Jo gjithçka që shndrit është flori
Misionet e pamundura
Shifra të çmendura nga vende që kanë atletë me misione thuajse të pamundura: Arabia Saudite, në Lojërat Olimpike të Tokios, e shpërbleu atletin e karatesë Tereg Hamedi me 1.2 milionë euro për fitoren e medaljes së argjendtë.
Medalja e arit për Hong Kongun, në rast se do të fitohet, në Lojërat Olimpike në Paris, vlen rreth 700 mijë euro.
Singapori, falë sponsorizimit të entit kombëtar të lotarisë, ofron më shumë se 650 mijë euro për titujt individualë (325 mijë euro medalja e argjendtë, 162 mijë euro medalja e bronzit), 1.4 milionë euro për fituesit e lojërave në skuadër (si stafeta e atletikës ose tenis dyshe) dhe 1.8 milionë euro për skuadrat.
Deri tani, vetëm një atlet nga Singapori ia ka arritur të fitojë “lotarinë” – notari Joseph Schooling, i pari dhe i vetmi atlet që ka fituar medaljen e artë për vendin në 100 metra stil delfin, në Lojërat Olimpike Rio 2016. Në Tokio 2020, ku mbronte titullin, u eliminua në bateri. Në prill njoftoi tërheqjen nga sporti.
Tajvani përfshin qeverinë për të shpërblyer fituesin e medaljes së artë me 550 mijë euro dhe mbi të gjitha, një pagë mujore të përjetshme rreth 3700 euro. Në disa raste, atletët shpërblehen si nga qeveritë edhe nga organizatat sportive kombëtare.
Qeveria indiane u ofron atletëve që fitojnë medaljen e artë rreth 83 mijë euro, ndërsa Shoqata Olimpike Indiane i shpërblen më vete me 110 mijë euro.
Për herë të parë, një fakt i cili shkaktoi shumë diskutime në botën olimpike, Federata Ndërkombëtare e Atletikës me Sebastian Coe, ka parashikuar çmimin e vet: 47 mijë dollarë për fituesit e medaljeve të arta (dhe do të ketë 48 gara).
Jo vetëm podiumi
Shumë vende i paguajnë edhe atletët jashtë podiumit. Gjermania, për shembull, ofron kompensime edhe për atletët e renditur nga vendi i 4-t në të 8-in.
Maroku, që jep 180 mijë euro për fituesin e medaljes së artë dhe 114 mijë euro për atletin e medaljes së argjendtë, ofron bonuse deri tek atleti i renditur në vendin e 32-të.
Në disa raste, edhe thjesht kualifikimi në Lojërat Olimpike është arsye e mjaftueshme për të marrë një kompensim. Skuadra e futbollit dhe peshëngritësi i Irakut, Ali Ammar Yasser, morën copa toke, paga mujore dhe një shpërblim prej 6 mijë eurosh secili, pasi siguruan pjesëmarrjen në Paris.
Por ka edhe vende që nuk i shpërblejnë atletët – Britania e Madhe, Suedia dhe Norvegjia.
Disa shpërblime kureshtare – atletët indonezianë të badminton, Greysia Polii dhe Apriyani Rahayu, që fituan në Tokio, u shpërblyen me 5 lopë, një restorant qoftesh dhe një shtëpi të re. Përveçse 320 mijë euro cash.
Ministria e Kulturës dhe Sportit e Kazakistanit i shpërblen atletët me apartamente të mëdha në varësi të ngjyrës së medaljeve: me tre dhoma, për medaljen e artë, me dy dhoma për fituesin e medaljes së argjendtë dhe apartament me një dhomë për fituesin e medaljes së bronzit.
Apartamente dhe diamante
Në të kaluarën, atletëve kinezë, përveçse thuajse 1 milion euro për fituesin e medaljes së artë, u dhuroheshin edhe apartamente nga shoqëritë e pasurive të patundshme. Atletëve të Malajzisë që fitonin një vend në podium u premtohej një makinë e prodhuar jashtë vendit.
Në Lojërat Olimpike të viteve të kaluara, atletët austriakë, fitues të medaljes së artë, kanë marrë 17 mijë euro në monedha të Filarmonisë, një monedhë e famshme prej shufrash ari që e merr emrin nga Orkestra Filarmonike e Vjenës.
Polonia i shpërblen atletët me bizhuteri (4 ari në Tokio 2020 dhe 2 në Rio 2016):
Fituesit e medaljes së artë në Paris do të shpërblehen me 60 mijë euro (deri në 37 mijë euro për fituesin e medaljes së bronzit), përveçse një diamanti për t’u investuar, një udhëtim për dy persona me vlerë rreth 23 mijë euro, një tablo e pikturuar nga artistë polakë të respektuar dhe të talentuar dhe një apartament, me dy dhoma gjumi në një zonë metropolitane të Varshavës. Një simfoni e denjë e Shopen.
/ La Repubblica