Kjo puna e marrëveshjeve parlamentare mbi kodin zgjedhor, arnat që i vihen atij dhe “lëshimet” që i bëhen palëve, ngjajnë si ato diskutimet për përcaktimin e gjinisë apo seksit të ëngjëjve në qiell…ndërkohë që toka dridhet.
Shqipëria është nën një regjim dallkaukësh e kleptomanësh që procesin zgjedhor e kanë kthyer në një farsë.
Se sa të kapura janë institucionet, kjo kuptohet nga fakti sesi “Çuç-rat” e shumicës parlamentare deklarojnë publikisht se do të zgjedhin sipas qejfit se cilin vendim te Gjykatës Kushtetuese do të zbatojnë e cilin do te injorojnë…
Opozita duket se shpesh ndihet e intimiduar nga presioni për të qënë “konstruktive” e për të bërë hapa sado të vegjël “progresi” në sistemin zgjedhor, por këto vijnë me rrezikun e madh të “pastrimit të fytyrës” së regjimit dhe që në vend që të vëmë vetulla, nxjerrim sytë.
Zgjedhje në të cilat nuk lejohen koalicionet para-zgjedhore janë një recetë e gatshme për dështim në një shtet të kapur ku duhet krijuar patjetër një front i gjerë përballë regjimit.
Toka po dridhet…nuk ka kohë për t’u marrë me diskutime e persiatje mbi seksin e ëngjëjve.