Ngjarja, që ka ndodhur në spitalin Onkologjik, është e rëndë, tepër e rëndë. Gjatë këtyre ditëve ka ndodhur as më pak e as më shumë veçse ai çka quhet Arsyetim i Përgjithësuar i cili në thelb vret arsyetimin e mirëfilltë. Arsyetimi i përgjithësuar i paraqet të gjithë mjekët si vrasës dhe zhvatës.
Ne mund ta zbatojmë arsyetimin e përgjithësuar natë e ditë dhe mund ta deminizojmë figurën e mjekut në pafundësi, por pyetja që lind logjikshëm është; Ku na shpie demonizimi i përgjithshëm i mjekëve?!
U vu drejtësia në vend se u demonizua figura e mjekut?!- Nuk besoj
U zhduk korrupsioni se u demonizua figura e mjekut?!- Nuk besoj.
Çfarë duam të përfitojmë nga ky proces demonizimi?! Duam të përfitojmë një marrëdhënie ku mjeku të ketë frikë nga pacienti?! Ja e prodhuam. Pastaj?!
Kujt i shërben një mjek në trysni?! Së pari, nuk i shërben shëndetit të pacientit. Një mjek i demonizuar, një mjek që shihet si armik mund të shërbejë për gjithçka veçse për të kryer detyrën siç duhet nuk shërben.
Aktualisht, në çastet që unë po shkruaj dhe ju po lexoni, mjekët po vazhdojnë punën në sallat e urgjencës, në sallat e kirurgjisë, në sallat e lindjes. Çfarë do të bëjmë?! Do t’i demonizojmê të gjithë duke thënë se janë armiqtë tanë?!
Demonizimi i përgjithshëm i mjekëve më kujton demonizimin e përgjithshëm të mësuesve. Ka shumë prindër në Shqipëri që nxitojnë t’i rendisin fëmijës të drejtat e tij, por harrojnë t’i rendisin fëmijës edhe detyrimet e tij dhe si pasojë kemi një fëmijë që ka vetëm vetëdijen e të drejtave, por kurrsesi vetëdijen e detyrimeve dhe mësuesi gjendet në një cep të ringut përballë fëmijëve që mund të artikulojnë veçse të drejtat e tyre, por kurrsesi detyrimet.
Mësuesi dhe mjeku janë profesionet më të vështira në këndvështrimin tim.
Nuk mund të ketë të vërtetë absolute që i bën të gjithë mjekët apo mësuesit të mirë apo të këqinj, por mund të ketë një të vërtetë të pamohueshme që mjekët dhe mësuesit përdoren si valvul shkarkimi për të përligjur lirinë e ideatorëve të skandaleve të mëdha që na qeverisin.
Post Scriptum- Drejtësia me dy standarde nuk është drejtësi. Është padrejtësi më vete.
Elona Caslli