Legjenda thotë se, mijëra vjet më parë, në ato anë, jetonte një Zanë shumë e bukur.
Një ditë nga ditët, teksa shuante etjen në një burim, ajo u takua me dy vëllezër shtatlartë, Tomorin dhe Shpiragun.
Të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort u rrihnin zemrat të dy vëllezërve saqë u turbolloi edhe gjykimin.
Midis tyre hyri grindja për të dhe shpërtheu lufta vëllavrasëse.
Tomori, duke qenë më shtatlartë kishte një shpatë gjigande, të shkëlqyeshme, me të i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundi më fort.
Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zemërua prej pamjes aq të dhimbshme. Vëllezërit duheshin ndëshkuar për këtë mynxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.
Që nga ajo kohë e lashtë e deri më sot, vëllai i madh, Tomotri, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto treva, i sheh brinjët e copëtuara e të thelluara vija-vija.
Por edhe shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur dhe hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të Zotit.
I plotfuqishmi e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit.
Zana e bukur, që i donte vëllezërit, por jo zemërimin e tyre të derdhur mbi njëri-tjetrin, qau e derdhi lotë ditë e natë.
Lumi, që tani mban emrin Osum, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagu gurë e shkëmb dhe u derdh mes dy vëllezërve prej Zanës, për t’iu treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi, asnjëherë nuk do t’ia shterë lotët.
Berati, Tomorri, Shpiragu, Kalaja, Osumi–LEGJENDA E NJË QYTETI

Leave a comment Leave a comment