Përgatiti: Muharrem Lala
Një nga universitetet kryesore franceze e ka ndaluar tashmë, të tjerët presin të shohin se si do të zhvillohet situata, po shqyrtojnë si inteligjenca artificiale mund ta ndryshojë arsimin.
Në mbarë botën, universitetet po shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjnë me një mjet të fuqishëm të inteligjencës artificiale që është i disponueshëm për publikun-ChatGPT.
Programi ka aftësinë t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta edhe pyetjeve më të komplikuara në stilin e eseve, me argumenta të shumta.
Studentët e universiteteve ishin ndër miliona njerëzit që filluan të eksperimentojnë.
Në Shtetet e Bashkuara, filloi të ndalohej përdorimi i programit në klasa dhe në paisjet elektronike të shkollave.
Por një profesor në Angli ka publikuar një shkrim ku argumenton se ChatGPT mund të bëhet një mjet i vlefshëm.
“Mendoj se është mirë që ta shikojmë këtë çështje nga këndvështrimi se si këto teknologji do të zënë vend në të ardhmen në qendrat e punës, aty ku do të shkojnë studentët tanë.
Dhe është e rëndësishme që ne, t’i përgatisim studentët që t’i kuptojnë këto me një sy kritik, të njohin kufizimet e tyre dhe t’i bëjnë ato pjesë të arsenalit të tyre, dhe jo të refuzohen nga universitetet”.
Programi i përgjigjet me shpejtësi dhe me një strukturë që i ngjason një eseje në përgjigje të pyetjes, duke radhitur probleme si plagjiarizmi, mashtrimi, apo ndërvarësia.
“Nëse ne mendojmë se ChatGPT përbën kërcënim, atëherë ne duhet të ngremë pyetjen se çfarë do të thotë arsim.
Ka të bëjë me ofrimin e aftësive të nivelit të lartë që do t’iu duhen studentëve për të nxënë në vazhdimësi.
Këto janë teknologjitë që ofrojnë mundësi.
E kemi parë evolucionin që nga kontrolli për gabime ortografike në programin Word, pastaj me kontrollin gramatikor, tashmë me përpilimin e përmbledhjeve.
Ajo që duhet të bëjmë është që t’i pajisim tani studentët me njohuritë për ta identifikuar. Mund të përdorim atë që prodhohet për ta përmirësuar, për ta vlerësuar me një sy kritik, për të identifikuar mangësitë dhe për të nxjerrë një produkt përfundimtar”, thotë profesor Barn.
Institucione të tjera arsimore, si Sciences Po Paris, një ndër universitetet më prestigjioze të Francës, ndaloi përdorimin e programit ChatGPT.
“Studentët tanë vijnë për të studiuar këtu dhe për të marrë një diplomë cilësore. E pyetëm veten se si duhej të vepronim dhe menduam se është e rëndësishme të kufizohej përdorimi i kësaj inteligjence të re… Pikë së pari, pasi është një inteligjencë artificiale e bazuar në përllogaritje dhe jo në një arsyetim. Dhe mbi të gjitha, krijon iluzionin e një teksti të shkruar nga njeriu, dhe studentët tanë duhet ta dinë se për universitetin Sciences Po, përdorimi i këtij mjeti nuk shërben si garanci për ndershmërinë intelektuale”, thotë Myriam.
“Mendoj se këto programe do të shërbejnë për të hartuar variantet fillestare të dorëshkrimeve, por për të cilat do të duhet sërish mbikqyrja e njeriut, për t’i kontrolluar për gabime, për të korrigjuar koncepte të gabuara që mund të kenë këto programe. Pra, pjesë e përgatitjes së studentëve do të jetë edhe që të kuptojnë se si t’i përdorin këto mjete me efikasitet dhe në mënyrë etike”, thotë Gregory Morgam, profesor i asociuar në Institutin Stevens