Me të dhënat e duhura, Inteligjenca Artificiale mund të krijojë përmbajtje shumë tërheqëse dhe të personalizuara, si për markat edhe për influencerat
Në vitet e fundit, asgjë nuk i ka shqetësuar aq shumë ekspertët e marketingut dhe krijuesit sa rritja e Inteligjencës Artificiale. Me prezantimin e ChatGPT, në fund të vitit 2022, ekzistonte frika se krijimtaria njerëzore do të zëvendësohej.
Frika ka kaluar tashmë. Edhe pse IA mund të jetë një ndihmë e madhe për të thjeshtësuar dhe për të mbështetur proceset krijuese, nuk është (ende) në gjendje të riprodhojë tërësisht tonin dhe krijimtarinë njerëzore. Sot, përdorimi i IA me sukses është një aftësi shumë e kërkuar.
Kërcënim apo mundësi?
Në vend që ta konsiderojmë IA gjeneruese si një kërcënim potencial, përqafimi i pikave të forta (dhe të dobëta) të kësaj teknologjie mund t’i bëjë më efikase proceset e marketingut, duke na dhënë më shumë kohë për krijimtarinë.
IA është bërë pjesë e rëndësishme për shumë kompani, kur flitet për të përpunuar sasi të mëdha të dhënash, për të marrë informacione të detajuara mbi sjelljen dhe tendencat e konsumatorëve. Këto informacione mund të përshtaten dhe përdoren për të orientuar strategjitë e influencerave të marketingut dhe zbatimin e tyre në mënyra të ndryshme.
Mundësi – Krijimi i përmbajtjeve bëhet më i thjeshtë
Me të dhënat e duhura, Inteligjenca Artificiale mund të krijojë përmbajtje shumë tërheqëse dhe të personalizuara, si për markat edhe për influencerat.
Ekzistojnë instrumente të ndryshme të IA, të cilat krijojnë përmbajtje audio, imazhe, madje edhe video, për të mos folur pastaj për përmbajtje të shkruara. IA mund të përdoret edhe për të analizuar përmbajtjet ekzistuese dhe për të identifikuar boshllëqe të mundshme, ose për të sugjeruar tema për krijimin e përmbajtjes.
Mundësi – Gjetja e audiencës dhe influencerave të duhur
Mjetet e IA mund të analizojnë audiencën në një nivel shumë më të plotë, në më pak kohë se sa njerëzit, për të kuptuar interesat dhe sjelljet kryesore të klientëve.
Këto instrumente mund të analizojnë një sasi të madhe të dhënash dhe t’i segmentojnë në bazë të parametrave mjaft specifikë, duke i lejuar specialistët e marketingut të identifikojnë tendenca të reja dhe të gjejnë më thjeshtë influencerat e duhur, për një markë apo një fushatë dhe të monitorojnë rezultatet.
Zgjedhja e influencerave të duhur nuk është vetëm një diagram Venn interesash, por edhe një çështje e mbrojtjes së imazhit të markës. Përdoreni IA për të vlerësuar përshtatshmërinë e një influenceri me vlerat dhe misionin e markës suaj, për t’u siguruar që është i duhuri për një fushatë.
Mundësi – Përmirësimi i fushatës dhe ndryshimet në kohë reale
Një nga fushat që mund të përmirësohen me ndihmën e IA në punën e influencerave të marketingut është monitorimi dhe përmirësimi i fushatave. Specialistët e marketingut mund të përdorin sistemet e IA për të monitoruar thuajse çdo metrikë, si nivelin e angazhimit apo konvertimit, gjatë fushatave të tyre. Kjo i lejon ata të monitorojnë ecurinë e fushatës dhe të bëjnë ndryshime të shpejta dhe në kohë reale të përmbajtjes.
Përfshirja e IA në këto procese sjell më shumë elasticitet në rregullimin e fushatave dhe kontribuon në një ROI (kthim investimi) më të lartë, falë reduktimit të kostove dhe shpërndarjes së buxheteve në mënyrë më efikase.
Kërcënim – Aspekte teknike dhe transparenca
Jo të gjitha shqetësimet janë të pabaza kur flitet për instrumente të reja. Me saktësinë gjithnjë e më të madhe me të cilën modelet e IA mund të përsërisin dhe të imitojnë ndërveprimet e njerëzve dhe përmbajtjet e shkruara dhe vizive, aspekti i etikës dhe transparencës është bërë gjithnjë e më shumë i rëndësishëm.
Specialistët e marketingut duhet të mbajnë parasysh jo vetëm rregullat e komunitetit dhe ligjet mbi privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve, por edhe të jenë të gatshëm t’i përdorin me përgjegjësi instrumentet e IA.
Ekziston një vijë e hollë mes personalizimit dhe privatësisë. Ndër të tjera, transparenca e përdorimit të IA, kur flitet për krijimin apo ndryshimin e përmbajtjeve, është e rëndësishme për të ndërtuar dhe për të ruajtur besimin e publikut dhe konsumatorëve.
Kjo do të thotë të komunikosh mënyrat e përdorimit të të dhënave dhe në çfarë mase përmbajtjet janë krijuar nga ose me ndihmën e IA.
Në fund të fundit, është besimi që mund të përcaktojë ose jo suksesin e fushatave të influencerave të marketingut, IA ose jo IA. Pavarësisht frikërave në fillim, Inteligjenca Artificiale ka dëshmuar se është një ndihmë e çmuar në strategjitë e influencerave të marketingut.
Në vend që të pengojë krijimtarinë, ajo u ka dhënë atyre më shumë kohë për t’u përqendruar te strategjitë dhe përmbajtjet inovative, duke marrë përsipër analizën e të dhënave dhe detyrat e parashikimit të tendencave.
Rezulton se IA dhe krijimtaria njerëzore plotësojnë njëra-tjetrën dhe simbioza mund të krijojë fushata më me ndikim dhe më shumë vlerë strategjike. Në të ardhmen, suksesi ose jo i përfshirjes së IA në strategjitë e influencerave të marketingut do të varet nga aftësia për të ekuilibruar teknologjitë e reja me aspektet etike dhe vullnetin për transparencë dhe autenticitet.
Nëse do t’ia dalin të gjejnë këtë ekuilibër, IA do të mund t’i ndihmojë me të vërtetë ekspertët e marketingut dhe ata që merren me krijimtari ta bëjnë punën e tyre më efikase dhe të mbështetur në të dhëna, por edhe më shumë tërheqëse dhe inovative në këtë kryqëzim të teknologjisë dhe krijimtarisë njerëzore.
/ Forbes