Në këto ditë të nxehta vere, ekspozoimi për një kohë të gjatë në diell, pa përdorur kremra mbrojtës, të shkakton djegie të lëkurës, të gradave të ndryshme.
Zona e afektuar e lëkurës bëhet e dhimbshme, e inflamuar dhe e nxehtë në prekje. Mund të formohen mbi lëkurë edhe flluska me ujë.
Gjithashtu mund të keni ankesa të tjera si, dhimbje koke, ethe, nauze dhe të vjella.
Ndihma e parë në rast djegie..!!
1 Përdorni një ilaç kundra dhimbjes, si Ibuprofen, Motrin, Advil, Paracetamol etj
2 Freskojeni lëkurën duke vendosur mbi zonën e djegur një peshqir të pastër, dhe të lagur me ujë të rrjedhshëm nga çezma, ose bëni banjë me ujë të ftohtë, duke shtuar në të, rreth 60 gram sodë buke.
Freskojeni lëkurën përreth 10 minuta, dhe disa herë në ditë.
3 Apliko mbi zonën e djegur locion ose xhel hidratues me aloe vera etj. Këto produkte hidratuese ruajini në frigorifer, që të aplikoni të ftohta, mbi zonën e djegur.
4 Konsumoni ujë me shumicë gjatë ditës, që të mos dehidratoheni
5 Përpiquni të mos i çani flluskat me ujë mbi lëkurë. Nëse kjo gjë ndodh, largoni me kujdes indet e vdekura me një gërshërë të pastër, dhe pastroheni zonën përreth me uje dhe sapun të butë.
Më tej aplikoni një pomadë me antibiotikë lokal mbi plagë dhe mbulojeni me një garzë të pastër.
6 Tregoni kujdes nga ekspozimi i mëtejshëm në diell, ose përdorni masa të tjera mbrojtëse ndaj diellit
7 Për djegie të moderuara aplikoni tre herë në ditë mbi zonën e djegur një krem me Hydrokortizon 1%. Ruajeni kremin në frigorifer, që ta aplikoni të ftohtë.
8 Për djegiet e syve aplikoni një peshqir të pastër të lagur me ujë të ftohtë, të rrjedhshëm çezme. Mos vendosni lente kontakti gjatë kësaj periudhe, si dhe mos i fërkoni sytë.
PS. Kërkoni ndihmë urgjente mjekësore në rast se, keni djegje me flluska të mëdha në fytyrë, duar ose organet genitale, ndjeni shumë dhimbje tek lëkura e djegur, dhimbje koke, konfuzion, nauze, të vjella, ethe, temperaturë, dhimbje sysh ose turbullim të shikimit, si dhe shenja të infektimit të flluskave.
Ju uroj pushime të mbara në plazhet tona të mrekullueshme