punimeve t\u00eb parashikuara p\u00ebr nd\u00ebrtimin e k\u00ebsaj rruge. P\u00ebr vitin 2022, kemi nj\u00eb ulje t\u00eb shpenzimeve p\u00ebr interesa krahasuar me vitin 2021 n\u00eb mas\u00ebn 16%, si rezultat i shlyerjes s\u00eb shum\u00ebs s\u00eb financuar me hua bankare.<\/p>\n<p>Burimet e financimit p\u00ebr k\u00ebt\u00eb projekt bazohen n\u00eb gjendjen financiare t\u00eb shoq\u00ebris\u00eb \u2018Gjoka Konstruksion\u2019 si dhe n\u00eb financimet nga bankat e nivelit t\u00eb dyt\u00eb\u201d.<\/p>\n<p>\u201cAlbanian Highway Concession\u201d\u00a0ka fituar koncesionin p\u00ebr nd\u00ebrtimin, operimin dhe mir\u00ebmbajtjen e Rrug\u00ebs Milot\u2013Morin\u00eb, me afat 30 vjet, e miratuar n\u00eb vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vet\u00ebm n\u00eb shtator t\u00eb vitit 2018.<\/p>\n<p>Ajo \u00ebsht\u00eb nj\u00eb konsorcium mes dy sip\u00ebrmarrjeve t\u00eb m\u00ebdha, \u201cKastrati\u201d dhe \u201cSalillari\u201d (me nga 50% secila). Kompania raportoi t\u00eb ardhura 2.2 miliard\u00eb lek\u00eb n\u00eb vitin 2022, me r\u00ebnie prej 27% me baz\u00eb vjetore, pas rritjes me 30% vitin e m\u00ebparsh\u00ebm.<\/p>\n<p>Sipas raportit t\u00eb aktivitetit, t\u00eb ardhurat e ark\u00ebtuara nga tarifa e p\u00ebrdorimit t\u00eb rrug\u00ebs p\u00ebr vitin 2022 jan\u00eb 1.72 miliard\u00eb lek\u00eb, nga 1.74 miliard\u00eb lek\u00eb vitin e m\u00ebparsh\u00ebm.<\/p>\n<p>N\u00eb kontrat\u00ebn e koncesionit \u00ebsht\u00eb parashikuar q\u00eb, n\u00eb rast se shuma e t\u00eb ardhurave nga tarifa e p\u00ebrdorimit t\u00eb rrug\u00ebs, tejkalon limitin e parashikuar n\u00eb kontrat\u00eb, 60% e k\u00ebtij tejkalimi do t\u2019i kthehet autoritetit kontraktues.<\/p>\n<p>Shuma e llogaritur p\u00ebr vitin ushtrimor n\u00eb baz\u00eb t\u00eb k\u00ebsaj k\u00ebrkese t\u00eb kontrat\u00ebs \u00ebsht\u00eb 146 milion\u00eb lek\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cSaniService\u201d\u00a0fitoi n\u00eb vitin 2015 koncesionin p\u00ebr \u201cofrimin e sh\u00ebrbimeve t\u00eb integruara p\u00ebr setin e personalizuar t\u00eb instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjek\u00ebsor steril nj\u00ebp\u00ebrdorim\u00ebsh n\u00eb sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale\u201d, me afat 10-vje\u00e7ar.<\/p>\n<p>Kompania deklaroi n\u00eb bilanc rritje me 4.4%, n\u00eb 1.4 miliard\u00eb lek\u00eb, duke mos hyr\u00eb n\u00eb renditjen e \u201cMonitor 200\u201d.<\/p>\n<p>P\u00ebr k\u00ebt\u00eb koncesion kan\u00eb nisur hetimet nga Prokuroria e Posa\u00e7me, SPAK, pas kall\u00ebzimeve se ky projekt \u00ebsht\u00eb i panevojsh\u00ebm, duke hedhur dyshime p\u00ebr abuzime t\u00eb ndryshme financiare. N\u00eb gusht 2023, SPAK l\u00ebshoi 8 flet\u00eb arresti p\u00ebr persona t\u00eb lidhur me k\u00ebt\u00eb koncesion.