Tashmë nuk përbën më mister, Partia Demokratike ka hyrë në një rreth vicioz me një spirale në zbritje. Është pushtuar nga mentaliteti dhe ankthet egzistenciale të një partie të vogël, që hapjen dhe prurjet e reja i shikon si rrezik potencial për ekuilibrat e pushtetit të brëndshëm .
Kjo është një krizë identiteti, që është zhveshur edhe nga retorika politike, e cila ka mbajtur gjallë populizmin e saj për 32 vite, falë inercisë së ndryshimeve sistemike të viteve ’90.
E vetmja risi politike që ka mundur të sjellë (gjithmonë nësë mund të quhet e tillë) është reforma e kodit zgjedhor, vetingu i politikanëve, dhe zgjedhja e drejpërdrejtë e presidentit. Propozime këto që nuk janë as minimalisht në mundësitë e saj për ti sjellë në jete, e mbeten thjesht në kuadrin e dëshirave që janë të destinuara të mos bëhen rrealitet.
Ndërkohë që rrealitet mbetet fakti i tkurrjes së PD – së përballë sulmeve të pandërprera të Sali Berishës dhe ish grupit të deputetëve të saj. Lë vënd për një sërë pafund interpretimesh qëndrimi i deputetëve që, fillimisht e për një kohë të gjatë, u distancuan nga Berisha që më pas të ktheheshin si djem plangprishës në gjirin e foltores.
Gjithsekush është i lirë të bëjë interpretimin e tij mbi vendimin e këtyre deputetëve, por unë e shoh si pragmatizëm objektiv i këtyre individëve, përballë heshtjes së PD – së, që nuk premtonte e nuk premton, as një rritje substanciale, e aq më pak të qënit alternativë pushteti.
Për vetë shkaqet objektive të asaj që ndodhi me PD – në, ajo nuk mund të përballet me pushtetin absolut të Ramës, pa fituar më parë luftën e brendëshme me të shkuarën e saj, dhe pa u shpjeguar shqipëtarëve rrolin, format, dhe mënyrat me të cilat Berisha ka minuar demokracinë. Akuzë e cila është një nga shtyllat themelore të akuzave të Departamentit në adresë të Berishës.
Të heshtësh përballë këtij detyrimi, sa moral po aq dhe politik, në raport me elektoratin tënd në vecanti dhe me shqiptarët në përgjithësi, ka vetëm dy arsye; ose akuzat amerikane janë të pabaza, ose ju zoti Basha jeni i paaftë për tu përballur me to, për arsye që vetëm ju i dini e kurrë nuk na i keni thënë.
Refuzoj të besoj se heshtja juaj ka të bëjë me teorinë e mospërcarjes së demokratëve. Kjo ka ndodhur tashmë zoti Basha, dhe sa më shumë ju heshtni, aq më shumë kjo përcarje bëhet e pariparueshme. Një lider politik është i tillë, kur di të përballet me evolucionin e rrethanave, në mos qoftë i aftë tu paraprijë atyre.
Në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria e shqiptarët, e që një forcë opozitare të ngjallë së pari shpresë, e më pas të fitojë besimin e tyre, ka vetëm një rrugë. E ajo është e vërteta. E vërteta lakuriq mbi sa ka ndodhur me pazaret e politikës, nepotizmin e saj, arbitraritetin, mashtrimet populiste e rrënimin e demokracisë e shtetit të së drejtës, që nuk morën kurrë të drejtën e qytetarisë në këtë vënd sa të begatë e po aq fatkeq në verbërinë e tij, ku edhe ju keni pjesën tuaj të përgjegjësisë.
Nëse do të vazhdoni të zgjidhni rrugën e heshtjes, në fund të saj do të gjendeni i vetëm duke gudulisur pushtetin e Ramës që qesh tek sheh një ish president majë penxheres, një tjetër hipur mbi paralele e një pretendent për kryeministër që intervistohet nga dy antarë të këshillit kombëtar të partisë së tij. Dhe mos harro zoti Basha; e vërteta edhe kur stë bën të lire, minimumi të bën dinjitoz.
Gjergj Hani/ NUK ËSHTË KJO RRUGA ZOTI BASHA

Leave a comment Leave a comment