BESË UJQISH
Një ujk nga ujqëria
Për datëlindje bëri ftesë.
Pyllin e mbërtheu çudia:
“Gjithë miqtë i kam në besë.”
Zbukuroi brirët sorkadhja,
Këmbët vuri në revan:
“Më në fund mbërriti paqja,
T’i bie pyllit tejendanë.”
Ujku kish shpenzuar shumë,
Një kope e tërë prerë,
Vajtur gjaku gjer në lumë
Si në Qerbelanë e mjerë.
Sorkadhes,mikeshë e rrallë,
Një kufomë e ca më tepër
Ia lëshuan shpejt përballë;
Mikesha vari rrezhdet e veshët.
“Nuk ka për mua një fletë?
Ky ushqim sepse më prish.”
Ujku i ndezi rrufetë:
“Këtu hahet vetëm mish!”
GRERËZA DHE BLETA
-Zonja bletë, sa je vonuar!-
I thotë grerëza një ditë.-
Puna kë ka pasuruar?
Hidhu në një nga partitë.
Bie njëra,ngrihet tjetra,
Aleancat i ke gati,
Qysh në kohët më të lashta,
Pushteti ka qenë si mjalti.
Ia kthen bleta e ngarkuar
Me polen prej trëndeline:
-Lulet s’i kam tradhëtuar,
Puna është partia ime.