Vajzat e tua paçin jetën e mbarë Blendi Fevziu dhe jetofshin paqtë kudo, por të bësh një deklaratë ku thua se vajzat e mia do të jetojnë në Londër dhe jo në Shqipëri se është vend maskilist, në kohën kur pothuajse gjysma e fëmijëve shqiptarë sipas statistikave është e kequshqyer, është cinizëm i mirëfilltë.
Kur flasim për fëmijë të ushqyer keq, do të thotë se kemi prindër të paushqyer, pasi ai prindi që t’ia dalë mbanë ta ushqejë keq fëmijën dhe të mos ta lërë të paushqyer hiç, duhet që për vete të pijë kafe në mëngjes dhe të mos hajë darkë. Pra, të hajë veç një vakt në mënyrë që fëmija e tij të ushqehet keq dhe të mos rrijë pa ngrënë hiç.
E kjo gjendje pothuajse nuk preket hiç nga kokat e gazetarisë në vend Fevziu. Sa herë që vendi është në avujt e skandaleve, në pjesën dërrmuese të rasteve gazetaria televizive prodhon rubrika të llojit ” Si të gatuajmë në kushtet e shtëpisë”, apo ” Sa kile shtojnë shqiptarët në fundvit? “.
Çdo fëmijë i larguar nga Shqipëria është një plagë më shumë në familjen dhe shoqërinë shqiptare dhe një gjykim më shumë për njerëzit e mendimit që e lanë këtë vend të rrokullisej në humnerën e mjerimit ekonomik dhe moral.
Post Scriptum- Sa herë që largohet një fëmijë, vetmohet një prind.