<\/p>\n<p>Koncesionari tjet\u00ebr n\u00eb sh\u00ebndet\u00ebsi,\u00a0\u201c3P Life Logistic\u201d,\u00a0pezulloi pun\u00ebn n\u00eb mars 2020, duke cituar pamund\u00ebsin\u00eb e ushtrimit t\u00eb aktivitetit, p\u00ebr shkak t\u00eb pandemis\u00eb, punoi pjes\u00ebrisht n\u00eb 2021 dhe u rikthye t\u00ebr\u00ebsisht n\u00eb vitin 2022.<\/p>\n<p>Kompania nuk ka dor\u00ebzuar bilanc p\u00ebr vitin 2021-2022, por sipas t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb Ministris\u00eb s\u00eb Financave, n\u00eb vitin 2022, pagesa p\u00ebr k\u00ebt\u00eb koncesion ishte 876 milion\u00eb lek\u00eb, kat\u00ebr her\u00eb m\u00eb e lart\u00eb se n\u00eb 2021, duke iu rikthyer niveleve normale t\u00eb parashikuara n\u00eb kontrat\u00eb.<\/p>\n<p>Edhe p\u00ebr k\u00ebt\u00eb koncesion, SPAK ka nisur hetime pas regjistrimit p\u00ebr kall\u00ebzim penal.<\/p>\n<p>Kompania tjet\u00ebr\u00a0\u201cDiaVita\u201d,\u00a0e cila ofron sh\u00ebrbimin e dializ\u00ebs n\u00ebp\u00ebrmjet nj\u00eb koncesioni, raportoi n\u00eb vitin 2022 rreth 807 milion\u00eb lek\u00eb t\u00eb ardhura, me rritje 7.7% me baz\u00eb vjetore.<\/p>\n<p>Kompania merr financime nga buxheti i shtetit p\u00ebr sh\u00ebrbimin e dializ\u00ebs q\u00eb ajo ofron prej disa vitesh n\u00eb disa qytete t\u00eb vendit.<\/p>\n<p>Sipas kontrat\u00ebs me qeverin\u00eb, \u201cDiaVita\u201d do t\u00eb ofroj\u00eb sh\u00ebrbimin e dializ\u00ebs n\u00eb 5 qendra pran\u00eb spitaleve, p\u00ebrkat\u00ebsisht n\u00eb Lezh\u00eb, Shkod\u00ebr, Kor\u00e7\u00eb, Vlor\u00eb dhe n\u00eb Elbasan.<\/p>\n<p>Koncesioni m\u00eb i ri \u00ebsht\u00eb\u00a0\u201cLaboratory Network\u201d\u00a0q\u00eb ofron sh\u00ebrbimin laboratorik, i cili tashm\u00eb \u00ebsht\u00eb dhe m\u00eb i madhi n\u00eb fush\u00ebn e sh\u00ebndet\u00ebsis\u00eb.<\/p>\n<p>T\u00eb ardhurat e kompanis\u00eb, sipas bilancit zyrtar t\u00eb dor\u00ebzuar n\u00eb Qendr\u00ebn Komb\u00ebtare t\u00eb Biznesit, ishin 1.55 miliard\u00eb lek\u00eb n\u00eb vitin 2022, me zgjerim vjetor 22.5%.<\/p>\n<p>Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake t\u00eb Sarand\u00ebs dhe Lushnj\u00ebs u firmos n\u00eb mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri n\u00eb fuqi n\u00eb dhjetor t\u00eb vitit 2019.<\/p>\n<p>Vlera e kontrat\u00ebs \u00ebsht\u00eb 13 miliard\u00eb lek\u00eb, ose rreth 106 milion\u00eb euro, dhe afati i saj p\u00ebrfundon n\u00eb vitin 2028.<\/p>\n<p>\u00a0<\/p>\n<p>Incenerator\u00ebt<\/p>\n<p>Incenerator\u00ebt jan\u00eb koncesionet m\u00eb t\u00eb debatuara, p\u00ebr shkak t\u00eb abuzimeve t\u00eb m\u00ebdha q\u00eb po gjen hetimi i SPAK, i cili i ka bllokuar q\u00eb t\u00eb tria kontratat.<\/p>\n<p>Koncesioni i trajtimit t\u00eb mbetjeve Elbasan (\u201cAlbtek Energy\u201d), me kosto totale prej 5.3 miliard\u00eb lek\u00ebsh, me kapacitet p\u00ebrpunues rreth 120-140 ton\u00eb\/dit\u00eb, sipas deklarimeve zyrtare n\u00eb kontrat\u00eb, u pezullua n\u00eb mars 2022 nga SPAK.<\/p>\n<p>Kompania i mori t\u00eb gjitha financimet nga buxheti para s\u00eb t\u00eb bllokohej. N\u00eb vitin 2022, financimi ishte zero.