Sikurse kam thënë ndërsa shkruaj librin tim, jap mësim, pi birrë, takohem për qejf me miq e mikesha dhe kënaqem me ta, shëtis, udhëtoj, pres fiqtë të piqen, komunikoj me ju,
vazhdoj të vidhem në energjinë elektrike dhe OSSHE dhe FSHU vazhdojnë të mos e venë ujin në zjar.
Kanë konstatuar zyrtarisht se me linjën e harxhimit të mjediseve të përbashkëta të shkallës së ndërtesës me 10 hyrje ku banoj në Durrës janë lidhur edhe 71 konsumatorë të tjerë jashtë asaj ndërtese.
Është bërë deti kos!
Ma thonë sikur pinë kafe, në zyrë, qetësisht,… Nuk u bëhet vonë!
Imagjinoni sikur kjo t’i ndodhë dikujt prej tyre që të konstatojë se linja e tij është e lidhur në Tiranë me :
Ndriçimin e Pallatit të Kulturës,
të Pallatit të Sportit,
të Kafes së Madhe në Shkodër,
të Drejtorisë së Policisë në Korçë,
të bazës ushtarako-detare në Orikum,
të ndriçimit publik të stadiumit Albania Arena, ndriçimit të rrugëve të Blloku
dhe të Incineratorit të Tiranës.
Ja kjo është vjedhja!
Më vjedhin edhe kur fle, edhe kur jam me rroba banjoje në plazh, pa xhep dhe lekë me vete, edhe kur e mbyll derën me kyç, pa pushim.
Ua shpjegoj dhjetëra nëpunësve të kompanisë, gjysmë shefa, shefa të vegjël, nëpunës, dezhurn te dera, nëpunës të departamentit të komunikimit, të gjithë tundin kokën, zgurdullojnë sytë, ngrijnë vështrimin, flasin pa lidhje, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë, ose kanë frikë ta kuptojnë nga dikush që vjedh, ose nuk dua t’a besoj se janë me të meta mendore dhe vonesa në gjykim!
Më duhet të dal dhe të bërtas : Kapeni hajdutin!