Coreshell, një kompani startup-esh për bateritë, thotë se ka gjetur një mënyrë për të prodhuar LFP me kosto të ulët, duke mos sakrifikuar autonominë
Kostoja mbetet një nga pengesat më të mëdha në përhapjen e makinave elektrike. Pjesa më e madhe e makinave elektrike aktuale shiten me çmime më të larta krahasuar me makinat që përdorin lëndë djegëse dhe kjo është arsyeja që pengon shumë njerëz të blejnë një të tillë.
Situata mund të ndryshojë shpejt. Coreshell, një startup e specializuar në materiale për bateritë, njoftoi para pak ditësh një zbulim që mund të reduktojë koston e baterive me jone litiumi.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një progres të tillë që mund t’u hapë rrugën makinave elektrike me autonomi prej 800 kilometrash, por, në fund të fundit, nuk janë të shumtë ata që kanë nevojë për këtë karakteristikë.
Nëse zgjidhja e Coreshell do të jetë e vlefshme, mund t’u hapë rrugën baterive më ekonomike, që nuk varen nga Kina.
Parashikimet për makina elektrike më ekonomike mbështeten te përmirësimet e vazhdueshme teknologjike, duke përfshirë materiale më të mira për bateritë. Silici mund të zëvendësojë grafitin në anodë, terminali negativ i një baterie litium-jon.
Si silici, edhe grafiti, pranojnë dhe ruajnë jonet e litiumit kur bateria është në rikarikim. Edhe pse silici mund të ruajë shumë më shumë, ka një aspekt negativ.
Gjatë rikarikimit, anodat priren të fryhen. Anodat e grafitit fryhen pakëz dhe janë disi elastike. Por kur anodat e silicit rikarikohen, mund të fryhen si tullumbace, disa herë mbi madhësinë e tyre origjinale. Pa diçka për ta kompensuar këtë, anoda mund të shkatërrohet pas cikleve të njëpasnjëshme të rikarikimit dhe shkarkimit.
Megjithatë, potenciali i silicit për të përmirësuar bateritë ka nxitur disa startup për të punuar mbi zgjidhjen e problemeve. Pjesa më e madhe e qasjeve përfshijnë struktura mikroskopike të specializuara për t’iu përshtatur prirjes së silicit për t’u zgjeruar.
Për të realizuar formulat e tyre ekskluzive, këto kompani përdorin një version më të rafinuar dhe më të kushtueshëm të metalit. Si rezultat, anodat e silicit deri më tani janë synuar në tregje ku çmimi i lartë mund të përballohet më lehtë, duke përfshirë pajisjet elektronike të konsumit dhe EV-të e nivelit të lartë.
Më parë, Coreshell ishte përqendruar te veshjet që ngadalësonin degradimin e materialeve të ndryshme për bateritë, por tani kompania i është përkushtuar silicit.
“Dy vite më parë bëmë një hap para mbi silicin e shkallës metalurgjike – deklaroi për TechCrunch, bashkëthemeluesi dhe CEO, Jonathan Tan. – Veshja është elastike dhe ndihmon në mbajtjen e materialit kompakt gjatë cikleve të rikarikimit dhe shkarkimit dhe gjithashtu parandalon degradimin në sipërfaqe.
Ky do të jetë elementi ku do të përqendrohemi për ta sjellë në treg dhe do ta shesim, duke nisur nga viti i ardhshëm”.
Silici i shkallës metalurgjike nuk është vetëm më ekonomik se opsionet me pastërti më të lartë, por kushton rreth gjysma e grafitit që përdoret zakonisht në bateritë me jon litiumi – tha Tan, në një prezantim në Seminarin Ndërkombëtar të Baterive.
Para pak ditësh, Coreshell nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin e metaleve Ferroglobe për furnizimin e materialeve.
Por ka edhe ndërlikime gjeopolitike. Sipas Benchmark Mineral Intelligence, tre të katërtat e zinxhirit të furnizimit të anodave të grafitit në nivel botëror kalon përmes Kinës. Kjo i ka vënë në vështirësi prodhuesit e baterive dhe shtëpitë automobilistike.
Duke qenë se silici mund të ruajë shumë më tepër energji, bateritë me kapacitet ekuivalent kërkojnë më pak material krahasuar me grafitin. Për këtë arsye, Coreshell vlerëson se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë mjaftueshëm silic metalurgjik për të përmbushur kërkesën.
Dhe duke qenë se silici metalurgjik kushton më pak se grafiti, ka potencialin të zëvendësojë tërësisht grafitin nga Kina.
Produkti i parë i Coreshell do të jetë një anodë silici e çiftuar me një katodë litium-hekur-fosfat (LFP). Katodat LFP janë më të lira dhe më të sigurta se produktet e tjera kimike të përdorura te makinat elektrike, si nikel-mangan-kobalt (NMC) dhe përbërësit mund të gjenden gjerësisht jashtë Kinës.
Për këtë arsye, prodhuesit e automjeteve i kanë hedhur një sy të dytë LFP-së, por janë frenuar ta përhapin në shkallë të gjerë, sepse ruan më pak energji se NMC.
Megjithatë, kur përputhet me një anodë silici, pabarazia duhet të zhduket. Coreshell parashikon se anodat e saj të silicit mund t’u japin LFP avantazh krahasuar me qelizat tradicionale NMC me anoda grafiti.
Së pari, Coreshell duhet të rrisë dhe të komercializojë teknologjinë e saj, një detyrë jo e thjeshtë. Tregu i parë do të jetë ai i lëvizshmërisë elektrike, që përfshin biçikletat elektrike, skuterët elektrikë dhe dune buggies* elektrikë (*një lloj makine e krijuar për të ecur në rërë).
Ndërkohë, Coreshell po përballet me faza rigoroze të kualifikimit të nevojshëm për t’u bërë një furnizues i makinave. Tan deklaroi se kompania parashikon të furnizojë me kampionë A partnerët në vitin 2025 dhe shpreson të jetë e pranishme në një makinë elektrike deri në fund të dekadës.
Brenda vitit 2025, konkurrentet e saj Sila dhe Group14 parashikojnë të nisin prodhimin tregtar. Sigurisht, materialet e tyre anodë me silic do të kushtojnë më shumë, por do të kenë avantazhin e rritjes dhe përvojës për të ndihmuar në reduktimin e kostove.
/ Tech Crunch