<\/p>\n<p>Inceneratori i trajtimit t\u00eb mbetjeve n\u00eb Fier (\u201cIntegrated Technology Waste Treatment Fier\u201d), me kosto totale prej 3.97 miliard\u00eb lek\u00ebsh dhe kapacitet p\u00ebrpunues rreth 180-200 ton\u00eb\/dit\u00eb u pezullua nga SPAK po n\u00eb mars 2022.<\/p>\n<p>Edhe p\u00ebr vitin 2022, Ministria e Financave ka paguar p\u00ebr k\u00ebt\u00eb koncesion 376 milion\u00eb lek\u00eb, ose 45% m\u00eb pak se viti i m\u00ebparsh\u00ebm.<\/p>\n<p>Projekti i tret\u00eb \u00ebsht\u00eb Trajtimi i mbetjeve n\u00eb Tiran\u00eb (\u201cIntegrated Energy B.V sh.p.k.\u201d), me kosto totale 40 miliard\u00eb lek\u00eb dhe kapacitet p\u00ebrpunues rreth 550-800 ton\u00eb\/dit\u00eb.<\/p>\n<p>Edhe p\u00ebr k\u00ebt\u00eb projekt, pas nj\u00eb procesi t\u00eb gjat\u00eb hetimesh, Prokuroria e Posa\u00e7me kund\u00ebr Korrupsionit dhe Krimit t\u00eb Organizuar Tiran\u00eb vendosi n\u00eb gusht 2023 mas\u00ebn e sigurimit pasuror \u201csekuestro preventive\u201d mbi kompanin\u00eb \u201cIntegrated Energy B.V. S.P.V.\u201d q\u00eb zot\u00ebron koncesionin e Tiran\u00ebs, dhe t\u00eb gjitha pasurit\u00eb e tjera n\u00eb em\u00ebr t\u00eb kompanis\u00eb.<\/p>\n<p>Akuzat jan\u00eb p\u00ebr veprat penale t\u00eb \u201cMashtrimit me pasoja t\u00eb r\u00ebnda\u201d, n\u00eb bashk\u00ebpunim, \u201cShp\u00ebrdorimi i detyr\u00ebs\u201d, \u201cKorrupsioni pasiv i funksionar\u00ebve t\u00eb lart\u00eb shtet\u00ebror\u00eb ose i t\u00eb zgjedhurve vendor\u00eb\u201d, \u201cPastrimi i produkteve t\u00eb vepr\u00ebs penale apo i veprimtaris\u00eb kriminale\u201d, e kryer n\u00eb bashk\u00ebpunim.<\/p>\n<p>Fillimi i hetimit p\u00ebr t\u00eb tre incenerator\u00ebt, at\u00eb t\u00eb Elbasanit q\u00eb punoi vet\u00ebm nj\u00eb vit dhe Fierit q\u00eb ka p\u00ebrfunduar, por nuk \u00ebsht\u00eb v\u00ebn\u00eb asnj\u00ebher\u00eb n\u00eb pun\u00eb, dhe t\u00eb Tiran\u00ebs, vuri m\u00eb tep\u00ebr n\u00eb dukje p\u00ebr shoq\u00ebrin\u00eb se me incenerator\u00ebt, jo vet\u00ebm q\u00eb nuk \u00ebsht\u00eb p\u00ebrmir\u00ebsuar situata mjedisore e plehrave n\u00eb vend, por edhe kostot e buxhetit jan\u00eb t\u00eb larta.<\/p>\n<p>Nga hetimi, SPAK ka gjetur shkelje t\u00eb shumta, q\u00eb fillojn\u00eb me procedurat p\u00ebr dh\u00ebnien e koncesioneve e m\u00eb pas me falsifikime dokumentesh t\u00eb pron\u00ebsis\u00eb, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dh\u00ebnie t\u00eb pagesave p\u00ebr punime q\u00eb nuk jan\u00eb kryer.<\/p>\n<p>Jan\u00eb p\u00ebrdorur skema fiktive t\u00eb kryerjes s\u00eb pagesave, p\u00ebr t\u00eb mbuluar dhe p\u00ebr t\u00eb fshehur natyr\u00ebn e v\u00ebrtet\u00eb t\u00eb origjin\u00ebs s\u00eb paligjshme t\u00eb shumave monetare, natyr\u00ebn e v\u00ebrtet\u00eb t\u00eb transferimit dhe t\u00eb zhvendosjes s\u00eb tyre.