Nga Dr. Ilir Allkja
Ju me siguri keni parë shumë reklama në në internet për suplemente ushqimore që premtojnë të ofrojnë rivitalizim të florës dobishme intenstinale apo genitale si dhe përfitimet e tyre.
Çfarë duhet të dini përpara se të blini këto produkte.
Kam kuptuar se shumica e shqiptarëve kanë filluar të marrin në mënyrë rutinore suplemente dietike.
Më të zakonshmet janë suplementet me multivitamina dhe me multiminerale.
Sot gjithmonë e më shumë po përhapet moda e përdorimit të suplementëve me probiotikë dhe prebiotikë, nisur nga përfitimet e tyre në shëndet.
Përzgjedhja e ushqimeve dhe suplementëve që ju nevojiten për të qëndruar të shëndetshëm nuk duhet të bëhet sipas dëshirës, pa njohur mangësitë dhe nevojat.
Rekomandimi nga një specialist përfshin sasitë minimale dhe maksimale që duhet të konsumoni, si dhe burimet e mira ushqimore të secilit suplement.
Zorra juaj e trashë, në kushte normale përmban 100 trilion baktere “të mira”, (lactobacile) të cilat janë thelbësore për shëndetin.
Këto mikrobe të dobishme ndihmojnë në ruajtjen e funksionit normal të zorrëve dhe gjithashtu ndihmojnë në eleminimin e baktereve të dëmshme, mykrave, parazitëve etj.
P.sh sëmundja inflamatore e zorrëve, shfaqet gjithmonë në terren të çrregullimeve të florës intestinale.
Hulumtimet sugjerojnë se lactobacilet luajnë një rol në rregullimin e peshës dhe humorit.
Secili fillon jetën me mikrobiomën e tij unike në lindje. Ne i shtojmë këto baktere të mira nëpërmjet ushqimeve që hamë.
Mënyrat më të mira për të shtuar kolonitë e baktereve të shëndetshme në mikroflorën tuaj janë:
Kosi dhe kefiri.
Sigurohuni që të blini produkte natyrale, më e mira është ti bëni vetë në shtëpi, nqs gjeni qumësht të sigurtë.
Ushqimet e fermentuara.
Lactobacilet janë “kuzhinierët” për disa ushqime të njohura. Për shembull, ata e kthejnë qumështin në kos apo djathë, lakrën në turshi, kastravecat në turshi, miellin e misrit në bozë etj.
Zgjidhja më e mirë është të blini këto në ato punishte ku e bëjnë vetë turshinë, djathin ose në dyqanet e ushqimeve natyrale që mbajnë ushqime të fermentuara.
Zgjidhja më e sigurtë, bëjini vetë; mund të gjeni udhëzime të qarta dhe të lehta nga prindërit, gjyshet, nga librat dhe nga interneti.
Sigurisht që në treg ka edhe suplemente probiotike. Por asnjëri nuk ka indikacione të vërtetuara mjekësore.
Personalisht i kam testuar disa prej tyre pa rezultat.
Është më mirë t’i përmbaheni burimeve dietike të pasura me probiotikë.
Këshilla ime: mos humbisni kohë dhe para me produktet farmaceutike!
Rruga tjetër: ju mund ta ndihmoni trupin tuaj të prodhojë baktere të shëndetshme të zorrëve.
Ja se si:
Përfshini shumë ushqime të pasura me fibra të patretshme, të cilat kanë tendencë të përmbajnë më shumë prebiotikë.
Ju do t’i gjeni ato produkte në drithëra të plota si bullgur bukë integrale (me krunde), në perime si asparage, presh, qepë dhe hudhër, patatet e ëmbla dhe misri.
Mund ti gjeni gjithashtu në drithëra: fasule, thjerrëza dhe bizele.
Ka rëndësi të : kufizoni sheqerin, yndyrat e ngopura dhe ushqimet e përpunuara. Këto mund të varfërojnë bakteret e mira në zorrë por edhe tju shkaktojnë probleme metabolike.
Si gjithmonë, përpiquni të jetoni me ushqime të plota dhe të papërpunuara, larg atyre industriale!
Kujdesuni për veten!