<\/p>\n<p>Pagesat p\u00ebr dy nga k\u00ebto koncesione kan\u00eb vijuar edhe n\u00eb vitin 2022. T\u00eb dh\u00ebnat zyrtare t\u00eb buxhetit tregojn\u00eb se 17% e pagesave totale kan\u00eb shkuar te dy incenerator\u00ebt e Tiran\u00ebs dhe Fierit me nj\u00eb vler\u00eb t\u00eb paguar n\u00eb vitin 2022 prej rreth 1.4 miliard\u00eb lek\u00ebsh, nga 1.9 miliard\u00eb lek\u00eb nj\u00eb vit m\u00eb par\u00eb.<\/p>\n<p>\u201cIntegrated Technology Services\u201d,\u00a0q\u00eb po zbaton projektet e incenerator\u00ebve t\u00eb Tiran\u00ebs ishte edhe n\u00eb vitin 2022 n\u00eb list\u00ebn e 200 m\u00eb t\u00eb m\u00ebdhave. Kompania nuk ka dor\u00ebzuar bilanc, por sipas t\u00eb dh\u00ebnave t\u00eb Tatimeve, ka deklaruar t\u00eb ardhura prej 2.9 miliard\u00eb lek\u00ebsh.<\/p>\n<p>T\u00eb dh\u00ebnat nga bilancet tregojn\u00eb se \u201cIntegrated Technology Services Integrated\u201d realizoi 9,9 miliard\u00eb lek\u00eb t\u00eb ardhura gjat\u00eb periudh\u00ebs 2017-2022, nga t\u00eb cilat rreth 2.5 miliard\u00eb lek\u00eb (23,8 milion\u00eb euro) ishin fitime.<\/p>\n<p>43% e shum\u00ebs s\u00eb dh\u00ebn\u00eb nga buxheti p\u00ebr koncesionet \u00ebsht\u00eb n\u00ebn hetim<\/p>\n<p>Pas vitit 2015, qeveria nisi me vrull praktik\u00ebn e dh\u00ebnies s\u00eb koncesioneve p\u00ebr shum\u00eb sh\u00ebrbime e projekte, q\u00eb ajo synonte t\u00eb realizonte.<\/p>\n<p>Pavar\u00ebsisht kund\u00ebrshtimeve, q\u00eb n\u00eb fillim, nga institucionet financiare nd\u00ebrkomb\u00ebtare, t\u00eb cilat k\u00ebrkonin q\u00eb t\u00eb b\u00ebhej nj\u00eb analiz\u00eb e qart\u00eb e kostove dhe p\u00ebrfitimeve, institucionet shtet\u00ebrore nuk ndal\u00ebn.<\/p>\n<p>N\u00eb vitin 2015 u dhan\u00eb koncesioni i sterilizimit dhe i check-up. N\u00eb vitin 2016 u dha me koncesion dhe dializa, nd\u00ebrsa n\u00eb 2019-n, ai i laborator\u00ebve, t\u00eb gjitha n\u00eb fush\u00ebn e sh\u00ebndet\u00ebsis\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb 2015-n nisi dhe praktika e dh\u00ebnies s\u00eb koncesioneve t\u00eb incenerator\u00ebve, me Elbasanin, q\u00eb n\u00eb 2017-n u zgjerua me Fierin dhe n\u00eb vitin 2019, me Tiran\u00ebn.<\/p>\n<p>N\u00eb vitin 2017 u dha me koncesion mir\u00ebmbajtja e rrug\u00ebs Milot \u2013 Morin\u00eb dhe n\u00eb 2018-n u dha me koncesion Rruga e Arbrit.<\/p>\n<p>U rishikua dhe koncesioni i skanimit, i cili ishte miratuar n\u00eb vitin 2013 nga qeveria n\u00eb ikje e at\u00ebhershme dhe p\u00ebr t\u00eb hequr barr\u00ebn nga bizneset, qeveria mori p\u00ebrsip\u00ebr t\u00eb paguaj\u00eb nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb kostos n\u00ebp\u00ebrmjet buxhetit.<\/p>\n<p>T\u00eb gjitha koncesionet e sip\u00ebrp\u00ebrmendura p\u00ebrfitonin pagesa direkte nga buxheti i shtetit.<\/p>\n<p>Shtimi i k\u00ebtyre pagesave detyroi qeverin\u00eb, pas presionit t\u00eb FMN-s\u00eb q\u00eb t\u00eb vendoste nj\u00eb rregull fiskal, sipas t\u00eb cilit shuma totale e pagesave vjetore neto, q\u00eb kryhen nga nj\u00ebsit\u00eb e qeverisjes s\u00eb p\u00ebrgjithshme, t\u00eb cilat rezultojn\u00eb nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet t\u00eb tejkaloj\u00eb kufirin prej 5% t\u00eb t\u00eb ardhurave tatimore faktike t\u00eb vitit paraardh\u00ebs buxhetor.<\/p>\n<p>N\u00eb rast tejkalimi t\u00eb k\u00ebtij kufiri, K\u00ebshilli i Ministrave merr masa korrektuese n\u00eb krahun e t\u00eb ardhurave buxhetore, t\u00eb nevojshme dhe t\u00eb mjaftueshme, p\u00ebr t\u2019u rikthyer brenda kufirit t\u00eb lejuar, gjat\u00eb dy viteve t\u00eb ardhshme buxhetore.<\/p>\n<p>Kufiri deri tani nuk \u00ebsht\u00eb tejkaluar asnj\u00ebher\u00eb, por realiteti po tregon se n\u00eb pjes\u00ebn m\u00eb t\u00eb madhe, k\u00ebto pagesa kan\u00eb qen\u00eb joeficiente n\u00eb kosto, p\u00ebrderisa nj\u00eb pjes\u00eb e madhe e koncesioneve \u00ebsht\u00eb tashm\u00eb n\u00ebn hetim zyrtar nga SPAK, struktura e posa\u00e7me antikorrupsion.<\/p>\n<p>T\u00eb dh\u00ebnat e Ministris\u00eb s\u00eb Financave, n\u00eb buxhetet faktike 2017-2022, t\u00eb p\u00ebrpunuara nga \u201cMonitor\u201d tregojn\u00eb se n\u00eb gjasht\u00eb vjet, buxheti i shtetit ka paguar n\u00eb total 58.5 miliard\u00eb lek\u00eb (rreth 560 milion\u00eb euro) p\u00ebr 12 koncesione:<\/p>\n<p>Rruga e Arbrit; skanimi; sterilizimi; laborator\u00eb; Inceneratori i Tiran\u00ebs; check-up; dializa; mir\u00ebmbajtja Milot-Morin\u00eb; infrastruktura arsimore; Inceneratori i Fierit; Orikum-Dukat; Inceneratori i Elbasanit.<\/p>\n<p>Shuma m\u00eb e lart\u00eb \u00ebsht\u00eb dh\u00ebn\u00eb p\u00ebr Rrug\u00ebn e Arbrit (12.9 miliard\u00eb lek\u00eb), sterilizimin (9.4 miliard\u00eb lek\u00eb), skanimin (9.1 miliard\u00eb lek\u00eb), Inceneratorin e Tiran\u00ebs (5.5 miliard\u00eb lek\u00eb)- shiko tabel\u00ebn e plot\u00eb: Pagesat faktike nga buxheti i shtetit p\u00ebr koncesionet 2017-2022.<\/p>\n<p>Nga k\u00ebto 12 koncesione, p\u00ebr pes\u00eb prej tyre \u2013 tre incenerator\u00ebt, check-up dhe sterilizimi \u2013 \u00ebsht\u00eb hapur hetim zyrtar nga SPAK me akuza p\u00ebr korrupsion, shp\u00ebrdorim detyre e deri te pastrim parash.<\/p>\n<p>Shuma totale e dh\u00ebn\u00eb nga buxheti p\u00ebr k\u00ebto pes\u00eb koncesione p\u00ebr periudh\u00ebn 2017-2022 \u00ebsht\u00eb 25.4 miliard\u00eb lek\u00eb (rreth 240 milion\u00eb euro), q\u00eb p\u00ebrb\u00ebn 43% t\u00eb pagesave totale q\u00eb jan\u00eb b\u00ebr\u00eb nga buxheti p\u00ebr t\u00eb gjitha koncesionet!!<\/p>\n<p>Edhe vet\u00eb Financat kan\u00eb shprehur shqet\u00ebsimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen n\u00eb respekt t\u00eb detyrimeve ligjore dhe marr\u00ebveshjeve nd\u00ebrmjet shtetit dhe privatit, q\u00eb jan\u00eb instrumente t\u00eb detyrueshme.<\/p>\n<p>Pagesat dhe hetimet<\/p>\n<p>N\u00eb 2021-2022 u hap\u00ebn hetimet p\u00ebr incenerator\u00ebt e Fierit dhe Elbasanit. Sipas SPAK, nga hetimi jan\u00eb gjetur shkelje t\u00eb shumta, q\u00eb fillojn\u00eb me procedurat p\u00ebr dh\u00ebnien e koncesionit e m\u00eb pas me falsifikime dokumentesh t\u00eb pron\u00ebsis\u00eb, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dh\u00ebnien e pagesave p\u00ebr punime q\u00eb nuk jan\u00eb kryer.<\/p>\n<p>Jan\u00eb p\u00ebrdorur skema fiktive t\u00eb kryerjes s\u00eb pagesave, p\u00ebr t\u00eb mbuluar dhe p\u00ebr t\u00eb fshehur natyr\u00ebn e v\u00ebrtet\u00eb t\u00eb origjin\u00ebs s\u00eb paligjshme t\u00eb shumave monetare, natyr\u00ebn e v\u00ebrtet\u00eb t\u00eb transferimit dhe t\u00eb zhvendosjes s\u00eb tyre.<\/p>\n<p>Inceneratori i Elbasanit mori n\u00eb periudh\u00ebn 2015-2021, aq sa ishte dhe afati i koncesionit, rreth 2.4 miliard\u00eb lek\u00eb.<\/p>\n<p>Inceneratori i Fierit mori n\u00eb periudh\u00ebn 2015-2022 rreth 4 miliard\u00eb lek\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb fillim t\u00eb gushtit t\u00eb k\u00ebtij viti, SPAK nisi hetimin p\u00ebr Inceneratorin e Tiran\u00ebs. SPAK njoftoi se, po heton p\u00ebr veprat penale t\u00eb \u201cMashtrimit me pasoja t\u00eb r\u00ebnda\u201d, n\u00eb bashk\u00ebpunim, \u201cShp\u00ebrdorimit t\u00eb detyr\u00ebs\u201d, \u201cKorrupsionit pasiv t\u00eb funksionar\u00ebve t\u00eb lart\u00eb shtet\u00ebror\u00eb ose i t\u00eb zgjedhurve vendor\u00eb\u201d, \u201cPastrimit t\u00eb produkteve t\u00eb vepr\u00ebs penale apo i veprimtaris\u00eb kriminale\u201d, e kryer n\u00eb bashk\u00ebpunim.<\/p>\n<p>Inceneratori i Tiran\u00ebs ka marr\u00eb pagesa nga buxheti 5.5 miliard\u00eb lek\u00eb p\u00ebr 2019-2022, nd\u00ebrsa n\u00eb total ka ark\u00ebtuar, sipas bilancit, rreth 9.9 miliard\u00eb lek\u00eb, p\u00ebr shkak se merr dhe pagesa nga bashkit\u00eb dhe p\u00ebr sh\u00ebrbimin e heqjes s\u00eb dherave.<\/p>\n<p>N\u00eb maj 2022, SPAK nisi hetimin p\u00ebr koncesionin e check-up. Ky koncesion ka marr\u00eb pagesa nga buxheti prej 4 miliard\u00eb lek\u00ebsh n\u00eb periudh\u00ebn 2015-2024.<\/p>\n<p>N\u00eb gusht 2023, SPAK l\u00ebshoi 8 urdh\u00ebr-arreste p\u00ebr ish-zyrtar\u00eb t\u00eb lart\u00eb t\u00eb Ministris\u00eb s\u00eb Sh\u00ebndet\u00ebsis\u00eb, p\u00ebr abuzime me koncesionin e sterilizimit.<\/p>\n<p>Ky koncesion ka marr\u00eb pagesa prej 9.4 miliard\u00eb lek\u00ebsh n\u00eb periudh\u00ebn 2015-2022.<br \/>\n<a href=\"https:\/\/www.monitor.al\/koncesionet-po-rezultojne-pa-lavdi-por-fundi-nuk-po-u-duket-2\/?fbclid=IwAR11S5NHNZPaxI2t-7vPa03P8QtSoQAgkR-3KiFPiswYugz3LFAQzD0KSzk\">Monitor.al<\/a><\/p>\n<p><img loading=\"lazy\" loading=\"lazy\" decoding=\"async\" src=\"https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/2a682fa6-e4cb-4bf0-b8e1-15cc7e024c7e-300x137.jpeg\" alt=\"\" width=\"300\" height=\"137\" class=\"alignnone size-medium wp-image-60718\" srcset=\"https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/2a682fa6-e4cb-4bf0-b8e1-15cc7e024c7e-300x137.jpeg 300w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/2a682fa6-e4cb-4bf0-b8e1-15cc7e024c7e-1024x466.jpeg 1024w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/2a682fa6-e4cb-4bf0-b8e1-15cc7e024c7e-768x350.jpeg 768w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/2a682fa6-e4cb-4bf0-b8e1-15cc7e024c7e-860x392.jpeg 860w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/2a682fa6-e4cb-4bf0-b8e1-15cc7e024c7e.jpeg 1080w\" sizes=\"auto, (max-width: 300px) 100vw, 300px\" \/><\/p>\n<p><img loading=\"lazy\" loading=\"lazy\" decoding=\"async\" src=\"https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/9737eda0-ed07-4471-9711-db44f6c49080-300x164.jpeg\" alt=\"\" width=\"300\" height=\"164\" class=\"alignnone size-medium wp-image-60719\" srcset=\"https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/9737eda0-ed07-4471-9711-db44f6c49080-300x164.jpeg 300w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/9737eda0-ed07-4471-9711-db44f6c49080-1024x561.jpeg 1024w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/9737eda0-ed07-4471-9711-db44f6c49080-768x421.jpeg 768w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/9737eda0-ed07-4471-9711-db44f6c49080-860x471.jpeg 860w, https:\/\/neutrale.al\/wp-content\/uploads\/2023\/10\/9737eda0-ed07-4471-9711-db44f6c49080.jpeg 1080w\" sizes=\"auto, (max-width: 300px) 100vw, 300px\" \/><\/p>\n","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Partneritetet Publike-Private (PPP), n\u00eb form\u00ebn e koncesioneve, ishin nj\u00eb nga modelet e biznesit q\u00eb t\u00ebrhoq\u00ebn shum\u00eb sip\u00ebrmarrje, p\u00ebr shkak t\u00eb biznesit t\u00eb sigurt dhe norm\u00ebs s\u00eb lart\u00eb t\u00eb fitimit. Sa m\u00eb shum\u00eb kalon koha, aq m\u00eb shum\u00eb po v\u00ebrtetohet se n\u00eb pjes\u00ebn m\u00eb t\u00eb madhe, ato jan\u00eb skema abuzuese, nd\u00ebrsa buxheti i shtetit thjesht ka [&hellip;]<\/p>\n","protected":false},"author":2,"featured_media":60720,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":{"footnotes":""},"categories":[10],"tags":[27],"class_list":{"0":"post-60717","1":"post","2":"type-post","3":"status-publish","4":"format-standard","5":"has-post-thumbnail","7":"category-ekonomia","8":"tag-lajme"},"_links":{"self":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/60717","targetHints":{"allow":["GET"]}}],"collection":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/users\/2"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=60717"}],"version-history":[{"count":2,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/60717\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":60722,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/60717\/revisions\/60722"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media\/60720"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=60717"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=60717"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/neutrale.al\/index.php\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=60717"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}